Më 7 mars merret vendim për rastin “Besa Trans”

Maqedonia

Më 7 mars merret vendim për rastin “Besa Trans”

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Aktgjykimi për rastin “Besa Trans” do të publikohet më 7 mars, pasi sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit u thanë fjalët përfundimtare të procesit. Në këtë rast, një person fizik dhe një person juridik akuzohen për veprën penale të vazhduar “falsifikim dokumentesh”.

Më 23 nëntor 2021, 45 shtetas të RMV-së humbën jetën në autobusin “Besa Trans” në autostradën Struma në Bullgari, ndërsa vetëm shtatë persona mbijetuan.

Sipas aktakuzës për këtë rast, i akuzuari Bekim Haxhiu si udhëheqës person juridik i “Besa Trans” nga Rashçe akuzohet se ka kryer disa veprime të ndërlidhura me kohën dhe ka përdorur si dokument një licencë për transport ndërkombëtar false.

Sipas prokurorisë, Haxhiu u ka dhënë shoferëve që drejtonin automjetin dokumentin e falsifikuar të udhëtimit dhe me të në periudhën nga data 10.1.2021 deri më 21.11.2021 ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror në mënyra të ndryshme.

Haxhiu në seancën e parë tha se nuk ndihet fajtor për falsifikimin e dokumentit të udhëtimit, ndërsa fajësinë e ka mohuar edhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat