Strugë, rrugë të gërryera e me baltë

Maqedonia

Strugë, rrugë të gërryera e me baltë

Më: 31 mars 2024 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Një pjesë e qytetarëve të Strugës vazhdojnë të shkelin nëpër rrugë të gërmuara dhe me baltë. Thonë se nuk jetohet në kushte të tilla dhe të lusin për një copë asfalti. Një rrugë e tillë gjendet në hyrje të Strugës. Në këtë rrugë kalojnë çdo ditë banorët e ndërtesave dhe shtëpive përreth.

Që nga viti 1986, kur janë ndërtuar këto objekte, banorët thonë se kjo rrugë nuk është asfaltuar asnjëherë, edhe pse gjendet në hyrje të Strugës. Banorët thonë se disa herë kanë dorëzuar kërkesa dhe nisma në komunën e Strugës, por gjithçka ka qenë e kotë.

“Kemi 30 vite që nuk kemi rrugë. Kemi kërkuar, por asgjë. Dimrit shkelim në pellgje ndërsa në verë në pluhur…”, tha një qytetar.

E vizituam edhe lagjen Rruga e Misleshevës. Moti ishte me shi, kështu që banorët e kishin të vështirë të lëviznin përgjatë rrugës.

“Këtë pjesë të vendbanimit e shfrytëzon shkolla e Misleshevës, këtu kalojnë fëmijët dhe imagjinoni si do të kalojnë në këto kushte. Ka raste që i lidhin këmbët me najlon për të shkuar deri në fund të rrugës dhe pastaj i nxjerrin…”, u shpreh qytetar.

“Jemi afër qytetit, por me baltë. Është premtuar shumë herë por deri më tani nuk është realizuar. Na mbetet të presim. Është turp që në shekullin 21 ecim mbi baltë dhe kur fëmijët kthehen nga shkolla, fytyrat e tyre janë me baltë”, shtoi një qytetar tjetër.

“Kështu jetojmë, të gjithë baltën e bartim brenda, shkallët i fshijmë pesë-gjashtë herë. Jemi të ngjitur me Strugën, rruga është katastrofë, nëse do të shkosh në Strugë, duhet të kesh lecka për t’i fshirë këpucët, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë. Gjithçka është katastrofë…”, theksoi një qytetar.

Pyetëm në Komunën e Strugës se kur planifikojnë t’i ndërtojnë këto dy rrugë, por nuk morëm përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat