Zgjedhjet në Maqedoni, asnjë grua s’udhëheq listat zgjedhore shqiptare

Maqedonia

Zgjedhjet në Maqedoni, asnjë grua s’udhëheq listat zgjedhore shqiptare

Më: 1 prill 2024 Në ora: 08:32
Foto ilustrim

Aktivistët për të drejtat e grave thonë se është për të ardhur keq që asnjë nga dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare më 8 maj – Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN – nuk kanë marrë guximin që të garojnë me një grua në krye të listave për deputetë në gjashtë njësitë zgjedhore.

Megjithëse afati i fundit për dorëzimin e listave për deputetë është 2 prilli, partitë politike kanë dorëzuar emrat e bartësve të listave në gjashtë njësitë zgjedhore.

Në to nuk është lakuar emri i as edhe një gruaje për deputete nga partitë shqiptare.

Partitë politike shqiptare që janë pjesë e Frontit Evropian, si dhe Koalicioni VLEN janë arsyetuar se përfaqësimi i grave në listat zgjedhore do të jetë madje më i lartë se obligimi ligjor prej 40 për qind.

Lidhja Social-Demokrate në njësinë zgjedhore numër tre ka bërë të ditur se do të garojë me Sanja Lukarevskën, e cila drejton Drejtorinë e të Hyrave Publike, ndërsa partia maqedonase në opozitë, OBRM-PDUKM, në njësinë zgjedhore numër 6 do të synojë të fitojë besimin e qytetarëve në këtë zonë me Dafina Stojanovskën.

Deputetët në Maqedoninë e Veriut zgjidhen në bazë të modelit të listave të mbyllura, përkatësisht deputetë zgjidhen ata që janë në krye të listave në përputhje me numrin e votave të fituara sipas metodës së D’Hontit.

Nafije Selmani, aktiviste për të drejtat e grave, e cila ka garuar dhe në zgjedhjet lokale si kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit, duke komentuar listat për kandidatë për deputetë të partive politike shqiptare, ku nuk i është besuar asnjë gruaje detyra si bartëse liste thotë se kjo tregon se edhe pas 30 vjetëve nga pluralizmi i shtetit, te shqiptarët politika mbetet fushë mejdani vetëm e burrave.

“Partitë politike shqiptare nuk e kanë marrë seriozisht pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe njëherësh nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se janë vetë partitë politike ato që kanë përfitime kur gratë marrin pjesë në proceset zgjedhore, janë pjesë e institucionit ligjvënës, por edhe drejtojnë pozitat qeverisëse. Pjesëmarrja e grave nuk duhet parë nga dimensioni i përmbushjes së obligimit ligjor, por duke pasur një pjesëmarrje aktive në jetën politike duke artikuluar kërkesat e gjysmës së popullsisë në vend”, thotë Selmani.

Nga ana tjetër, Rita Beadini nga platforma Mollëkuqja, që në fokus ka të drejtat e grave, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se gratë vetë duhet të tregohen më luftarake për të marrë terrenin politik në mënyrë të barabartë me burrat.

“Nëse u lihet në dorë vetë partive politike që janë të drejtuara nga burrat, të vendosin për këtë çështje, veçanërisht partitë politike shqiptare as që e kanë parasysh çështjen e barazisë gjinore, përkatësisht përfshirjen e grave jo vetëm në listat zgjedhore, por në përgjithësi në pozitat vendimmarrëse, partitë politike nuk e shohin si problem mungesën e grave në pozitat udhëheqëse”, thotë Beadini.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të përfaqësuar me 30 deputetë të shpërndarë në 8 parti politike të përfaqësuara në institucionin ligjvënës nga gjithsej 120 deputetë, por prej tyre vetëm 9 janë gra nga blloku politik shqiptar.

Për të rritur numrin e grave deputete në Kuvendin e Maqedonisë në vitin 2002, në Ligjin për zgjedhjen e deputetëve u përfshi kuota për garantimin e 30 për qind të ulëseve për gratë, dhe më pas kjo përqindje në vitin 2o15 u rrit në 40 për qind.

Por, partitë vazhdojnë ta shmangin zbatimin e kësaj dispozite ligjore duke vendosur në listat zgjedhore çdo të tretën pozitë për gratë, dhe në krye të listave vendet e garantuara mbeten për burrat./REL/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat