Breshëri plumbash në drejtim të kryetarit të Haraçinës me ekip: Dalin detajet e fundit

Maqedonia

Breshëri plumbash në drejtim të kryetarit të Haraçinës me ekip: Dalin detajet e fundit

Më: 1 prill 2024 Në ora: 16:15
Ridvan Ibrahimi 

Një breshëri plumbash me kallashnikov është gjuajtur në drejtim të ekipit të kryetarit të komunës së Haraçinës, z.Ridvan Ibrahimi, mesditën e sotme.

Ngjarja ka ndodhur derisa kryetari Ridvan Ibrahimi bashkë me ekipin e tij, po inspektonte një pjesë të punimeve në rrugë, në komunën që udhëheq dhe e cila gjendet rreth 12 kilometra në verilindje të Shkupit (kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut).

Deri tani, raportohet se është plagosur shoferi i kryetarit të komunës dhe inspektori i ndërtimit.

Raportimet për plagosjen e kryetarit të Haraçinës, i ka mohuar kabineti i tij në një telefonatë.

“Deri tash është i plagosur shoferi i kryetarit të komunës dhe inspektori i ndërimit”, ka thënë Shefik Duraku, pjesë e kabinetit të kryetarit të Haraçinës, z.Ridvan Ibrahimi.

Ai tutje ka thënë se ka disa spekulime nëpër media rreth plagosjes së kryetarit, gjë që e mohon, por thotë se për momentin, Policia po kryen një aksion të madh në rajonin e Haraçinës.

“Kanë qenë bashkë me kryetarin në inspektim të punimeve në rrugë. Një person në lëvizje ka gjuajtë me kallashnikov. Kryetari është mirë, ka qenë në vendngjarje, por është mirë”, ka thënë z.Duraku në bisedë telefonike.

Motivet e këtij sulmi, që duket se target kanë pasur kryetarin e komunës së Haraçinës, ende nuk dihen, por sipas informacioneve që na jep z.Duraku, Policia maqedonase po kryen aksion të madh, përfshirë edhe me helikopterë në përndjekje të sulmuesve.

z.Duraku tha në bisedë telefonike, se ‘personat që kanë hedhur breshëri plumbash në drejtim të ekipit të kryetarit të Haraçinës, kanë qenë të maskuar’.

“Deri tash nuk ka informacione, sipas disa personave që kanë qenë afër aty, nuk dihet se kush mund të jetë. Për momentin po zhvillohet një aksion i policisë me helikopterë”, tha z.Duraku.

Gazeta ka mësuar përmes burimeve të ndryshme afër kryetarit të Haraçinës, se ka kohë që ndaj tij ushtrohet presion shkaku i ‘disa pronave shtetërore’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat