Zgjedhjet në Maqedoni, Europa (skeptike) e Turqia si faktorë ndikimi

Maqedonia

Zgjedhjet në Maqedoni, Europa (skeptike) e Turqia si faktorë ndikimi

Nga: Fitim Dika Më: 3 prill 2024 Në ora: 23:54
Fitim Dika

Prolog

Si asnjëherë më parë, në këto tre dekada e gjysmë pluralizëm politik, shqiptarët do rreshtohen në dy blloqe politike “Fronti Europian” e kryesuar nga BDI dhe Aleanca e Ziadin Selës, si dhe Koalicioni VLEN me katër parti shqiptare. Ana pozitive është se partitë e mëhallave dhe inatçorëve politik nuk do përçajnë votën shqiptare, duke treguar se shërbimet shqiptare janë fuqizuar dhe nuk lejojnë ndërhyrjet e “të tjerëve” në punët e tyre. Ana tjetër, që po themi mbetet a-morale në mund të thënçim, është se njerëz si Izeti e Afrimi e Bilalli, Ziadini e Thaci, Aliu mbase në fund me të gjithë, bëhen bashkë gjëja për interesa më të mëdha! Por në fakt, duhet edhe njëherë të përmendim që bashkimi prevalon ndaj ish akuzave të mëpërparshme!

Lufta gjeostrategjike te shqiptarët

Shihet një ndryshim në skenën politike botërore, ku ambasadat perëndimore nuk janë më aq të fuqishme të vendosin të vetme mbi fatin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo për fajin e vetë Perëndimit që ka ditur të tallet me Maqedoninë e Veriut, me Kosovën në çështjen e vizave dhe demarkacionit dhe Bosnjën e Hercegovinën në çdo aspekt, sa që edhe vetë disa media perëndimore si Der Standard, shkruajnë që tashmë nuk vërejmë ndonjë dallim në artikulimin e ambasadës ruse me atë të disa diplomatëve perëndimor – që të dyja me retorikë filo-serbe. A janë të vetëdishëm koalicioni Fronti Europian, se Europa shkon vetë drejt euro-skepticizmit dhe integrimet kanë marrë fund?

Turqia si faktor i dytë ndikimi

Për shqiptarët (gjëja) “Dielli lind nga perëndimi” dhe kjo natyrisht nënkuptohet edhe nga diaspora e madhe shqiptare në Perëndim, pa të cilën nuk do kishim dy shtete e gjysmë shqiptare mbi Ballkan. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë se së fundi është një shtet tjetër që i ka dalë në përkrahje unanime institucionit më të rëndësishëm shqiptar – FSK-së, e kjo është padyshim Turqia. Populli shqiptar e ka nuhatur këtë, pasi edhe shigjetat e armikut janë në orientimin e duhur, megjithatë s’mund të jemi naivë edhe të mendojmë që shqiptarët mundet t’ia dalin edhe pa Perëndimin, ku në fakt, janë e vetmja botë që njeh Kosovën shtet, për dallim nga BRICS, që e sheh Kosovën akoma si pjesë të Serbisë!

Në këtë këndvështrim bota shqiptare duket disi e luhatur, ku në të ardhmen mund të shohim edhe dallime më të mëdha. Një pjesë e politikanëve që vizitojnë më shumë Turqinë sesa Greqinë, që janë ata nga Partia VLEN, dhe një pjesë e politikanëve që buzëqeshin më shumë kur takohen në Athinë sesa Stamboll, si ata të Frontit Europian. Megjithatë, edhe VLEN nuk mund të anashkalojë kurrësesi rolin e Perëndimit, por as edhe ata të Frontit Europian rolin e ndihmës së Turqisë në armatimin e FSK-së.

Sesi do rrjedhin çështjet në të ardhmen, pritet të shihet, por tash për tash, akoma roli i Turqisë pa Perëndimin është i zbehtë mbi Ballkanin, kurse me fitimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe euroskeptikëve në Bruksel pas disa muajsh, mund të përmbysë këto forca dhe të ndodhemi karshi një tensionimi politik.
 

Mbi të ardhmen

Përpara se të tjerët të vendosin mbi ne, ashtu siç u bënë bashkë dy blloqet shqiptare, në të ardhmen duhet të bëhen bashkë për të parë realitetin e ri botëror dhe që do reflektonte edhe mbi Ballkanin Perëndimor, ashtu siç na mësojnë politikatanët perëndimorë Lordi Palmerston e De Gol, por së fundi edhe Blinken, se në politikë nuk ka aleatë të përhershëm, por interesa të përhershme.

“Ne nuk kemi aleatë të përjetshëm, ne nuk kemi armiq të përhershëm. Interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme është detyra jonë që t’ i ndjekim këto interesa”.

Kur Albin Kurti e Edi Rama të bëhen bashkë, mund të bëhen bashkë edhe shqiptarët e Maqedonisë V mbi këto tema delikate, por duket që e vetmja çështje ku ata nuk arritën të bashkohen është te presioni mbi Aleancën ndaj Shqiptarëve, që ishte King Maker për fituesin e ardhshëm te shqiptarët, e pikërisht aty, Rama e Kurti, e përçanë atë parti, ku njëra u drejtua drejt Frontit Europian, kurse tjetra që “flasin turqisht” drejt VLEN-it.

Në vend të përfundimit

Urojmë që këto tema delikate të tejkalohen në të ardhmen, veçanërisht kur populli po shpërngulet pasi politika e deritanishme, e korruptuar e klienteliste, nuk arritën të krijojnë një shendetësi e arsim cilësor dhe gjyqësi të paanshme. Vlen të theksohet se BDI vërtet theu disa tabu në dobi të shqiptarëve këto vitet e fundit, bile edhe koalicionimin me etnitë tjera e shoh shumë pozitive, pasi pse boshnjakët, turqit e romët u dashka të jenë vetëm votues të koalicioneve të partive maqedonase? Megjithatë, ky ‘shqiptarizim’ ose faktorizim i shqiptarëve në shtet, falë edhe natalitetit, nuk pamundësoi ikjen e shqiptarëve.

Shqiptarët nesër mund të marrin edhe Komunën e Butelit në Shkup, megjithatë primarja në suksesin politik duhet të jetë krijimi shtetit të së drejtës për të gjithë, ajo që ndalon ikjen e të rinjve, por jo vetëm, për të ndërtuar Gjermaninë e plakur që po na pret si skllavopronarë modern.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat