Afrohen zgjedhjet kuvendare, partitë vazhdojnë me fushatën

Maqedonia

Afrohen zgjedhjet kuvendare, partitë vazhdojnë me fushatën

Më: 1 maj 2024 Në ora: 21:03
Foto ilustrim

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.

Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Media iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u bëri thirrje të gjitha forcave demokratike dhe progresive në vend që të dalin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 8 majit dhe të japin mbështetje masive për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet të jemi një vend europian dhe nuk ka rrugë tjetër për të bërë ndryshime reale dhe të prekshme në shtëpi. Duhet të kemi standard më të lartë, kushte më të mira në shëndetësi, arsim evropian dhe në fund të luftojmë korrupsionin dhe të vendosim sundimin e ligjit në të gjitha sferat”, tha Kovaçevski.

Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, sot ka thënë se shkelen të drejtat e punëtorëve dhe shteti shumë pak kujdeset për ata që krijojnë dhe janë shtylla kurrizore e ekonomisë”.

“Për mobingun e punëtorëve flitet rrallë, por problemi më i madh janë pagat që i ka ngrënë inflacioni. Nuk mjaftojnë as për gjysmën e shportës së nevojshme të konsumit. Problemet janë të shumta, por zgjidhjet duhet t’i bartim së bashku dhe me vendosmëri. Hapi i parë janë ndryshimet që duhet të ndodhin dhe ato ndryshime janë në duart tuaja. Së bashku, ta bëjmë Maqedoninë të fortë”, ka thënë Mickoski.

Nga Fronti Europian sot kanë thënë se nuk do të bëhen pjesë e asnjë qeverie që s’do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bashkimi Europian. Arta Bilalli Zendeli, përfaqësuese e Frontit Europian, njoftoi për këtë sot në një konferencë për media dhe tha se Vetingu do të jetë kusht për Qeverinë e re.

“Prezantojmë sot para jush një nga zotimet e programit politik “Europa 2030” të Frontit Europian, atë të realizimit të procesit të vetingut për të gjithë bartësit e funksioneve politike dhe bartësit e përgjegjësive të mëdha në sferën e gjyqësisë dhe luftës kundër krimit e korrupsionit. Pa vënien në lëvizje të një mekanizmi efikas dhe të një skaneri objektiv të pastërtisë së figurave që marrin përgjegjësi publike, siç është vetingu, nuk mund të arrihet progres optimal në përballjen me krimin dhe korrupsionin”, tha ajo.

Bilall Kasami bartës liste për deputet nga VLEN, sot ka qëndruar në Gurin e Sidollit.

“Tetova ka natyrë të pasur, vende tepër piktoreske për të cilat kujdesemi që ti ruajmë por edhe ti promovojmë si vende turistike. Po ashtu bashkë edhe me kandidatët për deputetë të zonës zgjedhore 6, takuam numër të madh të qytetarëve të cilët kishin dalë në shëtitje. Ja VLEN që Tetova dhe vendet e saj të ruhen, të vizitohen dhe të jenë perla turistike, të cilat nuk mund të gjinden në asnjë vend tjetër. Me Ndryshimin që VLEN, pas 8 majit, në pikat turistike të Tetovës dhe rajonit do të investojmë edhe si pushtet qendror dhe turizmi në malin Sharr do të zhvillohet në maksimum”, tha Kasami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat