Anuloni zhvendosjen e akrepave të orës

Maqedonia

Anuloni zhvendosjen e akrepave të orës

Më: 30 tetor 2017 Në ora: 21:10
Ilustrim

Prej ditës së diel apo 29 tetorit, në Maqedoni sërish u kthye njehsimi dimëror i kohës.

Ndërrimi i orës është një procedurë që bëhet zyrtarisht me vendim qeverie, dy herë në vit, gjatë muajve tetor dhe mars, në javët e tyre të fundit, shkruan gazeta KOHA. Qëllimi i ndryshimit të orës bëhet për shkak të kursimit të energjisë elektrike, me qëllim të shfrytëzimin më të madh të energjisë diellore. 

Zhvendosja me 60 minuta para ose pas e akrepave në Evropë ka nisur prej vitit 1974, pas krizës së parë të naftës, kur disa vende vendosen të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Gjermania u bë vendi i parë që mori një hap të tillë për të “kursyer energji”. 

Vende të ndryshme e ndryshojnë në data të ndryshme orën. Ndërsa shumë vende të Afrikës, Azisë (përfshirë dhe Kinën), nuk e ndryshojnë asnjëherë orën. Kurse SHBA-të e ndryshojnë një javë pas Evropës. 

Në Maqedoni, kthimi i orës për herë të parë është vendosur më 27 mars të vitit 1983, ndërsa nga viti 1996 është e rregulluar me Ligjin për llogaritjen e kohës.

Në vitet e fundit, në Evropë janë shpeshtuar debatet se sa me të vërtetë sjell dobi llogaritja verore dhe dimërore e kohës. Megjithatë, disa astronomë janë kundër zhvendosjes së akrepave dhe “zgjatjes” artificiale të ditës, pasi vlerësojnë se natyra nuk duhet “munduar”, madje edhe nëse arsyetohet me llogaritje ekonomike.

Në ndërkohë, grupi prej 70 deputetësh të Parlamentit Evropian angazhohet për anulimin e direktivës së Komisionit Evropian për zhvendosjen e akrepave të orës dy herë në vit, për shkak, siç theksojnë të dëshmive të shumta të ndikimit negative të kësaj praktike.

Eurodeputeti i djathtë çek, Pavel Svoboda, shprehet se hulumtimet shkencore kanë treguar se 20 për qind e popullsisë vuajnë nga probleme shëndetësore për shkak të ndryshimit të orës, shënohet ulje e produktivitetit në punë, ndërsa studimet tregojnë se aksidentet gjatë javës së parë të ndryshimit të orës rriten me 30 për qind më shumë.

Svoboda shton më tej se llogaritja verore e kohës është vendosur me qëllim të kursimit të energjisë, por megjithatë nuk është arritur një qëllim i tillë. Për ndryshimin e kohës kanë debatuar edhe Parlamenti gjerman dhe suedez, ndërsa propozimi fiton se vjen e më shumë përkrahje përmes peticioneve që i kanë nënshkruar me dhjetëra mijë qytetarë. 

Në Finlandë, një peticion të tillë e kanë nënshkruar mbi 100 mijë qytetarë, në Gjermani mbi 55 mijë dhe në Holandë mbi 40 mijë qytetarë.

Në ndërkohë, eurodeputeti çek, Svoboda, ka paralajmëruar se grupi i punës do ofrojë propozim rezolutë përmes së cilës do të kërkojë nga Komisioni Evropian që në anulojë këtë praktikë, ndërsa në një të ardhme të afërt mund të pritet edhe votimi për këtë çështje në Parlamentin Evropian. 

Nga ana tjetër, Rusia tërësisht e ka hequr përllogaritjen dimërore të kohës në vitin 2014, ndërsa Islanda është vendi i vetëm evropian, i cili nuk vendosi llogaritje dimërore dhe verore të kohës. 

Turqia në vitin e kaluar vendosi llogaritjen e përhershme të verore të kohës dhe, për dallim prej viteve të tjera, nuk do të zbatojë kthimin e akrepave prapa të orëve në përputhje me llogaritjen dimërore të kohës. 

Në shekullin e fundit, modeli i lëvizjes së akrepave të orës është pranuar në tërë Evropën dhe Amerikën Veriore. Në Amerikën Jugore shumica e shteteve nuk praktikojnë ndryshimin e akrepave të orës, me përjashtim të Kilit, Paraguajit, Uruguajit dhe një pjese të Brazilit. Ndërkohë që as Japonia nuk përdor një praktikë të tillë të matjes së kohës.

Norma evropiane vendosi në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas ); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit. Ndërrimi i tillë i orës e ka fillesën në shekullin XVIII, kur Benxhamin Franklin hodhi idenë e kohës që ndjek diellin. Në atë kohë ideja nuk ishte shumë e përhapur, sepse kursimet ishin të pakta. Në vitin 1907, kjo teori u përmend sërish nga britaniku Villiam Villet, ndërsa në vitin 1916 Britania votoi që të bëhet lëvizja e akrepave një orë përpara gjatë muajve të verës. Ky ndryshim u bë standard që nga viti 1974, pas krizës së parë të madhe të naftës. Si ligj evropian, ndryshimi në rajon u vendos në vitin 1981. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat