Tekstet me përmbajtje fyese akoma në duart e nxënësve - Bota Sot
Tekstet me përmbajtje fyese akoma në duart e nxënësve

Maqedonia

Tekstet me përmbajtje fyese akoma në duart e nxënësve

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 17:18
Ilustrim

Librat e historisë dhe gjeografisë për shkollat e mesme në Maqedoni, me përmbajtje ofenduese dhe prapavijë politike edhe këtë vit mbeten në duart e nxënësve përkundër reagimit të prindërve dhe mësimdhënësve.

Në këto libra theksohet se shqiptarët kanë qenë maqedonas, por gjatë Perandorisë Osmane ata janë konvertuar në shqiptarë. Njëherësh, në njësitë mësimore nxënësit mësojnë se shqiptarët e Maqedonisë prejardhjen e kanë nga çerkezët, romët dhe turqit.

Intelektualët shqiptarë thonë se skandaloze mbetet që në këto libra, përkatësisht në librin e gjeografisë, theksohet se “shqiptarët si popull kanë migruar në Maqedoni dhe gjatë ardhjes ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj maqedonasve, si dhe i kanë vjedhur pronat, e siç theksohet, vendasve maqedonas.

Në bazë të ligjit që rregullon botimin e librave për shkollat fillore dhe ato të mesme, “nga përdorimi tërhiqen të gjitha librat në të cilat konstatohet se ka mbi 30 për qind gabime ose nëse përmbajnë materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë”.

Ministri i Arsimit të Maqedonisë, Arbër Ademi, thotë se me ndryshimet ligjore tanimë janë korrigjuar gabimet në 22 tekste shkollore përkatësisht në librat e lëndëve mësimore si matematika, fizika , shkencat natyrore kimia...ndërkohë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë është zotuar se së shpejti do të pësojnë ndryshime dhe librat e gjeografisë dhe historisë.

“Ne jemi zotuar dhe kemi marrë për obligim që të korrigjojmë të gjitha tekstet në të cilat janë konstatuar gabime në të kaluarën, apo edhe tani konstatohen ose në të ardhmen që mund të konstatohen. Në një fazë të më vonshme të gjitha tekstet shkollore të cilat ka nevojë që të korrigjohen do të jenë objekt i shqyrtimit i korrigjimit nga ana ynë, dhe do të ndërmarrim të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme në këtë drejtim".

"Unë ndaj mendimin se tekstet shkollore nuk duhet të kenë përmbajte me të cilat nxitet urrejtje, me të cilat nxiten tensione , përkundrazi tekstet shkollore duhet të reflektojnë realitetin qoftë në kontekstin historik ose qoftë në atë përmbajtësor, shkencor ose metodologjik”, thotë Ademi.

Por, ekspertët thonë se librat e gjeografisë menjëherë duhet të largohen nga duart e nxënësve me ç`rast kërkojnë të formohet një Komitet i përbashkët mes Maqedonisë-Shqipërisë dhe Kosovës sipas modelit të marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe së fundmi Maqedonisë dhe Greqisë me ç`rast Maqedonia obligohet të formojë një komision në nivel ekspertësh për të eliminuar të gjitha çështjet kontestuese.

Avzi Mustafa, nga Unioni i Intelektualëve Shqiptarë konsideron se eliminimi i teksteve me përmbajtje do të jetë në dobi edhe të afrimit të komuniteteve që jetojnë në Maqedoni.

“Kjo që sot ekziston si përmbajtje në tekstet shkollore në të vërtet është për tu habitur dhe tek bashkëkombasit tanë ,përkatësisht tek bashkëqytetarët tanë, maqedonasit, po ndikon në mënyrë jo të pëlqyeshme, kështu që ata fillojnë të kërkojnë mekanizma që të mbrohen nga ajo që lexojnë në tekstet shkollore”, thotë Mustafa.

Nga ana tjetër, Mel Uka, mësimdhënës në gjimnazin e Gostivarit për Radion Evropa e Lirë thotë se lënda e historisë dhe ajo e gjeografisë janë ato ku më së shumti është manipuluar me fakte.

“Kjo ndikon keq në dhënien dhe edukimin e gjeneratave të reja. Historia është shfrytëzuar si hapësirë ku ata ( historianët maqedonas) për të imponuar konceptin e këndvështrimit të tyre të historisë. Në Ballkan, historia më shumë është një dogmatizëm ideologjik sesa një studim i mirëfilltë që duhet të merret si referencë për përpilimin e teksteve shkollore, andaj duhet të përfshihen dhe institucionet përkatëse të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare veçanërisht në përpilimin e përmbajtjeve që kanë të bëjnë me historinë kombëtare që u servohet nxënësve shqiptarë dhe atyre maqedonas”, thotë Uka

Rishikimi i teksteve shkollore është i lidhur ngusht dhe me realizimin e referendumit suksesshëm, që i hap rrugë ndryshimeve kushtetuese me këtë dhe ndryshimin e emrit të shtetit dhe ndryshimin e teksteve shkollore./rel

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...