Maqedoni, ende problem pjesëmarrja në referendum

Maqedonia

Maqedoni, ende problem pjesëmarrja në referendum

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 17:31
Pjesëmarrja deri në orët e pasditës nuk shihet si e kënaqshme.

Në Maqedoni po zhvillohet referendumi për ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Mbi 1 milion e tetëqind mijë votues janë të regjistruar, ndërsa gjysma e tyre duhet të dalë në votime dhe pak mbi 450 mijë të votojnë pro, që referendumi të quhet i vlefshëm. Është njoftuar për incidente të vogla të cilat mesa duket nuk ndikojnë në ecurinë e votimit.

Pjesëmarrja deri në orët e pasditës nuk shihet si e kënaqshme.

Marrëveshja me Greqinë që u arrit në qershor të këtij viti, u dha fund grindjeve rreth emrit, gjë që kishte penguar Maqedoninë të afrohej me institucionet më të rëndësishme perëndimore që nga pavarësimi i saj në vitin 1991.

Greqia ka krahinën e saj veriore me emrin Maqedonia, ndërsa emrin e fqinjit të saj verior e vlerësonte pretendim mbi territoret e saj. Athina u vuri veton përpjekjeve të Maqedonisë për t'u anëtarësuar në NATO dhe BE dhe e detyroi atë të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara me emrin Republika ish Jugosllave e Maqedonisë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se pranimi i emrit është një çmim i arsyeshëm pë anëtarësim në NATO dhe BE. Por kundërshtarët e tij nacionalistë thonë se kjo do të dëmtojë identitetin etnik të shtetit me shumicë sllave. Presidenti Gjorge Ivanov tha se do të bojkotojë referendumin.

Kutitë e votimit për rreth 1.8 milionë votues u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura për 12 orë. Pyetja në fletën e votimit është : A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke e përkrahur marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë?

Që referendumi të jetë i suksesshëm, të paktën 50 për qind e votuesve duhet të marrin pjesë dhe shumica e tyre të votojë në favor të ndryshimit të emrit.

Shqiptarët me rol shumë të rëndësishëm për referendumin

Shqiptarët e Maqedonisë, që përbëjnë rreth 25 për qind të popullsisë po marrin pjesë në referendumin për emrin e ri. Në qytetin e Tetovës, votuesit shqiptarë thanë se referendumi është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

“Votova, kam votuar për. Është një ditë e rëndësishme për këtë shtet dhe më vjen mirë që ne shqiptarët unanimisht jemi për dhe të tregojmë se dimë dhe ta ruajmë dhe ta duam këtë shtet më tepër se ata tjerët që thonë se shteti është i tyre”,tha Xhevat Hyseni, pensionist nga qyteti i Tetovës.

“Ky referendum për shqiptarët e Maqedonisë është shumë me rëndësi sepse njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet problem i Maqedonisë se nga po ecë, në drejtim të perëndimit. Ne kemi qenë gjithmonë për NATO dhe Bashkimin Evropian”,tha Jusuf Saiti, qytetar nga Tetova.

“Kjo ditë, apo ky referendum për shqiptarët është shumë i rëndësishëm për shkak se ne si pjesë përbërëse e këtij shteti gati që 20 vite kemi qenë të mbyllur, të izoluar nga bota progresive demokratike evropiane dhe me këtë ndryshim që ndoshta do të ndodh besojmë që edhe ne do të kemi perspektivë sikur popujt tjerë evropianë”,tha Rusni Zairi nga Tetova.

Edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare po u bëjnë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në referendum, si mundësi për të çuar përpara aspiratat evropiane të shqiptarëve.

Udhëheqësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se votimi është një moment historik për Maqedoninë.

“Jemi angazhuar që nga një tetori që Maqedonia të jetë pranë vendeve ku aspirojmë ne, pranë vendeve të Bashkimit Evropian. Sigurisht është dhënë shumë mund jo vetëm nga partitë politike, por të gjithë kanë qenë njëzëri tash e 15 viteve të fundit në veçanti që vendi ynë të jetë anëtarë i denjë i Bashkimit Evropian por edhe njëherësh pjesë e aleancës së NATO-s”, tha zoti Ahmeti.

Edhe Tirana e Prishtina zyrtare u kanë bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të marrin pjesë në referendum për ta mbështetur marrëveshjen./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat