Pse njerëzit duan që Justin Timberlake t’i kërkojë ndjesë Britney Spears-it

Mediale Vip

Pse njerëzit duan që Justin Timberlake t’i kërkojë ndjesë Britney Spears-it

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 07:35
Britney Spears, Justin Timberlake

Marrë shkas nga dokumentari Framing Britney Spears, adhuruesit e artistes po i kërkojnë ish-it të saj, Justin Timberlake, që ky i fundit t’i kërkojë falje yllit të pop-it, për mënyrën se si ai e trajtoi ndarjen e tyre. Dokumentari nxjerr në pah anën e errët të jetës së një ikone, duke nisur nga fillesat e karrierës së këngëtares 39-vjeçare, për të vazhduar me shembjen e mitit të saj në vitin 2007 si dhe ndikimin e babait konservator, Jamie.

Teksa ndodhitë që trajtohen janë të shumta, një pjesë e mirë e shikuesve të këtij projekti kinematografik ndalen te ndikimi i jashtëzakonshëm që pati Justin në njollosjen e figurës së saj, pas ndarjes së tyre në 2002-shin, ku përmes këngës “Cry Me a River”, muzikanti shtoi akoma më shumë dyshimet për një tradhti të mundshme dhe të shumëpërfolur nga ana e Britney-t. Po kështu, një sulm virtual ka nisur edhe ndaj gazetares Diane Sawyer, për intervistën e bujshme me Britney-n, vite më parë.

Përgjatë viteve të adoleshencës, Spears do të përflitej tejmase, nisur nga deklarata e saj ku thoshte se ishte e virgjër dhe kishte ndërmend të qëndronte e tillë. Lidhja me Justin-in dhe bërja publike do ta gjente Britney-n të shënjestruar përgjatë intervistave të shumta, në të cilat ngacmohej rreth çështjes në fjalë.

Këngëtarja do të pranonte se pas dy vitesh lidhje kishte kryer marrëdhënie seksuale me Justin-in. Ndarja nga ky i fundit do ta bënte Britney-n përgjegjësen e vetme. Në vitin 2003, në një intervistë për Diane Sawyer, ikona e muzikës do të pyetej:

“Çfarë bëre?”

Më tej, gazetarja u shpreh se nëse do t’i jepej mundësia, do ta qëllonte me shuplakë Britney-n, deklaratë për të cilën kërkoi ndjesë publike. Diane do të përpiqej t’i justifikonte fjalët duke thënë se reagimi erdhi në fakt prej rrobave ekstravagante të artistes, duke i konsideruar një ndikim të keq për fëmijët. Diçka e tillë e shtyu Britney-n të jepte një kundërpërgjigje:

“Nuk jam këtu për të bërë dadon e fëmijëve të saj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat