Michael B. Jordan mund të rikthehet në “Black Panther 2”

Mediale Vip

Michael B. Jordan mund të rikthehet në “Black Panther 2”

Më: 3 maj 2021 Në ora: 06:22
Michael B. Jordan

Aktori Michael B. Jordan së fundmi ka bërë të ditur se ka mundësi që do të rikthehej në rolin e të ligut Erik Killmonger në filmin “Black Panther 2”.

Edhe pse Killmonger vdiq në fund të filmit të parë “Black Panther” më 2018, nuk do të ishte e pazakontë që një personazh i një ngjarjeje me superhero, si ai i Jordanit, të rikthehej në jetë.

Më parë ishte konfirmuar pjesa e dytë e “Black Panther”, por pas vdekjes tragjike të yllit Chadwick Boseman vitin e kaluar, mbetet mister se si historia dhe personazhi i tij heroik mbreti T'Challa, do të shfaqen.

Studioja filmike, Marvel, ka konfirmuar më parë se askush nuk do ta luajë rolin e Bosemanit si T'Challa dhe ka hedhur poshtë mundësinë e përdorimit të truqeve digjitale.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin në radio “Sirius XM”, Jordan u pyet se sa e mundshme do të ishte që fansat ta shihnin duke e luajtur përsëri Killmongerin, në një shkallë nga një në 10, ku 10 ishte shumë e mundshme dhe një aspak. “Do të thosha dy e fortë”, ka thënë 34-vjeçari Jordan, duke buzëqeshur. “Nuk doja të thosha zero! Kurrë mos thuaj kurrë. Nuk mund ta parashikoj të ardhmen. Dy tingëllon mirë, mendoj”.

Ryan Coogler do të jetë përsëri skenaristi dhe regjisori i vazhdimit.

Është raportuar se filmi do të nderojë Chadwick Bosemanin dhe portretizimin e tij si T'Challa, si dhe do të eksplorojë botën e Wakandas.

Lupita Nyong'o, Winston Duke, Angela Bassett dhe Letitia Wright pritet që të rikthehen për filmin e ri, i cili është planifikuar të shfaqet në kinema më 8 korrik 2022. Në intervistë, Jordan ka ndarë hollësi të vogla që di për filmin e ardhshëm “Black Panther 2” dhe se është i sigurt se shkrimtari dhe regjisori Ryan Coggler, do të ofrojë drejtësi për Bosemanin dhe karakterit të tij.

“Sinqerisht nuk di shumë”, ka thënë Jordan. "Gjithë çka di është se po e jetësojnë një skenar që është pasqyrim i shumë rrethanave dhe tragjedisë me të cilën luftuam vitin e kaluar.

“E di që Ryan dhe Marvel do ta japin më të mirën për ta realizuar historinë në një mënyrë që të gjithë të jenë të lumtur dhe të kënaqur dhe ta nderojë Chadin dhe të ecë përpara me krenari”, ka thënë ylli. Xhirimet për filmin “Black Panther 2” është planifikuar të nisin në korrik të 2021-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat