Masat e reja/ Afrim Muçiqi vjen me një thirrje për familjet që kanë dasma: Njoftoni dasmorët se...

Mediale Vip

Masat e reja/ Afrim Muçiqi vjen me një thirrje për familjet që kanë dasma: Njoftoni dasmorët se...

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 23:48
Afrim Muçiqi

Ditën e sotme, në një konferencë për medie, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia propozoi që të ketë masa të reja për shkak të rritjes enorme të rasteve me Covid-19.

Ministri tha se nga data 20 deri më 1 shtator gastronomia të funksionojë deri në ora 22:30 ose 23:00, si dhe e njëjta vlen edhe për sallat e dasmave, hotelet, restorantet, qendrat tregtare dhe restorantet brenda tyre, ndërsa nuk do të ketë kufizim të lëvizjes.

Në një prononcim Drejtori i Departamentit të Estradës, Afrim Muçiqi u shpreh se ka qenë pjesë e takimit dhe kanë rëndë dakord së bashku për këto masa.

“Pjesë e takimit isha edhe unë dhe ramë dakord që klubet e natës të mbyllen tërësisht deri me datën 1 shtator, ndërsa gastronomia dhe sallat e dasmave do të funksionojnë deri në ora 22:30. Në sallat e dasmave nuk do të lejohen më shumë se 150 persona të cilët duhet të jenë të gjithë të vaksinuar ose me test PCR, dhe përfundimi i ahengut do të jetë në ora 22:30”, tha fillimisht Afrim Muçiqi.

Por, sa i përket pjesës si këngëtar dasmash e ahengje të ndryshme familjare, Muçiqi tha se kjo mbyllje i ka dëmtuar muaj me radhë.

“Ne kemi qenë të dëmtuar 600 ditë, pra para se të filloj kjo mini-sezonë, mirëpo duke pasur parasysh rritjen enorme të rasteve, shëndeti i njerëzve është mbi të gjitha”, shtoi tutje këngëtari.

Ai gjithashtu u bëri thirrje dasmorëve që të njoftojnë të ftuarit e tyre që të jenë me test PCR, ose me çertifikatë të vaksinës për të qenë pjesë e ahengut.

“Ne do ta respektojmë çdo vendim Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-së, kështu që apelojmë të gjithë dasmorët që t’i njoftojnë të ftuarit e tyre që duhet të kenë testin apo çertifikatën e vaksinës, dhe se çdo gjë përfundon në ora 22:30, dhe duhet të merremi vesh që dasma të filloj në ora 17:00, pasi duhet t’i përshtatemi kushteve të momentit”, përfundoi Muçiqi.

Theksojmë se ministri, Vitia do t’i propozojë nesër (18 gusht 2021) Qeverisë së Kosovës miratimin e këtyre masave të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat