Diletta Leotta pranon ndarjen nga Can Yaman, por vazhdon të jetë e dashuruar

Mediale Vip

Diletta Leotta pranon ndarjen nga Can Yaman, por vazhdon të jetë e dashuruar

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 19:15
Diletta Leotta, Can Yaman

Prej kohësh përflitet për ndarjen e aktorit turk Can Yaman, nga prezantuesja italiane, Diletta Leotta. Megjithatë, çifti ka preferuar të qëndrojë në heshtje. Mungesa e Can në festën e ditëlindjes së Diletta-s, duket se në mënyrë të tërthortë i konfirmoi zërat e ndarjes. Por vetëm tani Diletta ka folur për këtë çështje në emisionin Verissimo, ku ka pranuar ndarjen, e megjithatë rrëfeu se është akoma e dashuruar.

"Me Can ishte një histori e bukur, një ëndërr, një përrallë, dashuri në shikim të parë," -tregon ajo, duke folur në kohën e shkuar, por duke përsëritur se ka akoma dashuri, edhe pse tani janë larg. "Ne jemi dy 30-vjeçarë që u takuam, e deshëm njëri-tjetrin, u përpoqëm të jetonim këtë pasion të madh. Ne të dy jemi shumë pasionantë, ndoshta ai edhe më shumë se unë, dhe ishte gjithçka shumë e shpejtë, shumë e bukur. Jeta reale është në anën tjetër të ekranit dhe kjo ishte e vështirë të mbahej intime."

Gjithçka dukej se ndodhi shumë shpejt në historinë mes saj dhe aktorit turk. Propozimi për martesë erdhi pas një muaji njohje. Sidoqoftë, nuk ishte një histori e studiuar dhe inskenuar, siç kanë menduar shumë. Këtë gjë Diletta Leotta e qartësoi për të gjithë.

"Kushdo që mendon se dashuria mund të programohet, planifikohet, nuk e di se çfarë është dashuria. Dashuria ndodh! Mua më ka ndodhur të dashurohem, nuk e di nëse u ka ndodhur ndonjëherë atyre që i thonë këto gjëra”, -u shpreh ajo.

Gjithashtu prezantuesja nuk e fsheh faktin që vazhdon të jetë e dashuruar.

"Kur je e dashuruar, humb qartësinë, humb sigurinë, humb mendjen, humb kontrollin, gjëra që nuk më kanë ndodhur kurrë më parë. Dhe ndonjëherë, gjithashtu humb dashurinë," -shprehet Diletta.

Ajo e mbylli duke thënë se për të ardhmen shpreson të gjejë një ekuilibër në jetën e përditshme me veten dhe pastaj t’ia japë këtë ekuilibër personit që do.

Me pak fjalë, dashuri ka akoma dhe si rrjedhojë shpresa për një ribashkim nuk është shuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat