Harry Styles me album të ri

Mediale Vip

Harry Styles me album të ri

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 12:34
Harry Styles

Ylli 27-vjeçar i muzikës, Harry Styles, do ta lansojë albumin e tij të tretë të incizuar në studio, kah fundi i marsit të vitit 2022. Kështu ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i studios incizuese “Sony Music”, Rob Stringer.

Albumi i fundit i publikuar nga ish-anëtari i grupit “One Direction” ishte ai i vitit 2019, “Fine Line”, dhe nga atëherë Styles është fokusuar më shumë në karrierën filmike duke luajtur në projekte të tilla si, “Don’t Worry Darling”, “My Policeman” dhe “Eternals”, ku e ka një rol të vogël.

Besohet se Harry ka punuar rreth albumit të ri nga fillimi i vitit 2020, dhe një burim i afërt i këngëtarit për gazetën “The Sun” deklaroi: “Harry i kishte shkruar disa këngë të reja para se të shpërthente pandemia. Si rezultat i krizës shëndetësore, planet për të shkuar në studio dhe për të punuar u pezulluan përkohësisht, por shumica e këngëve të reja përfunduan duke u incizuar në Britani të Madhe. Aktualisht, hollësitë e sakta rreth albumit janë duke u mbajtur në fshehtësi, por së shpejti pritet të vendoset se cilat këngë do të jenë pjesë e incizimit të radhës së këngëtarit. Harry është shumë i emocionuar për realizimin e këtij albumi”.

Ylli britanik i muzikës, së fundmi e përmbylli turneun “Love on Tour” i cili i përfshiu 42 koncerte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ua bëri të ditur fansave se do të rikthehet në skenë shumë shpejtë me të tjera performanca.

“Faleminderit për 42 netë të veçanta. Ka qenë një privilegj të performoja për ju këta muajt e fundit. Për grupin, ekuipazhin dhe të gjithë ata që punuan në këtë turne, ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime. Energjia që e sollët kësaj here më ka lënë të ndihem plotësisht i pushtuar nga gëzimi dhe lumturia. Për fansat dhe të gjithë ata që erdhën për t’i ndjekur koncertet, ju falënderoj shumë. Ju e bëtë të mundur gjithë këtë eksperiencë të bukur dhe unë kurrë nuk jam ndier kaq sinqerisht i mbështetur. Nuk mund ta them sa duhet, por jeni adhurues të mrekullueshëm. Ky turne dukej si festë e rikthimit së bashku. Nuk do ta harroj kurrë. Faleminderit të gjithëve për dashurinë dhe do të shihemi shumë shpejt. Trajtoni njerëzit me mirësi. Lamtumirë për tani. Ju dua të gjithëve”, kishte shkruar Styles në mesazhin e tij të postuar në Twitter.

Harry Styles shquhet si një prej këngëtarëve më të pëlqyer nga fansat anembanë botës, me hite të shumta prapa vetes si: “Sign of the Times”, “Adore You”, “Falling”, “Watermelon Sugar” dhe të tjerë.

Aktualisht ai është në lidhje dashurie e aktoren e shndërruar në regjisore, Olivia Wilde.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat