Pas 10 vitesh zbulohet kushti që Mbretëresha Elizabeth kishte për të luajtur krah Daniel Craig në një skeç për “Lojërat Olimpike”

Mediale Vip

Pas 10 vitesh zbulohet kushti që Mbretëresha Elizabeth kishte për të luajtur krah Daniel Craig në një skeç për “Lojërat Olimpike”

Më: 17 prill 2022 Në ora: 10:09
Daniel Craig, Mbretëresha Elizabeth

Ashtu si çdo agjent sekret, James Bond (Daniel Craig) i luan letrat afër gjoksit, kështu që ai ishte një aleat kyç kur Mbretëresha donte të mbante të fshehtë paraqitjen e saj në Ceremoninë e Hapjes së Lojërave Olimpike në Londër 2012. 

Mbretëresha pranoi të shfaqej përkrah tij vetëm me kushtin që kjo të ishte një surprizë për pjesën tjetër të familjes mbretërore. Për të njëjtën arsye, edhe kabineti i David Cameron u mbajt jashtë loje.

Detajet e sekretit u zbuluan në BBC Radio sot, kur shënohet dhjetë vjetori i”Lojërave Olimpike” në kryeqytetin anglez. Sam Hunter, menaxher, tregoi: “Mbretëresha nuk i tha familjes së saj se çfarë po bënte. Ky ishte një nga kushtet, që ajo pranoi të ishte pjesë e skeçit.”

Skeçi – i ndjekur nga më shumë se një miliardë njerëz– u shfaq menjëherë përpara hyrjes së Mbretëreshës në Stadiumin Olimpik.

Shikuesit panë Craig duke mbërritur në Pallatin Buckingham me një taksi dhe Mbretëreshën duke e përshëndetur atë me fjalët: ‘Mirëmbrëma, zoti Bond.‘ Skena e paharrueshme përfundoi me interpretues profesionistë, që u hodhën nga helikopteri me parashutë në stadium. Pak minuta më vonë, Mbretëresha mbërriti në Royal Box me të njëjtën veshje si parashutistja.

Producenti ekzekutiv Stephen Daldry, tregoi sot: “Pjesa më e vështirë ishte se nuk mund të flisje me Kabinetin sepse ishte sekret dhe nuk e dije se si do e ruanin ata.” Daldry kujtoi gjithashtu se iu desh t’i jepte një shuplakë Muhammad Ali –i cili ishte pothuajse pa ndjenja për shkak të ilaçeve që kishte marrë për Parkinsonin– që të çohej dhe të dilte në skenë.

Vetë Daniel Craig ka zbuluar se Mbretëresha Elizabeth është ‘shumë gallat’ dhe se ajo kishte bërë një batutë me të kur ai nuk kishte qeshur gjatë takimit të tyre në vitin 2012. ”Shumë e qeshur, shumë njeri me sens humori. Ajo do të bëjë shaka dhe shkëmbeu batuta dhe me mua. Ne po bënim një foto dhe ajo thjesht tha: “Oh jo, është ai, ai që nuk buzëqesh”.”– tregoi Craig pak kohë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat