Pas 50 vite të publikimit, aktorët e “Romeo and Juliet” padisin Paramount Pictures

Mediale Vip

Pas 50 vite të publikimit, aktorët e “Romeo and Juliet” padisin Paramount Pictures

Më: 5 janar 2023 Në ora: 17:39
“Romeo dhe Zhulieta (Romeo and Juliet)”

Yjet e filmit fitues të Oscar-it të vitit 1968, “Romeo dhe Zhulieta (Romeo and Juliet)” po padisin “Paramount Pictures” për abuzim seksual për një skenë nudo në të cilën u shfaqën.

Leonard Whiting dhe Olivia Hussey ishin adoleshentë kur xhiruan filmin. Në një çështje të re ligjore, aktorët anglezë, tani në të 70-at, pretendojnë se regjisori Franco Zeffirelli i inkurajoi ata të bënin skena nudo pavarësisht garancive të mëparshme se nuk do të duhej të xhironin skena të tilla.

Dy aktorët po kërkojnë dëmshpërblim prej më shumë se 500 milionë dollarësh, bazuar në vuajtjet që ata thonë se kanë përjetuar dhe të ardhurat e sjella nga filmi që nga publikimi i tij. Ata pretendojnë se Zeffirelli, i cili vdiq në vitin 2019, fillimisht u tha atyre se do të vishnin të brendshme me ngjyrë mishi në skenën e dhomës së gjumit.

Por në mëngjesin e xhirimit, ata pretendojnë se regjisori u tha se do të vishnin vetëm grim trupi, ndërsa i siguroi se kamera do të pozicionohej për të mos treguar lakuriqësi.

Në filmin e fundit, të pasmet e zhveshura të Whiting dhe gjoksi i zhveshur i Hussey u shfaqën shkurtimisht gjatë skenës. Zeffirelli u tha atyre se duhet të aktronin nudo “përndryshe skena do të dështonte” dhe karriera e tyre do të dëmtohej”, pretendojnë dyshja në padi. Aktorët “besonin se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të aktronin nudo me grim trupi siç kërkohej”.

Whiting atëherë ishte 16 vjeç dhe tani është 72 vjeç, ndërsa Hussey ishte 15 vjeç kur u xhirua filmi dhe tani është 71 vjeç. Dyshja kanë paditur Paramount për abuzim seksual, ngacmim seksual dhe mashtrim.

Padia akuzon studion e Hollivudit për shfrytëzim seksual të dy aktorëve të rinj dhe shpërndarjen e imazheve nudo të fëmijëve adoleshentë. Deklarata gjyqësore thotë se Whiting dhe Hussey kanë pësuar dëmtime emocionale dhe ankth mendor për dekada të tëra si rezultat i mënyrës se si u trajtuan.

Filmi ishte një sukses i madh në atë kohë, dhe që atëherë u është shfaqur brezave të studentëve që studiojnë shfaqjen e Shekspirit. Ai u nominua për katër Oscar, duke përfshirë regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë, dhe fitoi dy – për kinematografi dhe kostumografi.

Padia u ngrit të premten në Gjykatën e Lartë të Santa Monica-s sipas një ligji në Kaliforni që ka pezulluar përkohësisht statutin e kufizimeve – që do të thotë se masat normalisht nuk mund të ndërmerren pasi të ketë kaluar një kohë e caktuar – për abuzimin seksual të fëmijëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat