Modelja ekstradohet pas mashtrimeve romantike $2mln ndaj amerikanëve të moshuar

Mediale Vip

Modelja ekstradohet pas mashtrimeve romantike $2mln ndaj amerikanëve të moshuar

Më: 15 maj 2023 Në ora: 21:39
Accra

Një modele e rrjeteve sociale nga Gana është ekstraduar së fundmi nga Britania në SHBA pasi i ka zhvatur më shumë se $2 milionë amerikanëve të moshuar burra e gra, në një skemë të djallëzuar të njohjeve romantike në rrjet, thanë sot prokurorët.

Mona Faiz Montrage, 30 vjeçare nga Accra, Gana, doli para gjykatës së Manhattan për një seri mashtrimesh romantike ku shënjestroheshin njerëz të moshuar që jetonin vetëm, thanë prokurorët.

Ajo refuzoi akuzat dhe pritet të lirohet në arrest shtëpie në rezidencën e të afërmve në New Jersey, me një mjet monitorimi që do të majë në kavilje, siç konfirmonin prokurorët për mediat amerikane.

Montrage — e cila ka rreth 3.4 milionë ndjekës në Instagram te faqja e saj Hajia4Reall, është e përfshirë me një seri mashtruesish profesionistë nga Afrika Perëndimore që me anë të identiteteve të rreme bënin njerëzit të besonin se ishin në një lidhje romantike me modelen duke përdorur shkëmbime email-esh, tekstesh dhe mesazhesh në rrjetet sociale, thanë prokurorët federalë amerikanë.

Mashtruesit më pas nxisnin viktimat e tyre të transferonin para me pretendime të ndryshme të rreme — si për shembull për të transferuar flori nga jashtë në SHBA, ose për të zgjidhur hetime të dyshimta nga FBI.

Në një prej rasteve, Montrage arriti të gënjejë një prej viktimave për t’i dërguar $89,000 me anë të 82 transferimeve bankare me pretekstin se po ndihmonte fermën e babait të saj në Gana, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Ajo raportohet se bindi një person se ishin të martuar duke i dërguar një çertifikatë martese të fiseve tribale, pas një serie bisedash telefonike ku kishte përdorur identitetin e saj të vërtetë, thuhet në akuza.

Montrage kishte përfituar para nga shumë të tjerë që ishin zhvatur nga mashtruesit profesionistë të rrjetit të saj, akuzojnë prokurorët.

Në total, Montrage kishte arkëtuar $2 milionë në fonde nga viktimat me llogari bankare në  Bronx dhe vende të tjera rreth New York.

Më pas ajo paratë e zhvatura i pastronte duke investuar bashkë me bashkëpunëtorët e saj.

Mona Faiz Montrage ishte figura kryesore e një grupi konspiratorësh që shënjestronin amerikanët e vjetër me anë të gënjeshtrave romantike. “Këto gënjeshtra ishin shkatërrimtare si emocionalisht dhe financiarisht për viktimat e dobëta të mashtrimit”.

“Falë përpjekjeve të agjencive të ligjit Montrage u arrestua dhe është sjellë në Shtetet e bashkuara për t’u përballur me drejtësinë”, tha prokuroria.

Modelja e rrjeteve sociale, llogaria e së cilës është nga më të ndjekurat në Gana, u arrestua në fund të vitit të shkuar në Britani dhe mbërriti në SHBA të premten.

Montrage Akuzohet për mashtrim financiar, dhe konspiracion, në akuza që mund të sjellin deri në 20 burg.

Avokati i saj Adam Cortez tha se nuk do të pranojë akuzat dhe se nuk do të komentojë deri në sjellje të të tjera provave nga prokurorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat