Dojna Mema flet për largimin nga Top Channel: ‘Nuk u ndamë me shtrëngim duarsh’

Mediale Vip

Dojna Mema flet për largimin nga Top Channel: ‘Nuk u ndamë me shtrëngim duarsh’

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 11:27
Dojna Mema

Në fillim të shtatorit, Dojna Mema njoftoi se do të rikthehej në ekran, këtë herë në një televizion dhe format të ri. Ajo u bë pjesë e Syri Tv në emisionin “Piranjat”. E ftuar në programin “Natën me Aulonën”, Dojna foli për largimin jo dhe aq miqësor nga Top Channel.

E pyetur nga Aulona Musta se si ishte e mundur që Dojna u largua nga shtëpia mediatike ku u rrit profesionalisht, moderatorja u përgjigj:

“Ka shumë për të thënë [për largimin nga Top Media], por unë do të zgjedh që të mos them shumë, për dy arsye. Së pari, sepse jam njeri shumë mirënjohës nga natyra dhe ka qenë kompania që mua më dha dorën në një moment kur unë isha thjesht një vajzë që kishte dalë nga bankat e shkollës. Ata kanë besuar tek unë dhe panë talentin tek unë në një moment që unë isha thjesht studente. Së dyti, unë kam investuar shumë kohë në atë institucion dhe për respekt të kohës që kam kaluar aty brenda, do të zgjedh të mos flas.”

Në vijim, ajo shtoi:

“Nuk të gënjej dot dhe të them që jemi ndarë në kushtet më të mira, ashtu siç unë do të doja të ishte, me një shtrëngim dore, sepse nuk ka asgjë të keqe; janë disa cikle që për disa arsye nga më të ndryshmet, mund të mbyllen. Nuk ka ndodhur ashtu, por megjithatë jeta vazhdon.”

“Unë kur kthej sytë mbrapa, jam shumë e lumtur që kam qenë pjesë e asaj kompanie dhe që realisht kam bërë me shumë përkushtim dhe shumë dashuri gjithçka që kam bërë aty brenda. Jo vetëm kaq, por është kthyer në shtëpinë time të parë, jo të dytë, sepse unë rrija më shumë atje sesa në shtëpinë time reale,” u shpreh Dojna.

“Janë disa gjëra që unë do të doja t’i qëndronin prapaskenës, sepse mendoj që publiku po të dinte se ç’ndodhte në prapaskenë, nuk jam shumë e bindur nëse do të donte të shikonte televizor akoma,” përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat