Dojna Mema nuk ka nevojë për avokate, por parimet e saj po

Mediale Vip

Dojna Mema nuk ka nevojë për avokate, por parimet e saj po

Më: 5 janar 2024 Në ora: 19:59
Dojna Mema

Pse u inatosën disa persona të caktuar me deklaratat e Dojna Memës? Është një pyetje që po përpiqem t’i jap shpjegim këto ditë me polemikat e fundit të krijuara në rrjet pas intervistës së saj në “Oxygen”. 107 mijë views vetëm në kanalin e YouTube për 5 ditë ka arritur kjo intervistë 2 orë e gjatë, që shkaktoi polemika të shumta.

“Askush nuk është më i urryer se ai që thotë të vërtetën”-ka thënë Platoni dhe kjo teori mund të jetë ndoshta përgjigja e pyetjes sime.

Koncepti mbi të vërtetën mbetet relativ, përsa kohë flasim për besime të njerëzve që nuk bazohen mbi faktet empirike, por ato që tha Dojna janë sa bindje të sajat(dhe shumë të tjerëve), aq edhe fakte të mbështetura nga studime e ekspertë.

Së pari, jeta e paraqitur në mediat sociale është fasadë. Fakt!

“Ka personazhe publike sa të duash që ne i njohim dhe nuk kanë atë jetë. Është thjesht ajo që duan t’ju tregojnë dhe t’ju mashtrojnë. Mendoj se rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në krijimin e kësaj jetës shumë plastike, jetës që nuk është e vërtetë. Njerëz, nuk është e vërtetë, mos e besoni. Mendoj që kjo tendenca ka bërë që të jemi ku jemi sot dhe të krijojmë këtë jetën perfekte, luksoze, pa pyetur një herë veten nëse janë të lumtur këta njerëz, sepse qëllimi në jetë është të jesh i lumtur”.-tha Dojna, duke mos përjashtuar në asnjë moment që lumturia e vërtetë ekziston.

Enca shkroi se i vjen për të qeshur kur thonë “Mos u besoni rrjeteve sociale”, por vetë ajo është personifikim i kësaj teorie. Nuk kam parë ndonjë postim të vazove të kanabisit në Instagramin e saj. Apo të fotove të paedituara drastikisht… sorry not sorry Enca!

Mediat sociale - mediumi i parë masiv që lejon njerëzit të ndajnë publikisht mendimet, ndjenjat dhe jetën e tyre me të tjerët - janë joautentike. Nga fake-news, ndjekësit fals dhe gënjeshtrat e pafundme sidomos me zhvillimin e madh të AI, është e vështirë të dish kujt, çfarë apo ku t'i besosh.

Ajo që thotë Dojna se projeksionet e prodhuara nga mediat sociale janë ‘fake’ dhe të pavërteta mbështetet edhe nga studimet e panumërta. Një studim i kryer nga ‘Qendra Kërkimore Pew’ zbuloi se nga 72% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara që përdorin mediat sociale, pjesa më e madhe ndihen të detyruar të paraqesin jetën e tyre pozitivisht. Rritja e kulturës së influencerave ka rritur tendencën për paraqitjen e një jete fake në mediat sociale. Një studim nga ‘Bae et al.’ (2020) zbuloi se ata kanë më shumë gjasa të paraqesin një version të kuruar me kujdes të jetës së tyre, duke krijuar një ndjenjë të rreme lumturie. Kjo sjellje ndikon tek ndjekësit e tyre dhe vendos pritshmëri jorealiste për veten dhe të tjerët.

Së dyti, televizioni e ka humbur funksionin e tij dhe jo, televizioni nuk është për këdo.

“Mendoj që televizioni, sa më shumë kalon koha, aq më shumë degradohet. Përpos argëtimit, mendoj që është shumë e rëndësishme të ketë edhe emisione edukative. … Jo vetëm goca Instagrami. Nuk kam asgjë me gocat e Instagramit, por nuk ka shumëllojshmëri, ka vetëm goca Instagrami në televizionet shqiptare, apo djem të pasur, pa i pyetur se si e kanë bërë pasurinë.”- deklaroi Dojna.

Në këtë përfundim nuk ka arritur vetëm Dojna, por specialistë, profesorë e sigurisht edhe shikuesit. Filozofi, semiologu dhe shkrimtari i madh Umberto Eco e ka shkruar vite më parë diçka të të tillë mbi televizionin dhe modelet e tij. Më lejoni t’ju citoj një paragraf nga seria e eseve “Kronika të një shoqërie të lëngshme”, ku ai shkruante:

Besoj se me këtë e ka marrë një përgjigje edhe Fjorda Llukmani e cila në një status shkroi se

“Për sa kohë ishte në “Top Channel” s’doli të fliste për antivlera kurse tani që mund t’i ketë zënë vendin dikush që u bë i famshëm nga Instagrami i paska djegur kësaj….Ka ikur pra koha e televizionit, e dimë të gjithë. Është koha e rrjeteve sociale, aty është audienca më e madhe.”

Të gjithë e dimë që jemi në epokën e mediave sociale, por fakti që ke ndjekës dhe je shumë e mirë si blogere nuk të bën domosdoshmërisht figurë televizive dhe nuk është as pasaportë për të dalë në ekran. Sikur secili të bënte atë që di të bëjë më mirë? Këngëtarët të këndojnë, moderatorët të moderojnë dhe blogeret e Instagramit të bëjnë atë që dinë të bëjnë.

Roli i televizionit në shoqërinë moderne dhe impakti i tij në kulturën dhe mendimin e njerëzve ka qenë një shqetësim prej lindjes së tij. Televizioni mund të jetë një mjet i fuqishëm për komunikim, por edhe një mjet që duhet trajtuar me kujdes dhe kritikë për të shmangur manipulimin dhe pavetëdijësinë në konsumimin e informacionit.

Edhe Eco, ashtu si Dojna ka shprehur shqetësim se televizioni mund të kishte një rol në zbehjen e vlerave kulturore, duke sjellë një orientim drejt kulturës së masës në vend të promovimit të kulturës së thellë dhe të diversifikuar.

Së treti, njerëzit ndryshojnë/rriten/zgjedhin rrugë të ndryshme në karrierë dhe show nuk nxirret jashtë kontekstit.

Mes komenteve, ai që bëri zhurmë ishte edhe ai i ish-banores së Big Brother Rike Roçi në faqen e “Revista Class”.

“Harroi kjo që çuni i babit Fullani i vendoste 500 euro në ballë dhe i bëheshin sytë me zemra kësaj…i urrej vajzat që bëjnë si moraliste dhe pastaj nga mbrapa janë më keq.”-shkroi Rike.

Pikë së pari, ajo ka qenë një video-live në Instagram, jo e fshehtë. Pra, Dojna ka dalë në Instagram live me një të ftuar para qindra apo mijëra syve. Së dyti, gazetari a moderatori nuk mban përgjegjësi për veprimet e të ftuarve. Dhe në këtë rast ky veprim është nxjerrë nga konteksti.

Së treti, komentet lidhur me formatin e emisioneve të vjetra që ka bërë dikur Dojna: Të bësh emisioni showbizi dhe argëtimi, nuk është antivlerë dhe sërish nuk ia ndal të drejtën dikujt të ngrejë alarmin mbi degradimin e televizionit. Degradimi nuk vjen vetëm nga showbizi. Përkundrazi, nëse flasim për rolin e tij si media janë shumë kushte të tjera që vendosen në pikërpyetje, një prej të cilave u prek edhe në “Oxygen” siç ishte financimi, temë të cilës nuk dua t’i hy në këtë shkrim.

Vetë Dojna ka deklaruar se në këtë fazë të karrierës ka vendosur të ndryshojë profil dhe të shkojë drejtë gazetarisë investigative dhe Esmaja nuk e zbeh dot rëndësinë e gazetarisë investigative dhe problemeve që janë trajtuar në “Piranjat”. Në fakt pikëpyetja ime më e madhe nuk është se pse Dojna apo Prianjat trajtuan këtë histori, por pse u marrosën shqiptarët pas kësaj historie?

Dojna nuk ka nevojë për avokatinë time a të tjetër kujt. Por, mesazhet e saj me shumë të vërteta brenda kanë nevojë për mbështetje dhe brohoritje për një ndryshim a përmirësim në shoqëri dhe botën mediatike.

Deri atëherë po ju lë të meditoni mbi këtë pjesë shkëputur nga një fjalim i Faik Konicës në radio të Washington-it në 1933:

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me pa anësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat