Dojna dhe Vlashent, copëza ndjenjash

Mediale Vip

Dojna dhe Vlashent, copëza ndjenjash

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 21:12
Dojna dhe Vlashent

".....vetëm kur kuptonim që ora kishte shkuar 05:00 e mëngjesit. Flisnim gjithë natën për jetën, artin...për çdo gjë që dukej sikur e kuptonim vetëm ne të dy. Një ditë Vlashenti më pyet:' Si do ia bëjmë ne të dy?! Me ke ndryshuar rutinën...mendoj se duhet të takohemi dhe të kuptojmë se çfarë jemi.' Unë isha në një moment që nuk e mendoja se mund të krijoja një marrëdhënie, por..."

Siç e keni kuptuar tashmë, në këtë kopertinë do të flitet për dashurinë e tyre, për Dojnën dhe Vlashentin.

Pse zgjodhëm pikërisht Dojnën dhe Vlashentin në muajin e dashurisë?!

Image
Dojna dhe Vlashent

Jo sepse kanë histori shumë të veçantë dashurie, jo sepse kanë sfida, jo sepse kanë shumë vite bashkë, por për arsyen se ne i shohim si një model. Një model ndjenjash të pastra, pa komplekse, një model dashurie ku emocionet ndërthuren me artin, një model dashurie nga e cila krijohet një familje dhe nga e cila mund të përçohen mesazhe për shumë të tjerë.

Siç ishte duke shprehur më sipër, Dojna si fillim ishte konfuze. Kishte pak kohë që ishte ndarë nga një marrëdhënie e gjatë dhe ne vajzat e kuptojmë mirë këtë ndjesi.

Por një natë, si ato netët kur zemra është e shkëputur nga mendja dhe arsyeja, një mpirje të kaplon çdo qelizë, dhe ti vepron!

Në këtë rast Dojna veproi! Ishte një mesazh: Do doja të ishe këtu, tani! Dhe fjeti...

Dhe mesazhi i parë që ajo lexoi sapo u zgjua ishte:

"E preva biletën, në orën 13:00 jam në Tiranë."

Pas këtij mesazhi çdo gjë ndryshoi!

Konfuziteti pati një përgjigje që e jep vetëm ndjenja e dashurisë.

'Dojna, Dojna, Dojna, nuk do mjaftohem kurrë së thëni këtë emër...'

'Momenti kur Dojna gëzon, më duket sikur është momenti më i lumtur për mua.'

'Kur njoha Dojnën kuptova të gjitha copëzat që më mungonin deri në atë moment.'

Na pëlqejnë aq shumë këto deklarata nga një njeri i dashuruar, sa do të donim të dëgjonim më tepër, të përfshihemi në botëkuptimin e tyre të mirëfilltë për dashurinë dhe rrënjët e saj.

Çdokush dashuron ndryshe, por janë disa 'rregulla të pashkruara' ndjesish që nuk ndryshojnë. Kur i shohim të reflektuara në personazhe të njohur, duket sikur gjejmë përgjigje për shumë pikëpyetje që mund të kemi.

Vlashenti, një artist i mirëfilltë, pianist, tekstshkrues dhe kompozitor, këngëtar, i rritur në hijen e kulturës franceze dhe Dojna, një vajzë televizioni, gazetare dhe moderatore, e dashuruar me artin dhe të bukurën, mendjemprehtë dhe pasionante, të dy bashkuan copëzat e tyre dhe sot flasin për 5 vite dashuri dhe për Nolan Sol.

Para se të lexoni copëzat e Dojnës dhe Vlashentit, mos harroni se në momentin që keni në zemër këtë gjë të jashtëzakonshme të quajtur dashuri dhe ndjeni thellësinë, kënaqësinë, ekstazën e saj, do të zbuloni se për ju bota është transformuar!

Momenti kur kuptova që e doja shumë ishte....

Dojna: ...kur më erdhi natyrshëm të ndaja gjithçka me të. Çdo ngjarje të ditës time, çdo mendim, çdo problem ia tregoja Vlashentit të parit.

Vlashent: ..kur kuptova për herë të parë në jetë se nuk ishte e pamundur të tejkaloje veten për dikë. Ka dhe momente të tjera ende sot kur imagjinoj si mund të ishte bota pa të, e aty rikujtoj se sa e dua dhe e pazëvendësueshme është ajo për mua.

Çdo ditë ne gjejmë gëzim duke....

D & V:  Duke folur, duke u parë në sy, një batutë, apo djali që na futet në mes kur përqafohemi.

Image
Dojna dhe Vlashent

Kuptova që të dashurosh nuk është dhe aq e lehtë kur...

Dojna: ...jetuam për disa vite me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit dhe telefoni ishte e vetmja dritare për të qenë bashkë. Që atëherë e kemi urryer të flasim nëpërmjet një telefoni.

Vlashent: ...e ke të vështirë t'i përcjellësh partnerit qartë atë që ndjen. Është një lloj ushtrimi që të kërkon punë e mund çdo ditë.

Ndjehem shumë xheloz/e kur...

Dojna: Kur? Kurrë! Unë jam nga ata njerëz që besojnë fort se dashuria dhe xhelozia nuk mund të bashkëjetojnë.

Vlashent: Nuk e kam si ndjesi, aq më tepër në mënyrën se si perceptohet kuptimi i kësaj fjale. I vetmi moment që jam ndjerë xheloz ka qenë kur jemi njohur në fillim dhe numëroja orët që nuk ishim afër e ndihesha xheloz për kohën që nuk po kaloja me të. Xheloz për kohën që nuk e kisha në favor, quhet?

Kur e shoh përmes ekranit mendoj...

Dojna: ... se është lindur për të krijuar e dhuruar emocion pa kompromis.

Vlashent: ...sa me fat jam unë e njerëzit rreth meje që e kanë si model për ta dëgjuar. Edhe kur nuk mendojnë njëlloj, mjafton ta dëgjojnë si artikulon për të qenë dëshmitarë të një vajze që mund të ndryshojë botën.

Kujtimi që do të doja të përjetoja edhe një herë është....

Dojna: Propozimi për martesë nëse do të mund të ndryshoja rrethanat.

Kur e flisnim, gjithmonë i kisha thënë se do më pëlqente të ndodhte me shumë njerëz përreth. Pasi e përjetova në një vend shumë publik, kuptova se do të më pëlqente të kishim qenë vetëm ne të dy dhe Nolan Sol brenda trupit tim.

Vlashent: ...të gjitha nga e para, përveç humbjes së baballarëve përkatës.

Nëse do e përshkruaja marrëdhënien tonë me një fjalë, ajo është:

Dojna: ..e zhurmshme, ama shumë e plotë, në të gjitha dimensionet.

Vlashent: ...njerëzore, kokëfortë, guximtare.

Mërzitem shumë kur...

Dojna: ..var peshqirët nëpër dyert e shtëpisë. E sa më shumë i them mos ta bëjë, aq më tepër e bën.

Vlashent: Dojna është e mërzitur.

Jeta në çift pasi u bëmë prindër është...

Dojna: ...sfiduese, pasi duhet të gjejmë një kohë gjatë ditës ku të jemi vetëm ne të dy. Ama, është dhurata më e bukur që i bëmë njëri-tjetrit.

Vlashent: ...fantastike, sidomos në dy muajt e parë kur vetëm ne të tre u mbyllëm në shtëpinë tonë me njëri-tjetrin. U bëmë një qenie. Çdo ditë me Nolan Sol është një dhuratë dhe ne jemi të privilegjuar për ta jetuar. Fëmijët dinë të gjitha sekretet dhe vlerat e jetës, s'di çfarë na ndodh kur rritemi…

Nolan Sol i solli marrëdhënies tonë më shumë...dhe më pak..

Dojna: ...shumë qëndrueshmëri, emocione të forta, përgjegjësi, përkujdesje dhe më pak kohë për të dalë si një çift normal në një restorant apo bar.

Vlashent: ...më shumë dritë, mirësi, dashuri, ndoshta më pak kohë të cilën mundohemi ta gjejmë gjithashtu.

Tipari që më pëlqen gjithmonë edhe më shumë është...

Dojna: ...shpirti i aventurës dhe mendja më e bukur që kam njohur e më magjeps çdo ditë.

Vlashent: ...unë kërkoj ende ndonjë tipar që mos më pëlqejë tek Dojna dhe se kam gjetur. Për ato që më pëlqejnë s’di nga t’ia nis! Sytë më të bukur në botë, buzëqeshja si diell, guximi i një gruaje të fortë, brishtësia e shpirtit të pastër prej fëmije e mirësia e zemrës më të madhe që kam ndjerë!

Dhurata më e bukur që mund të merrja këtë Shën Valentin është...

Dojna: E marr çdo ditë, por për këtë Shën Valentin dhuratën më të bukur mund të ma bënte Nolan Sol që të mos thyente më televizorin.

Vlashent: ..një moment bashkë ku flasim, flasim e flasim se ndonjëherë koha si prindër nuk mjafton.

Nëse do flasim për projekte të reja, unë do të them vetëm që...

Dojna: ...po përgatis një podcast që më kthen tek thelbësorja.

Vlashent: ... po punoj për një « Zâ Fest » magjik dhe një tour tani afër në Amerikë.

Kur Nolan Sol ta lexoj një ditë këtë artikull, unë dua që ai ta dijë...

Dojna: ...se mami dhe babi janë krah tij në çdo zgjedhje, për sa kohë është i lumtur e i lirë.

Vlashent: ...se e duam me gjithë shpirt dhe se lutemi ta shohim gjithmonë të buzëqeshur e me dëshirë për jetë! Të don mami dhe babi, drita e syve tanë!

Ajo që nuk duhet të ekzistojë në marrëdhënien e një çifti është...

Dojna: Xhelozia. Dashuria duhet të të falë besimin se kudo dhe kurdo ai do të zgjedhë gjithmonë ty. Nëse kjo nuk ndodh, për mua nuk është dashuri!

Vlashent: ...dashakeqësia për tjetrin, rrjedhimisht edhe për veten.

Image
Dojna dhe Vlashent

A do e falja tradhtinë?! Epo....

Dojna: ..nuk mendoj. Familja është e shenjtë dhe si e tillë duhet të ruhet gjithmonë. Besimi tek njerëzit e shtëpisë na bën të hidhemi edhe mes flakëve për ta. Kur humbet besimi, shkatërrohen themelet! Kështjellat duan baza te forta për të qendruar në këmbë.

Vlashent: ... nuk e di a do ta tejkaloja ndonjëherë thyerjen e besimit. Asnjë njeri nuk i përket askujt, ama besa dhe dhënia e vetes në një marrëdhënie është e shenjtë. E këtu e kam për çdo raport që ka vlerë : në familje, shoqëri apo çift.

Për mua tradhti është edhe kur ...

Dojna: ...bën llogari, vendos interesin personal përpara familjes.

Vlashent:...fsheh të vërtetën, shkakton dhimbje me qëllim, vë veten para familjes.

Mendoj që problemi më i madh me djemtë sot është....

Dojna: ...që disa prej tyre nuk janë të lirë e të pavarur.

Vlashent: ..llastimi nga mamatë e tyre.Po ju flet një djalë shumë i llastuar nga mami dhe babi i vet.  Më është dashur të bëj shumë rrugë vetëm për të kuptuar pak më mirë realitetin që llastimi e mjegullon.

Por edhe vajzat kanë një problem që...

Dojna: ... presin të marrin më shumë seç japin. Sikur të mjaftonte vetëm fjalia : “Po unë jam vajzë, ti duhet ta bësh.."

Vlashent: ...nuk janë të lira, të pavarura.  I mësojmë vajzat që të jenë të kujdesshme, të bëjnë kujdes, të ruhen nga djem dhe harrojmë më të rëndësishmen: Ti mësojmë të jenë të zonjat e vetes e të lira për të zgjedhur çfarë i do zemra.

Nëse do ndryshoja diçka tek ai/ajo, është...

Dojna: Pa asnjë dyshim, kokëfortësia!

Vlashent: Kur acarohet dhe është gati të djegë me flakë çfarëdo që i del përpara hahaha.

Mënyra më e bukur për t'i thënë dikujt të dua, pa fjalë, është...

Dojna: ...të sakrifikosh në momente të vështira për të dhe të mos ia përmendësh kurrë.

Vlashent: ...ta ndiejë në mënyrën si e shikon, kohën që kalon bashkë me të dhe mbi të gjitha ta kuptojë në gjestet që ti bën çdo ditë.

Kur mendoj për të ardhmen gjëja e parë që më vjen në mendje është...

Dojna:  ...ne të dy, të moshuar duke udhëtuar botën me makinë. Në sfond këngët tona dhe dy duar të rrudhura që prapë kanë nevojë të preken.

Vlashent: Si do jetë Dojna...E kam imagjinuar para se ta njihja dhe tentoj ta imagjinoj sërish, a do kemi fëmije të tjerë dhe a do bëhemi me nipër e mbesa, a do kemi një shtëpi në fshat afër miqve tanë, por tani dua të shijojmë të tashmen pa bërë shumë plane.

Një mesazh dashurie për ty...

Dojna për Vlashentin: Të dua për mendjen që s’ka kufij dhe zemrën që s’njeh të keqen.

Të dua për të gjitha copëzat e tua!

Vlashenti për Dojnën: Ti je vetë dashuria! Je ajo që fal e nuk thua kur mërzitesh, por e kalon në heshtje për të mos lënduar askënd afër teje. Ti di të gjesh forcën gjithmonë për t’u ringritur e për t'i futur edhe dy batuta mbrapa momenteve të tua më të vështira.

Je e vogël dhe kaq e madhe! Je mijëra dimensionale e më ke bërë të mësoj kaq shumë.

Uroj të jem i mirë e të të bëj mirë gjithmonë.

Faleminderit që ti jeton dhe u shfaqe në rrugën time,pavarësisht sfidave. Jam njeriu më i lumtur kur të shoh ty të lumtur! Kujto gjithmonë se Vlashenti të ka ty dashurinë e jetës.

P.s : Je vajza më e bukur që ka kjo botë e të gjitha botët bashkë!

Image
Dojna dhe Vlashent
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat