Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e vëllait pas fjalosjes për t’ia ndalur zërin muzikës

Mitrovica

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e vëllait pas fjalosjes për t’ia ndalur zërin muzikës

Më: 4 prill 2024 Në ora: 10:03
Foto ilustrim

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i akuzuari Erdian Jahiroviq është deklaruar i pafajshëm për akuzën se e ka vrarë me thikë vëllanë e tij E.J.

“Nuk jam fajtor”, tha i akuzuari.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Jahiroviq e bëri pasi aktakuza u lexua nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Paraprakisht, gjykatësi i rastit Ali Kutllovci ia lexoi të akuzuarit të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.

Pasi i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Kutllovci e njoftoi atë se në afat prej 20 ditësh mund të paraqesë kundërshtimin e provave apo të bëjë kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Fillimisht, i akuzuari Jahiroviq deklaroi se pajtohet që ta ketë mbrojtëse sipas detyrës zyrtare, avokaten Albana Peci.

Për shkak të vonesës së prokurorit, seanca filloi një orë me vonesë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 25 mars 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Erdian Jahiroviq, i cili ngarkohet se më 5 nëntor 2023, në banesën e tij, në veri të Mitrovicës, me dashje e ka privuar nga jeta vllanë e tij – tani të ndjerin E.J, pas një fjalosjeje rreth ndaljes së zërit të muzikës.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Jahiroviq e kishte sulmuar viktimën me thikë të kuzhinës 5 herë nëpër trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur në Spitalin e Mitrovicës.

Me këtë, Jahiroviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri Erdian Jahiroviq, pa autorizim ka poseduar një pistoletë.

Me këtë, po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat