Counterpoint: Apple dominon në tregun e smartphonëve premium

Mobile

Counterpoint: Apple dominon në tregun e smartphonëve premium

Më: 18 prill 2019 Në ora: 23:11
Foto ilustrim

Sipas të dhënave më të reja nga Counterpoint Research, Apple ka shitur më së shumti telefona premium (me një çmim prej 400 dollarësh e më shumë) gjatë vitit 2018. Në listën top 5 e kemi një kompani të re, që është OnePlus dhe e cila është për herë të parë në këtë pozitë. Në përgjithësi, segmenti premium u rrit me 14% në nivel vjetor, pavarësisht faktit se tregu global i smartphonëve shënoi një rënie prej tre për qind, raporton GSMArena.

Prodhuesit kinezë Huawei, Oppo dhe OnePlus e kanë rritur praninë e tyre në treg, ndërsa Apple dhe Samsung e kanë humbur një pjesë të tregut.

Apple ende e dominon tregun me 51%, pasuar nga Samsungu me 22% dhe Huawei me 10%. Falë shitjeve të fuqishme të telefonave P20 dhe Mate 20, kompania kineze e arriti një rritje vjetore prej 97%. OnePlus arriti më së shumti në segmentin nga 400 deri në 600 dollarë, dhe kjo është kryesisht për shkak të shitjeve rekorde në Indi.

Tregu ultra premium (800 dollarë ose më shumë) ishte gjithashtu segmenti me rritjen më të shpejtë, ndërsa këtu dominimi më i madh është i kompanisë Apple – e cila i ka pothuajse 80% të telefonave të shitur. Raporti gjithashtu thekson se konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë më shumë për pajisjet për aq kohë sa mund t'i përdorin për një periudhë më të gjatë.

Hulumtuesit e presin një rritje të mëtejshme në tregun e smartphonëve premium falë pajisjeve të ardhshme 5G dhe fleksibile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat