Andrea Bocelli do të performojë në katedralen e zbrazët “Duomo”

Muzikë

Andrea Bocelli do të performojë në katedralen e zbrazët “Duomo”

Më: 8 prill 2020 Në ora: 17:46
Andrea Bocelli

Këngëtari italian i operës, Andrea Bocelli, ndryshe i njohur si një nga tenorët më të famshëm në botë, do të performojë në katedralen e zbrazët të Milanos, “Duomo”, të dielën më 12 prill. Koncerti i cili do të transmetohet live konsiderohet si simbol i dashurisë, shpresës dhe shërimit, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit e cila e ka goditur rëndë shtetin e Italisë.

Bocelli në këtë interpretim do të shoqërohet vetëm nga instrumentisti, Emanuele Vianelli, i cili do t’i bie një prej organove më të mëdha në botë.

Koncerti në fjalë do të transmetohet live në kanalin e tenorit Bocelli, në platformën muzikore YouTube, të dielën në ora 17:00, transmeton Koha.

“Jam i nderuar dhe shumë i lumtur t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së qytetit të Milanos, për të performuar në katedralen ikonike ‘Duomo’. Unë besoj në fuqinë e lutjes së përbashkët. Unë besoj në festën e Pashkëve e cila e simbolizon rilindjen dhe të gjithë ne, pavarësisht a jemi besimtarë apo jo, kemi nevojë për këtë,” citohet të ketë thënë Bocelli.

Italia që vazhdon të jetë në karantinë, e ka pësuar një prej goditjeve më të mëdha në botë nga COVID-19, si pasojë e së cilës rreth 16.523 njerëz e kanë humbur jetën dhe afërsisht 133.000 të tjerë janë prekur nga kjo sëmundje. Milano dhe regjioni në rrethinë Lombardy, janë më të ndikuarat nga kjo pandemi. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat