Ja cili ishte amaneti i Presidentit Rugova

Opinione

Ja cili ishte amaneti i Presidentit Rugova

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 23 janar 2019 Në ora: 09:41
Presidenti Ibrahim Rugova

21 janari rikthen në kujtesën tonë vdekjen e Presidentit Rugova, njeriu që bëri të mundur që bota të kuptonte për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë. Tanimë s`ka asnjë dyshim, kjo pranohet edhe nga ish kundërshtarët e tij se Rugova mbetet shqiptari më i madh i Kosovës i të gjithë kohërave. Duke kujtuar fjalët e tij të fundit, djali i presidentit historik Mendimi, në një televizion tonin tregoi se presidenti Rugova, edhe pse në gjendje të rënde shëndetësore la si amanet që “ të shkohet në Vjenë, që të kryhet kjo punë ( duke aluduar në pavarësi)”.

Pavarësia ishte njëra ndër tri shtyllat kryesore në të cilat presidenti Rugova e mbështeti filozofinë e tij politike. Kjo nënkuptonte që pavarësia si vullnet i shprehur në referendumin e vitit 1992 të realizohej, duke qenë kompromis maksimal dhe i vetëm i qytetarëve të Kosovës. Kjo shërbeu në orientimin dhe vizionin e shqiptarëve të Kosovës, duke sabotuar propagandën e Serbisë për gjoja “ Shqipëri të madhe” . Këtë propaganda Rugova e riktheu në favor të Kosovës, duke minimizuar kërkesën për Pavarësi si kompromis nga e cila nuk hoqi dorë asnjëherë. Në trembëdhjetë vjetorin e vdekjes  së Rugovës, amaneti i tij nuk u realizuar në tërësi, me tendencat e vazhdueshme për shkëmbim territoresh me çka edhe pavarësia de fakto do bie si kod i shtetësisë me mundësi të rihapjes së luftërave nacionale për bashkim të shteteve të ndryshme të Ballkanit.

Liria një tjetër shtyllë e përsëritur vazhdimisht nga presidenti Rugova nuk nënkuptonte vetëm clirimin nga Serbia, por edhe të qenit i lirë të arsimohesh, të krijosh biznes dhe të jetosh i ndershëm. Çka sot kjo nuk mund të themi se është tërësisht e realizuar, përveç se sot nuk jemi nën okupim. Gjithsesi liria si e drejtë  e garantuar me çdo kushtetutë sot tek ne nuk funksionon siç duhet, pasi liria e fjalës sot më shumë se kurrë është e cenuar.

Demokracia-shtylla e tretë, por jo më pak e rëndësishme, shënon atë që sot mungon realisht në vendin tonë. Demokracia sipas Rugovës nënkuptonte pluralizmin , shtrirjen e pushtetit tek populli, dhe respektimin e mendimit ndryshe. Te tri këto komponete përbëjnë atë që sot në shoqëritë demokratike njihet si Demokraci. Realisht, përmes kësaj krijohet qeverisje më e mirë, që sot na mungon. Brenda këtyre tri shtyllave sintetizoheshin të gjitha synimet që të kemi një Kosovë të lirë, të prosperuar dhe të avancuar drejt vlerave të BE, në zanafillën e Dardanisë. Ngado që të përpëlitet skena politike e vetmja rrugë e drejtë dhe  e duhur është orientimi në rrugën që e trasoi presidenti Rugova, rrugët tjera, siç po vazhdohet edhe sot, përveç që dëmtojnë qytetarët, njëkohësisht lind mundësia e zhbërjes së asaj që fal presidentit është arritur. Nuk guxojmë të ecim ndryshe, amanetin duhet ta qojmë tutje, koha ka treguar se në rrugën e Rugovës nuk do kemi vëllavrasje, urrejtje,  vjedhje të shtetit, por bashkim, uniteti dhe prosperitet. Liria, Pavarësia dhe Demokracia  janë tri shtyllat mbi të cilat Kosova duhet të qëndroj, ndryshe historia do përsëritet. Ligjërimi letrar i kodeve politika në diskursin e presidentit Rugova është manifestuar me shpalljen e pavarësisë, meritor i së cilën është vet Ai. Pjesa tjetër na mbetet neve ta realizojmë, që fatkeqësisht deri tani kemi dështuar. Rikthimi në vlerat rugoviane shënon edhe fillimin e fundit të errësirës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat