Besimi tradicional shqiptar dhe sistemet klerikë përjashtuese

Opinione

Besimi tradicional shqiptar dhe sistemet klerikë përjashtuese

Nga: Ahmet Asani Më: 5 qershor 2019 Në ora: 12:42
Ahmet Asani

Mendoj se problemi i përjashtimit të ndërsjellët mes besimeve është rezultat i krijimit të sistemeve klerikë përjashtuese! Në vend se të krijohet një sistem demokratik e pluralist i besimit, sistemet klerikë ndër shekuj për interesa klanore kanë krijuar sisteme përjashtuese moniste. Problemi përjashtues mes sistemeve klerikë të religjioneve është i ngjashëm me problemin e përjashtimit monist, teori dhe praktikë kjo në të cilin bazohet edhe ideologjia komuniste. Predikuesit e sistemit klerik islamik përjashtues, përjashtimin e arsyetojnë duke u thirr në "dialektikën kohore" të paraqitjes së besimeve, duke thënë se i pranojnë dy religjionet tjera Abrahamike, por nga dalja në skenë e Islamit, Krishterimi dhe Judaizmi shpallen të pavlefshëm apo si diçka që i takojnë të kaluarës!

Predikuesit e sistemit klerik përjashtues të krishterë, të ndodhur në mes, edhe ata në fakt thonë të njëjtën gjë, pranojnë Judaizmin si besim, para krishterimit por jo edhe Islamin. Edhe sistemi klerik përjashtues i Krishterë, për Judaizmin thotë të njëjtën gjë që thotë e predikon sistemi klerik përjashtues Islam për Krishterimin! Kurse sistemi klerik Judaist i rabinëve përjashton sikur Krishterimin ashtu edhe Islamin! Në një gjendje të tillë përjashtues, jo demokratike, që i kanë sistemet e tri besimeve Abrahamike, shqiptarët zgjidhjen e kanë gjetur në besimin në Zot, në dashurinë njerëzore, e vëllazërore, në dashurinë ndaj gjuhës e kombit, dhe kanë krijuar sistemet e tyre tradicionale, ku besimi në Zot është gërshetuar me vlerat shekullore të kulturës tradicionale kombëtare. Nuk ka popull në botë i cili në mënyrë më pedante e inteligjente ta ketë zgjidhur këtë problem të pazgjidhur siç e kanë zgjidhur shqiptarët. Përderisa popujt tjerë kanë bërë dhe ende bëjnë luftëra fetare, shqiptarët mysliman e të krishterë ndër shekuj kanë jetuar dhe jetojnë si vëllezër!

Pa hyrë shumë në pse-hin e përjashtimit mes sistemeve klerikë të religjioneve, shqiptarët kanë krijuar Besimin Tradicional Mysliman, Besimin Tradicional Katolik dhe Besimin Tradicional Ortodoks, formulë kjo e suksesshme e cila lidhet me fjalën e Vaso Pashë Shkodranit: “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria. Pra kjo formulë, për mendimin tim ka krijuar tolerancën ndër fetarë duke injoruar e tejkaluar interesat e sistemeve klerikë! Mjerisht, Besimi Tradicional Shqiptar shpesh ka ndodh të jetë i rrezikuar, siç po rrezikohet edhe sot nga qendrat e ndryshme të prodhimit të sistemeve ekstremiste klerikë përjashtuese.

Përjashtimi mes besimeve, për mendimin tim është futur si vi - RUS nga materialistët që nuk besojnë në asgjë hyjnore e shpirtërorë! Shqiptarët si popull i vogël, nuk e kanë fuqinë dhe mundësinë që t ‘mund ta zgjidhin këtë problem mbarë njerëzor, por mendoj se kodi i respektimit të ndërsjellë -pellazgo-iliro- shqiptar ndër shekuj, mund të merret si shembull unik për tolerancë të ndërsjellë mes besimeve të ndryshme.

Me këtë shkrim gjithë vëllezërve e motrave shqiptare të besimit Islam, ju uroj FESTËN E AGJERIMIT (Bajramin) duke ju dëshiruar e uruar shëndet e suksese në jetë bashke me vëllezërit e motrat e besimit katolik e ortodoks. Për fund shkrimin tim po e përfundojë me thënien e të madhit at Gjergj Fishta ku thotë : "Vërtetë në kemi Bajram e pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat