Lufta e UÇK-së fatkeqësisht nuk mbet e pastër atë e përlyen disa matrapaz

Opinione

Lufta e UÇK-së fatkeqësisht nuk mbet e pastër atë e përlyen disa matrapaz

Nga: Ejup Berisha Më: 17 korrik 2019 Në ora: 12:14
Ejup Berisha

Debati për atë se si ishte lufta  e UÇK-së e pastër apo e pisët e ka kapluar kohëve të fundit Republikën e Kosovës. Pse e përmenda vetëm Kosovën dhe jo Republikën Veriore të Maqedonisë sepse debat të gjallë lidhur me këtë çështje ka vetëm se në Kosovë e në RVM nuk ka asnjë debat për asnjë çështje e lere më për çështjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në qendër të këtij debati është çështja se athua kjo luftë u zhvillua konform parimeve dhe idealeve të proklamuara në fillim të saj apo se e njëjta a u devijua nga këto parime dhe ideale. Dhe në çdo debat ka sqarime të ndryshme pra përherë ekzistojnë sqarime të shumta e jo vetëm se një sqarim i vetëm apo dhe vetëm se një e vërtetë e vetme.

Kur flasim për UQK-në dhe luftën e saj do të them se lufta e UQK-së në vitet 1998/99 ishte e drejtë e pastër dhe e çiltër deri kur pra deri në përfundimin e saj por pas kësaj disa individ të etshëm për pasurim, pushtet dhe ndikim e keqpërdorën  luftën e UQK-së. Këta fatkeqësisht e devijuan këtë luftë duke bërë lloj lloj veprimesh të këqija, të shëmtuara shkurt thënë të njëjtët kanë bërë dhe po bëjnë shumë krime.

Fatkeqësia më e madhe është se në periudhën e pasluftës u vranë më shumë luftëtar të UQK-së sesa gjatë luftës. Do të thotë se revolucioni i hëngri të bijtë e vet më të mirë.  Kush i vrau apo kush i hëngri këta bijë e bija më të mirë të kombit këtë gjë të shëmtuar dhe të tmerrshme nuk e bënë në mënyrë direkte serbët por fatkeqësisht  bashkëpunëtorët e tyre shqiptar të cilët u bënë dorë e zgjatur e armiqve të kombit. Pastaj si rezultat i luftës për pushtet u vranë edhe shumë shqiptar të tjerë të cilët nuk ishin në luftë. Dhe kur të përmenden edhe krimet dhe keqbërjet e tjera makabre ndaj popullit shqiptar del përfundimi se lufta e UQK-së nuk mbet e pastër por u përlye e u bë e pisët dhe atë tejmase.

Sot nuk ka njeri që nuk ndjen neveri dhe gërdi nga veprimet keqbërjet dhe krimet e disa ish pjesëtarëve të UÇK-së. Këta e përlyen jo vetëmse luftën dhe idealet për liri dhe demokraci por i bënë të pisët dhe fytyrat dhe personalitetet e tyre. Nuk është mirë të bësh revolucion të jesh kundër një gjendje apo rend të caktuar shoqëror dhe pastaj kur të ngadhënjesh me luftë ta kthesh gjendjen e mëparshme apo edhe më keq. Ti luftosh armikun dhe mentalitetin e tij dhe pastaj të bëhesh më i keq e më i zi se ai është absurd i llojit të pashpjegueshëm.

Sot nuk ka dallim se a janë në pushtet shqiptarët apo serbët sepse sjelljet,veprimet dhe keqbërjet janë të njëjta bile edhe më të vrazhda dhe më të këqija. Lufta e viteve 1998/99 u bë për çlirimin e shqiptarëve nga robëria sllave e jo për rirobërimin tonë nga pushtetarët  shqiptarë. Kur bëhet revolucioni bëhet për kushte jetese, për zhvillim dhe  përparim më të mirë për njerëzit e jo për kushte më të vështira dhe më katastrofike.

E ne sot fatkeqsisht e kemi këtë gjendjen e fundit. Të njëjtën e kemi fal disa  luftëtarëve për liri dhe demokraci. Liria nuk jetësohet me rirobërim dhe me diktat ndërsa as demokraci nuk ka aty ku sundon një pakicë shumë e vogël e njerëzve. Këto argumente  duhet ti kenë parasyshë pushtetarët e sotëm që thirren në emër të angazhimit të tyre për liri dhe demokraci.

Kërkoj shumë falje për sqarimin apo krahasimin Këta i ka gjetur fati i atyre lopëve që japin shumë qumësht por që me një të goditur me këmbë e derdhin dhe e çojnë poshtë jo vetëmse  qumështin e dhënë por edhe mundin për ta fituar atë qumësht. E përlyet apo më falni në shprehje e dhjet kontributin, luftën dhe  sakrificën tuaj të nderuar luftëtar. Në fakt lufta për pushtet për para dhe pasurim ua turbulloi jo vetëm mendjen por edhe gjakun prandaj po shkatërroni dhe rrënoni çfarë po gjeni përpara jush. Mbani llogari se kjo jetë është jo vetëmse e juaja por edhe e të gjithë neve pra edhe ne kemi të drejtë të jetojmë e jo vetëmse ju. Pastroni jo vetëmse luftën por edhe fytyrën dhe personalitetin tuaj se po nga të gjitha anët po kundërmon era e pakëndshme e mendjeve tuaja të prishura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat