Hipotekat, “gangrena” e Rilindjes!

Opinione

Hipotekat, “gangrena” e Rilindjes!

Nga: Qamil Gjyrezi Më: 17 korrik 2019 Në ora: 17:22
Qamil Gjyrezi

Para disa ditësh Lideri opozitar Lulzim Basha zhvilloi një takim informal me strukturat e P.D.-së, intelektualë, ish- drejtues të P.D.-së në vite për të biseduar për qëndresën e qytetarëve shkodranë dhe shqiptarë mbi zgjedhjet e njëanshme, të dështuara të datës 30 qershor.

Në këtë takim u diskutua për të ardhmen e zhvillimeve politike në muajt e ardhshëm në vend dhe disa ide për programin elektoral qeverisës. Në takim desha të shtroja dy pyetje, që për arsye kohe po i shkruaj!

Si do të jetë e ardhmja e Hipotekave dhe Aluiznit në të ardhmen qeverisëse të P.D.-së dhe cfarë raporti ka kryetari i zgjedhur me një kandidaturë i Shkodrës Valdrin Pjeri me hipotekat, duke qenë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave deri para pak muajsh?

Kryeministri i dështuar Edi Rama “tentoi” të bënte ndonjë reformë duke i bashkuar Hipotekat me Aluiznin, por bashkëpunimi me mafien dhe korrupsionin nuk të jep mundësi të bësh reforma, por kthehesh në vegël e tyre, shkurt të japin urdhëra!

I kujtoj lexuesit se ish-drejtori i hipotekës së Shkodrës, është arrestuar me vendim të prokurorisë së Edi Ramës , por këto arrestime dhe ndalime janë thjesht çështje “Klanesh të Rilindjes” dhe mafies lokale dhe kombëtare!

“Me urdhër të Prokurorisë, policia ka ndaluar drejtorin e Hipotekës në Shkodër, Zamir Leka. Bashkë me të, sipas burimeve, është arrestuar edhe shtetasja Frida Mirashi, punonjëse e Hipotekës së Shkodrës. (Gazeta Shqip 25 Shtator 2018).

Nuk ka fjalë për të shpjeguar se si janë shpërbërë zyrat e shtetit në këto 6 vite të Rilindjes.

Përgjegjësit kryesorë janë zyrtarët publikë, të cilët me një papërgjegjshmëri tipike po i bëjnë shtetit shqiptarë një dëm të madh.

Nëse nuk bëhet një reformë e thellë në administratë, e ardhmja e Shqipërisë nuk është e mirë, jo më të flasësh për integrim dhe shtet me parametra dhe rregulla europianë.

Një shembull tipik janë hipotekat. Hipotekat, pavarësisht ndryshimit të drejtuesve janë kthyer në një “gangrenë” e vërtetë. Vetëm ligji dhe reformat e vërteta duhet të ndikojnë tek kjo situatë.

Një drejtues fetar deklaroi para disa vitesh: “Duajeni respektojeni, praktikoni fenë tuaj, por mos abuzoni me pronat e tjetrit, mos merrni “gjënë” që nuk ju takon, pronën e tjetrit”! Prona është e shenjtë! Kjo është feja më e mirë!

Qëllimi kryesor i individëve të caktuar ka qenë dhe vazhdon të jetë përfitimi i pronës së tjetrit edhe kur nuk i takon, duke e paguar me para ose duke përfituar nga pozicioni politik ose shoqëror, shpesh me forcë dhe dhunë.

Reforma në hipoteka dhe zyrat e shtetit është domosdoshmëri për të ardhmen e një vendi që aspiron integrimin dhe zhvillimin. Në të kundërtën kjo “gangrenë” do të marri përmasa të “pashërueshme”. Personalisht jam optimist, nëse bëhen reforma të vërteta nga P.D. dhe Zoti Lulzim Basha, kjo gjendje do të përmirësohet dhe të do te funksionojë dhe zyrat e shtetit edhe hipotekat.

Në këtë reformë, një rol vendimtarë edhe shoqëria civile, media dhe mbi të mbështetja e qytetarëve. “Gangrena ” patologjike shërohen me ilaçe dhe trajtime psikologjike.

“Gangrena” shoqërore, politike dhe ligjore e Rilindjes, kërkon reforma të thella për t’u shëruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat