Unioni Ballkanik - Bota Sot
Unioni Ballkanik

Opinione

Unioni Ballkanik

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 18:34
Merxhan Jakupi

Idea dhe plani për një union të shteteve ballkanike të mbetura jashtë Bashkimit Europjan ka lindur qysh në vitin 2002. Kurse tani retorika dhe idea për themelimin e Unionit Ballkanik ka ardhur nga Gjermania, Austria dhe Franca. Në formimin e Unionit Ballkanik do të marrin pjesë Serbia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Unioni Ballkanik do të jetë mostër identike sikurse Unioni Europjan. Ky union i ri do të përfshijë heqjen e kufijve, tregun e përbashkët, energjitikën, komunikacionin, politikat e përbashkëta ekonomike,  e të tjera. Unioni Ballkanik do të përbëhet nga më shumë se 20 milion banorë.

Në të ardhmen Unioni Ballkanik do të integrohet në Unionin Europjan ose do të ketë status special - kështu kanë thënë krerët e shteteve perëndimore që hodhën këtë ide në takimin e Brukselit. Idea e kancelarëve në Bruksel është se Bashkimi Europjan ka mbetur në sokak, në gjysëm të rrugës dhe në të ardhmen nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm. Presidenti i Francës Emanuel Makron tha se nuk do të ketë më zgjerim të Unionit Europjan. Makroni tha se më mirë të kemi një Europë stabile se një Ballkan stabil. Gazeta austriake “Die Presse” shkruan se idea dhe plani për krijimin e Unionit Ballkanik nga kancelarët perëndimorë është fiasco dhe paradox. Lënia nga Bashkimi Europjan e pjesës tjetër të Europës në periferi “tamp zonë” do të jetë një gabim historik. Mospranimi i shteteve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Europjan do të jetë një kancer dhe gropë e zezë për Bashkimin Europjan në të ardhmen. Shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë alternativë tjetër përveç hyrjes në familjen europjane.

 Sipas gazetës austriake, Unioni Ballkanik është identik sikurse ish-Federata Jugosllave. Po të mos ishte bërë luftë, po të mos ishte shpërbërë Federata Jugosllave, ish-republikat jugosllave do të ishin të parat që do të hynin në Bashkimin Europjan.

Ballkani mund të shndërrohet si Lindja e Mesme.

Mbetja e shteteve të Balllkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Europjan do të jetë ‘bumerang’ për BE-në. Vetë Bashkimi Europjan do të mbetet si ‘sandviç’, si ishull i rrethuar nga tre rivalë: Rusia, Turqia dhe Kina. Ballkani Perëndimor do të shndërrohej në lojë shahu mes Rusisë dhe Turqisë. Kurse Kina gjigande dhe mega-ekonomike, nëpërmjet rrugës së mëndafshit do ta minimizonte fuqinë ekonomike të Bashkimit Europjan.

Në Ballkan do të jetë kthimi i aleatëve të vjetër tradicionalë. Rusia, si aleate tradicionale, do ta zgjerojë hegjemoninë dhe dominimin te sllavët orthodoksë: serbët, malazezët dhe maqedonët. Kurse Turqia do të dominojë në territoret me shumicë muslimane – në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Maqedoninë perëndimore.

Të tre këta rivalë të botës perëndimore janë shtete autoritariste, totalitare dhe autokratike. Një analist dhe njohës i Europës juglindore thotë se Ballkani jashtë BE-së mund të shndërrohet sikur Lindja e Mesme – Siria, Iraku, etj. dhe në fund as këto tri fuqi – Rusia, Turqia dhe Kina – nuk do të kenë interesa dhe do të largohen. “Në fund të fundit, tragjedinë do ta pësojë dhe çmimin do ta paguajë vetë Bashkimi Europjan”, thotë ky analist dhe politolog.

“Ka kush na do”         

Një Profesor nga Beogradi, Doktor i Shkencave Politike, i cili dëshiron të mbetet anonim, i bëri disa pyetje ambasadorit gjerman në Beograd. Profesori e pyeti ambasadorin: “A do të ketë zgjerim të Unionit Europjan dhe a do të pranohen shtetet e Ballkanit Perëndimor? Në të ardhmen, a do të jemi edhe ne pjesë e familjes europjane? Ballkani është zemra e Eurpoës; nuk është pjesa skandinave dhe ajo mesdhetare më shumë Europë se Ballkani”. Pastaj Profesori shtoi: “Në fund të fundit duhet të na tregoni të vërtetën që të mos mbajmë shpresa dhe iluzione të kota. Në qoftë se ju nuk na doni, ka kush na do, do të thotë – Rusia.” Në qoftë se në të ardhmen shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të hyjnë në BE dhe shqiptarët do të ngelen në tavernën dhe sindromën ballkanike, atëherë edhe ne shqiptarët mund të shtrojmë të njëjtën pyetje si profesori nga Beogradi. Pra, në qoftë se BE nuk na do, atëherë dhe shqiptarët duhet të gjejnë aleatët e tyre. Lind pyetja se kush do të jenë aleatët tanë? Aleatët tanë do të jenë SHBA dhe Turqia. Shqiptarët janë popull pa fise, [pa lidhje tradicionale fetare e gjuhësore]. Vetëm këta dy aleatë mund të jenë besnikë ndaj nesh, siç ka treguar historia.

“Bashkimi Europjan – xhuxh në politikë dhe gjigand në ekonomi”

Bashkimi Europjan, edhe pas 27 shteteve anëtare, akoma ka mbetur xhuxh në politikë, apo “politikanë adoleshentë”, siç i quan Donald Trump-i. Sipas analistëve dhe ekspertëve perëndimorë, në të ardhmen do të dihet fati i Europës dhe i Ballkanit. Sipas tyre ekzistojnë dy skenarë.

Skenari I         

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar vendosi që nuk do të largohet pa marrëveshje me Bashkimin Europjan. Kriza politike në Mbretërinë e Bashkuar dhe Brexit-i ka treguar se dalja nga BE-ja ishte gabim trashanik. Fakti që Brexit-i pësoi dështim do të jetë mësim në të ardhmen për shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europjan. Mbretëria e Bashkuar do të kthehet në BE. Në zgjedhjet e ardhëshme në SHBA, po qe se Republikanët dhe Donald Trump-i i humbasin zgjedhjet, demokratët vijnë në pushtet me humbje dhe eliminojnë nga skena forcat e djathta konservatore, populiste, radikale dhe ultra-nacionaliste. Si rrjedhojë, në Europë do të dobësohen forcat populiste, euro-skeptike dhe  konservatore. Me dobësimin e populistëve, siç është Urbani, Le Peni e të tjerë, do të dobësohet edhe Rusia me axhendën anti-europjane. Bashkimi Europjan do të fitojë reputacion dhe në fund shtetet të cilat tentojnë që ta anashkalojnë dhe ta injorojnë Brukselin, do të kthehen nga Roma, Parisi dhe Praga dhe në mesin e koalicionit të partive ekstremiste të djathta dhe euro-skeptike në të ardhmen do të dobësohen dhe do të humbasin përkrahjen dhe kredibilitetin.

Skenari II         

Nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga Bashkimi Europjan dhe në të ardhmen Brexit-i tregohet i suksesshëm me reformat, gjë që është një iluzion, kurse në vitin e ardhshëm më 8 nëntor në zgjedhjet presidenciale në SHBA fiton Donald Trump-i, në Europë në të ardhmen partitë e djathta konservatore, populiste dhe euroskeptike do të forcohen. Ato kanë pasur mbështetje nga Kryeministri Boris Xhonson, Brexit-i dhe Presidenti amerikan Donald Trump. Këto parti, si koalicion anti-europjan do të drejtohen me programe dhe platformë kundër Bashkimit Europjan për forcimin e identitetit nacional, të shtetit-komb. Më në fund këto parti do të vinë në pushtet duke kërkuar referendum që të dalin nga Bashkimi Europjan. Liderët e partive të djathta ekstremiste e populiste, siç është alternativa AFD për Gjermaninë, Lëvizja e Pesë Yjeve (M5S) në Itali dhe shumë të tjera, vazhdojnë të bëjnë propagandë nëpër mediat e mjetet e tjera të informimit. Këto parti janë duke mbështetur euro-skepticizmin dhe duke bërë propagandë dhe agjitacion kundër establishmentit dhe diskursit politik të Brukselit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...