Albin Kurti, ose Joschka Fischeri shqiptar..! - Bota Sot
Albin Kurti, ose Joschka Fischeri shqiptar..!

Opinione

Albin Kurti, ose Joschka Fischeri shqiptar..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 shtator 2019 Në ora: 09:22
Albin Kurti

Pa dyshim, kryetari aktual i LVV-je, z. Albin KURTI, është figura dhe lideri më i ri politik në Kosovë, i cili ngadalë, por në mënyrë të sigurt, po ngritët në piedestalin e skenës politike shqiptare në përgjithësi, e në atë të Kosovës në veçanti. Dhe, për ta argumentuar këtë fakt nuk kërkohet shumë mund, mjafton me e lexuar biografinë e tij nga koha kur ishte student dhe deri më sot, për të kuptuar më afër karrierën e tij politike, e cila zbulon enigmën se pse në të gjitha sondazhet e bëra këto ditë ai prinë bindshëm në listën e kandidatëve për kryeministër të ardhshëm të Kosovës! 

Biografia, veprimet e tij politike dhe karizma personale në masë të madhe ngjajnë me biografinë e liderit të dikurshëm dhe karizmatik të Partisë së “Gjelbër gjermane” (Die Grüne-Bündnis/90), si për nga transformimi ideologjik-majtist-social-demokrat, ashtu edhe për nga rebelimi politik, duke rrokullisur dhe djegë barrikadat e policisë kriminale të Serbisë në Kosovë e deri tek përmbysja e automjeteve të UNMIK-ut dhe shpërthimi i gomave të tyre, e besa edhe duke u burgosur, në rastin e parë në burgun famëkeq të Nishit, ndërsa në rastin e dytë në burgun e Dyzit, ku në këtë të fundit ishte burgosur thjesht nga inati, vetëm se ishte oponent i “rrezikshëm” politik i Hashim Thaçit..!?   

A nuk ishte dje Albin Kurti rezistues-kundërshtues i ashpër i pushtetit të korruptuar dhe plaçkitësve të pronave të Kosovës, ndërsa sot përfaqëson një udhëheqës pragmatik, një politikan të ri dhe modern me orientim të qartë properëndimorë me vizion komplementar për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, a ishte dje Albini kundër Pakos së Ahtisarit me të cilën enklavizohej territori i Kosovës, ndërsa sot është zëri më i fuqishëm për konsolidimin e shtetit juridik dhe ligjor, për reformën kushtetuese në drejtësi si dhe fusha tjera jetike për shtet ndërtimin e mirëfilltë të Kosovës. A ishte deri dje i përndjekuri kryesor i shtetit të kapur nga klani “Pronto”, ndërsa sot konkurrenti kryesor politik në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, a konsiderohej para disa viteve si bashkëbisedues i padëshiruar për Perëndimin, ndërsa sot është partneri kryesor i Washingtonit, Berlinit, Londrës dhe Parisit..?!

Dallimi mes Joschka Fischerit, dikur revolucionar dhe anti-imperialist, ndërsa që nga viti 1990 aleat dhe mik i SHBA-ve, ku sot jeton dhe e shijon jetën e pensionistit, dhe Albin Kurtit, është se Albini asnjëherë nuk ishte kundër SHBA-ve dhe miqve tanë perëndimorë. Pra, Joschka Fischeri, dikur qëndronte në krye të demonstratave kundër Forcave aleate ushtarake anti-naziste të stacionuara në Gjermani (SHBA, Angli, Francë, Rusi), me partinë e tij kundërshtonte ashpër armët bërthamore, kurse në kohën pas rrëzimit të Murit të Berlinit (1989) dhe bashkimit të dy Gjermanive, ai do zgjidhet, madje Vice-kancelar si dhe ministër i jashtëm i saj (1998-2005), por ishte edhe një përkrahës i fuqishëm i shqiptarëve të Kosovës për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së tyre dhe sulmeve të NATO-s kundër Serbisë.

Përafërsisht njëjtë, edhe Albin Kurti qëkur iu bashkua Unionit të pavarur të studentëve të UP-së, do dalë në krye të protestave masive kundër armikut barbarë serb, e më vonë edhe kundër UNMIK-ut dhe ligjeve të dëmshme për Kosovën të cilat ndërkombëtarët na i sollën në Kosovë, derisa ai sot është në krye të partisë më progresive në Kosovë, LVV-je, e cila çdo ditë po rritet me anëtarë të rinj dhe e cila me të drejtë po ushqen denjësisht shpresën më optimiste për rininë tonë, që ajo mos të largohet nga Kosova, sepse me ardhjen e saj në pushtet dhe qeverisjen me institucionet e Republikës së Kosovës, do fillon një epokë e re e zhvillimit për shoqërinë, shtetin si dhe një e ardhme më e ndritur për popullin shqiptar dhe rininë e tij. Sepse, pa vlera morale, njerëzore, kulturë dhe arsim cilësor, sundim të ligjit, pa drejtësi dhe barazi, pa norma dhe kritere ligjore mbi të cilat ndërtohet dhe qëndron çdo shtet demokratik, nuk mund të mbrohet sovraniteti, integriteti dhe as pavarësia e Kosovës, e sjellë në pikëpyetje nga qeveritarët e korruptuar dhe kuazi-patriotë!

Prandaj, sot “Erdhi Dita” që me Albin Kurtin kryeministër, njëherë e mirë t’i thuhet “Mjaft” të keqes, e cila në dy dekadat e fundit e ka asfiksuar frymëmarrjen e lirë të qytetarëve të Kosovës si dhe zhvillimin ekonomik të saj..!?

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...