Kutitë e votimit nga Serbia duhet t’i trajtojë Prokuroria e shtetit

Opinione

Kutitë e votimit nga Serbia duhet t’i trajtojë Prokuroria e shtetit

Nga: Agim Krasniqi Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 14:52
Agim Krasniqi

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan me 6 Tetor 2019 në Kosovë, reflektuan një pjekuri politike të trupit elektoral, gjë që u vlerësuan si në arritje demokratike sa i përket procesit të mbarëvajtjes deri në përmbyllje të qendrave të votimit. Megjithatë, faza e procesit të numërimit të votave po paraqet probleme substanciale që në një formë po e zbehë përshtypjen e mirë të krijuar, si në aspektin vendor por edhe në atë ndërkombëtar. Kjo për arsye se, numërimi të votave të arritura përmes postës , si ato të shqiptarëve të diasporës ashtu edhe për komunitetin serbë që jeton në Serbi, po paraqet problem sa i përket rregullsisë qoftë procedurale apo edhe besueshmërisë së tyre.

Nëse i referohemi demokracive të sotme, e drejta votimit me postë lejohet në shumë vende të botës Perëndimore, por format e tyre ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Ushtrimi i të drejtës së votimit me postë, për shembull, mund të jetë i lejuar në një vend dhe i ndaluar në një tjetër, kjo për arsye të paraqitjes së rrezikut për manipulim dhe mashtrim. Kjo formë e votimit mund të lejohet vetëm nëse shërbimi postar është i sigurt – me fjalë të tjera, kur nuk ka ndërhyrje të qëllimshme – dhe është i besueshëm, si në kuptimin funksional ashtu edhe procedural.

Prandaj duke pas për bazë parimin e mbrojtjes së vullnetit qytetar të shprehur përmes votës me postë, tek ne kjo formë e votimit duhet t’i nënshtrohet rregullave strikte, me qëllim që të parandalohet manipulimi dhe mashtrimi, sidomos nga qarqe të caktuara anti-kushtetuese, anti-ligjore dhe antidemokratike, që për fate të keq nuk janë të pakta.

Në Republikën e Kosovës, bazuar në nenin 90 të Ligjit për Zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe në Bazë të Udhëzimit Administrativ të K.Q.Z-së (Komisionit Qendror Zgjedhor), është përcaktuar kjartë se të drejtë votimi për zgjedhjet në Kosovës, brenda dhe jashtë Kosovës, mund ta ushtrojnë vetëm personat të cilit janë të pajisur me dokumente të vlefshme të Republikës së Kosovës, konkretisht me letërnjoftim, pasaportë, dokument i vlefshëm i udhëtimit ose leja e vozitjes së Republikës se Kosovës apo me kartelë të refugjatit nga ana e shtetit tjetër nëse ai person ka dëshmuar që ka të drejtë për t’u regjistruar në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës.

Në këtë rast, K.Q.Z, procedurën e numërimit të votave me postë nga Serbia e bëri në mënyrë të pa zakontë të themi anormale, shkeli ligjet, rregullat dhe parimet zgjedhore. K.Q.Z nuk mori fare parasysh që përveç problemeve që mund të ekzistojnë me shërbimin postar, dhe vështirësi të tjera që karakterizojnë këtë lloj votimi, duke përfshirë rrezikun më të madh të “votimit familjar”. Gjithashtu K.Q.Z nuk ka marr masat e duhura për të shmangur rrezikun e mashtrimit dhe frikësimit që do ketë pasur mundësi të ndodhë. Veprimet e K.Q.Z-s krijuan pasiguri dhe paqartësi sa i përket rezultatit final të zgjedhjeve të lartshënuara, me që rast edhe ka gjasa të tjetërsoj vullnetin qytetar të besuar në një subjekt politik, në këtë rast NISMA- Socialdemokrate, gjë që mund të krijoj precedan të rrezikshëm për vet demokracinë tonë përfaqësuese.

Nga praktikat e deritanishme, përdorimi i kutisë së lëvizshme të votimit, përveç tjerash, shkakton probleme dhe sjell rreziqe manipulimi të atyre kutive. Gjithashtu duhet evidentuar se, për rastin në fjalë ka informacione se shumica e votave me postë nga Serbia, nuk kanë bashkangjitur ndonjë kopje të ndonjë Dokumenti të vlefshëm të Republikës së Kosovës ashtu siç e kërkon ligji në bazë të nenit 90 të Ligjit për Zgjedhje, gjë që e vërteton parregullsinë e tyre. Madje, përderisa secili qytetar duhet të regjistrohet individualisht për të pasur të drejtë ushtrimit të votimit përmes postës, të njëjtëve në të njëjtën mënyrë individuale do duhej t’i dërgohet përmes postës edhe fletëvotimi dhe në të njëjtën mënyrë individuale do duhej të vinin edhe zarfet me postë në adresë të K.Q.Z-së në Prishtinë. Është dëshmuar që të gjitha fletëvotimet nga Serbia, kanë ardhur në mënyrë të organizuar dhe janë dorëzuar nga ana e një zyrtari serb me thasë. Përderisa as postieri nuk e din se çka ndodhej në ndonjë zarfe. Pastaj shtrohet pyetja, si ka mundësi që shteti serb të ketë njohuri se në ato zarfe ndodheshin fletëvotime dhe për një numër aq të madh të dërguara individualisht nga qytetarët që jetojnë në komuna të ndryshme në Serbi?

Pse nuk i dorëzoj p.sh. shteti Gjerman me thasë të gjitha votat e shqiptarëve nga Gjermania ? ose shteti Zviceran? Përgjigja është e thjeshtë, sepse ato janë dërguar vërtet nga qytetarët tanë dhe individualisht dhe nuk kanë qenë të manipuluara nga këto shtete. Kjo për më tepër tregon që Serbia ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në zgjedhjet e lira dhe demokratike në Kosovë. Po të ndodhte në një shtet tjetër, ky veprim do të quhej akt armiqësor.

K.Q. Z duhet të verifikoj në hollësi se a kanë bashkangjitur secili votues nga Serbia edhe një Dokument të Vlefshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa Prokuroria duhet të hetojë ecurinë e organizimit masiv të ardhjes së këtyre fletëvotime për në Kosovë, nëse ato kanë qenë të manipuluar nga shteti tjetër dhe përse nuk kanë mbërritur në Kosovë në mënyrë individuale dhe si ka pasur mundësi që shteti serb të di se çka ndodhet ne zarfet të dërguara nga qytetarët e tyre në drejtim të Kosovës, d.m.th. se a ndodhet një fletëvotim ose thjeshtë një shkresë formale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat