Çfarë rregullimi estetik duhet ta kenë shkollat tona? - Bota Sot
Çfarë rregullimi estetik duhet ta kenë shkollat tona?

Opinione

Çfarë rregullimi estetik duhet ta kenë shkollat tona?

Nga: Mr. Bislim Aliu Më: 29 janar 2020 Në ora: 13:04
Mr. Bislim Aliu

Pa mëdyshje, rregullimit estetik të shkollës, në përgjithësi, nuk po i ipet rëndësi të konsiderueshme. Ajo ka mbetur në margjina dhe shkolla fare pak interesohet për këtë. Dhe, në disa shkolla ka mbetur, larg kërkesave artistike dhe estetike. Këtë mangësi, shkollat tona , duhet ta zhvillojnë në nivelin e dëshirueshëm.  Patjetër duhet ta bëjnë. Mundemi dhe e kemi për detyrë dhe obligim arsimor, që ta zhvillojmë këtë dukuri pa përtesë dhe me plot vullnet e përgjegjësi . . .

Gjithsesi, kontakti i përhershëm i nxënësit me shkollën, paraqet një ndjenjë të knaqësisë së lartë. Dhe, sigurisht, kjo ndjenjë e përhershme, vetëm sa zhvillohet e shtohet te nxënësi përherë.

Ndaj, mu për këtë, a thua, si t’ia bëjmë edhe më tërheqës, nxënësin tonë, që ta dojë dhe ta respektojë, edhe më tepër shkollën. Mendoj se këtë dashuri, sigurisht do t’ia shtojmë, nëse shkolla, e ka në nivelin e dëshirueshëm të rregullimin estetik. Kjo është e nevojshme dhe më se e domosdoshme. Megjithatë, në çfarë niveli të rregullimit gjenden shkollat tona?

Dhe, duke e shikuar, më dendur këtë dukuri, formohet një bindje reale, për shkollën dhe për punën e saj. A thua, në çfarë niveli gjenden dhe sa i kushtojnë rëndësi shkollat tona, këtij rregullimi estetik ? A mundemi dhe a është e domosdoshme, që secila shkollë, ta ketë në nivelin e duhur rregullimin estetik ?

Fatkeqësisht, nëse shiqohet me vëmendje, ky rregullim estetik, do të shohim, se në shumë shkolla , e sidomos nëpër fshatra, dendur hetohet mangësia në këtë rregullim. Thua se nuk është e domosdoshme që shkolla ta ketë rregullimin estetik. Dhe, kështu kalohet  pahetueshëm, k duke mos e zënë fare në gojë ! Deri kur të anashkalohet kjo mangësi?

Në përgjithësi, drejtoritë e shkollave, në masë të madhe, ndoshta edhe nuk kanë njohuri aq sa duhet për këtë rregullim, apo edhe arsimtarët, nuk e inicojnë fare këtë problematikë, e cili për shkollën tonë është shumë e nevojshme. Dhe, ashtu, pahetueshëm, qe sa vite, ky rregullim ka mbetur në margjinë, do të thoja në margjina të plotë, thuajse, nuk ka nevojë, që fare të bisedohet për estetikën dhe për të bukurën në shkollë?! A thua, deri kur kështu të vazhdohet.

Ndaj, në shkollat tona, ky rregullim ka mbetur prapa, e besa, në disa shkolla shumë prapa. Dhe, tani, pyetemi shtruar; a guxohet që shkollat tona, të punojnë pa këtë rregullim estetik dhe në çfarë niveli do të ndikojë në nivelin e edukates, kjo mangësi te nxënësit tanë?!

Çfarë rëndësie ka  rregullimi estetik i shkollës?

S’do mend se rregullimi estetik i shkollës ka rëndësi të posaçme. Së pari shkolla duhet të jetë e rrethuar. Ajo, gjithsesi, duhet të ketë sipërfaqe të gjelbëruara për pushim dhe sipëraqe për lojra e për sport. E, a thua, këtë nuk mund ta bëjnë nxënësit dhe arsimtarët ?

Gjithsesi, korridorët e shkollës, duhet të jenë të zbukuruara me materiale dhe me punime të nxënësve.

Njëra pjesë e korridorit, duhet të shërbejë, për vendosjen e përkohshme të materialeve interesante, që do t’u shërbenin nxënësve. E, pjesët tjera, të korridoreve, duhet të jenë të zbukuruara me piktura artistike dhe me punime të nxënësve.

Mirëpo, mu këtu, çalohet më së tepërmi në shkollat tona. E fatkeqësisht, në disa shkolla, vazhdimisht shihen muret e bardha, të zbrazëta, pa asnjë punim të nxënësve!...

Lokalet e tjera – zyra e drejtorit, e sekretarit, salla e arsimtarëve, biblioteka, duhet pa tjetër, të stolisën me vepra artistike. Edhe në dhomat e mësimit, duhet të vendosen punimet e nxënësve. Dhe, sigurisht, kohë pas kohe, ato duhet të ndërrohen. Këtë mangësi e kemi shumë në shkollat tona?!

A thua, ku duhet të vendosen mjetet  mësimore ? Kuptohet në vendin e posaçëm, e jo në korridore apo në një kthinë të papërshtatshme. Gjithsesi zbukurimi i klasëve duhet të jetë detyrë e vetë nxënësve, meqë, ata mësojnë e punojnë në atë ambient.

Muret e klasëve duhet të jenë të ngjyrosura me nuanca të lehta, p.sh. oker, të përhirtë, të blertë, ngjyrë vjollce, e jo me ngjyrë të bardhë të ftohtë, siç është e zakonshme në shumicën e shkollave tona.

A thua, kush duhet të jenë përgjegjësit kryesor për rregullimin estetik të shkollës?

Pa mëdyshje, përgjegjësit kryesor, duhet të jenë, drejtori dhe pedagogu figurative. Mirëpo, përgjegjësisë nuk mund t’i ikin as arsimtarët e tjerë. P. sh. arsimtari i biologjisë duhet t’i rregullojë sipërfaqet e gjelbëruara dhe parqet, arsimtari i edukatës fizike, lokalin për lojë dhe për sport, arsimtari i fizikës dhe ai i edukatës teknike, duhet të kujdesën për punëtoritë dhe për kabinetët, arsimtari i gjuhës shqipe, për bibliotekën dhe për sallën e leximit.

Me një fjalë, të gjithë arsimtarët, duhet të kujdesën dhe, do të thosha, mbajnë përgjrgjësi për rregullimin estetik të shkollës. Sigurisht, është e domosdoshme, që arsimtarët duhet të bashkëpunojnë, njëri me tjetrin, të  këmbejnë mendime dhe t’i përkrahin idetë dhe sugjerimet e njëri – tjetrit.

Ndaj, vetëm me forca të përbashkëta, mund të bëhet punë e rregullt në rregullimin estetik të shkollës. Gjithsesi, ky rregullim estetik i shkollës, paraqet punën e rregullt dhe pasqyrën kryesore të vetë shkollës.

Mendoj se këtë rregullim, në masë të madhe, e kemi lënë anash, bile në disa shkolla, kjartas venerohet dështimi, ndonëse kemi dije dhe forcë, sigurisht kur të dëshirohet, për ta bërë këtë rregullim pa përtesë. Pra, na mungon iniciativa, angazhimi dhe përkushtimi për diçka të vlefshme dhe estetike. Sigurisht nxënësit e dojnë estetikën dhe të bukurën. Andaj, pse nuk po ua plotësojmë këtë dëshirë shpirtërore dhe ndiesore ? Dhe, a thua, pse nuk e zhvillojmë këtë estetikë dhe të bukurën  të cilën e dëshirojnë nxënësit ?

Pa mëdyshje, rregullimit estetik të shkollës, në masë të madhe, drejtoritë e shkollave, nuk po i japin rëndësi të konsiderueshme. Dhe, në disa shkolla ka  mbetur larg kërkesave artistike dhe estetike. Këtë mangësi, shkollat tona, duhet ta rregullojnë dhe ta zhvillojnë pa përtesë dhe me plot vullnet…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat