Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë

Opinione

Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë

Nga: Luftulla Peza Më: 3 shkurt 2020 Në ora: 20:36
Luftulla Peza

Historinë duhet ta ruajmë të paprekur dhe ta njohi mirë brezi i ri dhe i vjetër, që ajo të mos harrohet dhe të mos përsëritet. Fashistët gjermanë në bashkëpunim me tradhëtarët e vendit, që i kishin në sherbim, më 4 shkurt 1944 ndërmorën në Tiranë një nga masakrat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë    më shumë se 85 atdhetarë, që nuk e përkrahnin pushtimin fashist dhe as qeverinë tradhëtare të Tiranës. Qëllimi ishte ti jepej një goditja e fortë krahut liridashës, atdhetarëve të Tiranës, luftës partizane për çlirimin e Shqipërsë nga fashizmi.

Më poshtë do të tregoj ngjarjen që më ka treguar vjerri im, Osman Tafmizi (1898-1989), i cili ka banuar në rrugën H.Tahsim, pranë Pazarit të Ri. Osmani Për veprimtari pariotike ka qenë internuar 3,5 vjet në fshatrat e Gjirokastërs dhe i lidhur ngushtë me veprimtarinë e Çetës së Pezës. Osmani ka qenë pronar i një restoranti dhe hoteli të vogël në Pazarin e Vjetër në Tianë gjatë kohës së Zogut, pushtimit fashist dhe viteve të para para shtetëzimit.

Ditën e 4 shkurtit ashtu si dhe ditët e tjera Osmani u ngrit në mëngjes dhe rreth orës 6 hapi portën në oborrin e shtëpisë, për të marrë rrugën për të shkuar tek dyqani i tij në Pazarin e Vjetër të Tiranës. Në këtë kohë dikush thirri me zë të lartë:

-Ndal, mbylle portën, asnjë nuk lejohet të dalë jashtë.

Osmani e mbylli portën me shpejtësi, sepse armët u drejtuan në drejtimin e tij me një herë.

Pas pak hapi vetëm pak portën dhe pranë saj qëndronte një xhandar, që Osmani e njihte. I flet me emër me zë të ulët dhe e pyet se çfarë ka ndodhur. Xhandari u përgjegj me zë të ulët:

“Futu brenda Osman, sepse është shpallur shtetrrethim dhe do të ketë kontroll në të gjithë shtëpitë e lagjes”. Kudo ndigjoheshin të shtena armësh dhe britma njerzish, të cilat me kalimin e kohës erdhën duke u shtuar.

Osmani kujton, që menjëherë u fut brenda dhe filloi të mendojë se si do ta zgjidhte hallin e madh që e zuri: në shtëpinë e Osmanit në këtë kohë ishte një partizan i Pezës i plagosur dhe me urdhërin e Baba Myslim Pezës e kishin sjellë për kurin fshehtas nga Peza. Ai ishte Emin Rom Shabhasa nga fshati Pajonë i Pezës.

Osmani kthehet në shtëpi, i shpjegon familjarëve të vet gjendjen, mbledh disa veshje të tija të vjetra dhe del në oborr. Ja shpjegon edhe Eminit situatën, që në këtë kohë ishte mbledhur si një grusht, por i jep kuroja të mos trembet. Emini ishte djalë i ri rreth të njëzet vjetëve ishte shqetësuar shumë.

“Merri këto rroba të vjetra e vishi dhe shtiru si budalla. Na dhe sopatën ku e ke dhe fillo e çaj dru”. Në oborr kishte disa dru të trasha dhe kërcunj dhe ai filloi të godasë mbi to. “Po të pyeti kush, kush je,  përgjigju me fjalë jo të qarta, sikur je memec dhe vazhdo punën”.

Mbas një farë kohe porta u hap me forcë dhe brenda saj hynë disa ushtarë dhe xhandar. E panë Eminin në oborr veshur me rroba të grisura, duke çarë dru, por njuk ju tërheoqi vemendjen. Hynë brenda në shtëpi dhe me njëherë morën shkallët dhe kryen vrojtimin e imët në tavan. Nuk lanë asnjë ranxë të shtëpisë pa e parë dhe pas një gjysëm ore kontrolli dolën nga shtëpia në oborr.

Kaluan pranë Eminit në oborr, që vazhdonte të godiste drutë me sëpatë dhe komandanti pyeti të zotin e shtëpisë: “Po ky kush është ? “Është druvarë memec, e kam marrë puntorë të çajë drutë”, ju përgjegj Osmani. Më pas të gjithë dolën jashtë portës së oborrit.

Kudo dëgjoheshin kërcitje armësh dhe britje njerzish të pafajshëm.

Gjatë ditës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë janë vrarë 84 ose 87 të rij e të reja me ide komuniste, partizanë të plagosur, që kishin hyrë në Tiranë për kurim, por edhe atdhetarë të moshuar që përkrahnin LANÇ. Pas disa ditësh Emini, që i ishin shëruar plagët, u kthye në Pezë shëndosh e mirë, duke shpëtuar nga vdekja e sigurtë në sajë të dredhisë së Osman Tafmizit.

Kush ishte Osman Tafmizi.

Lindi në një familje të varfër, por adhetare tiranase dhe qysh në fëmijëri filloi punën, për të mbajtur familjen. Disa kohë ka punuar si  murator e korier në Shkollën e Dakos, pranë Tiranës, ku ra në kontakt me njerëz të arsimuar dhe të kulturuar nga të cilët përfitoi shumë në drejtimin arsimor e kulturor. Shpejt mësoi të shkruaj dhe lexojë dhe kështu të lexojë edhe librat e parë. Me paratë e mbledhura fillimisht hapi një pijetore në Pazarin e vjetër të Tiranës, që më pas do ta kthente në restorant dhe hotel. U martua me Mrikën, grua e urtë dhe gjithë mend nga Kopliku i Shkodrës, me të cilën ka një vajzë, Liljanën.

Gjithmonë çeshtjet e atdheut e kanë preokupuar shumë Osmanin. Që në fillim të viteve 20 u lidh me familjen Peza me miqësi të sinqertë, sidomos me vëllezrit Shyqyri dhe Myslim Peza si dhe me Hasan Pezën, miqësi, që vazhdoi gjithë kohën. Në vitin 1926 kur Myslim Peza dhe Lom Leka ndërmorën atentatin dhe vranë tradhëtarin Osman Bali, tek ura e Tabakëve në Tiranë, Osmani ndihmoi atentatorët të dilnin të sigurtë nga Tirana. Për këtë këtë arsye më pas u dënua nga gjykata e Tiranës me internin 3,5 vjet në fshatrat e Gjirokastërs.

Me pushtimin fashist ndihma e tij ndaj lëvizjes çlirimtare e bë më e dukshme: hilaçe të ndryshme por edhe mjekë të ndryshën kanë ardhë në Pezë, në ndihmë të të sëmurëve dhe të plagosurve. Në shtëpitë e tij kishte gjithmonë partizanë të plagosur nga Peza. Një far kohe në shtëpinë e Osman Tafizit ka banuar edhe familja e Myslim Pezës gjatë LANÇ.

Pas luftës dhe vendosjen së pushtetit të ri në Tiranë, gjërat erdhën duke ndryshuar. Premtimet për liri më të madhe dhe demokraci u zbehën shpejt dhe u harruan fare. Prona provate u shtetëzua dhe  familja e Osman Tafmizit u kthyen në proletarë. Më e keqja i erdhi më pas, kur në vitin 1950 u arrestua dhe u burgos dhe në hetuesi i kërkonin të dorëzonte të gjitha paratë që kishte. Ahere paratë njerzit nuk i ruanin nëpër banka, por i kthenin në napolona ari dhe i ruanin në shtëpitë e tyre, në vendet më të sigurta. Më tepër se në muaj e mbajtën të burgosur në hetuesi, duke e kërcënuar çdo kohë dhe duke e goditur. Nuk gjeti rrugëdalje, por ju dha paratë për të shpëtuar jetën dhe familjen. Në këtë kohë miku i tij Adem Xhepa u burgos po për të njejtin qëllim, por nuk i dorëzoi paratë, që i kërkoheshin dhe për të shpëtuar nga xhelatët u detyrua të vrasë veten, duke u hedhur nga një dritare e burgut të Tiranës.

Kështu ja shpërblyen regjimi i pasluftës familjes së Osman Tafmizit ndihmën e madhe që i dha gjatë LANÇ.

Pasi qeveria i mori dyqanin dhe paratë, Osmani fillon punën e muratorit dhe të mirmbajtësit në Shkollën e Bashkuar në Tiranë. Më pas disa vjet derisa sa doli në pension ka punuar në një bufe në rrugën Hoxha Tahsim.

                Nga viti 1966 deri në vitin 1975 xha Osmani ka punuar si guxhinjer me grupin e gjeologjisë, që bënte kërkime gjeologjike në rajonet e Thethit, Valbonës, Vermoshit etj.

Me ndërhyrjen e Myslim Pezës në vitet 70 Osman Tafmizit i njihet nga shteti kontributi i dhënë gjatë LANÇ dhe fitoi të drejtën e marrjes së kontributit për këtë luftë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat