Loja Playstation e Hashimit me kufijtë tanë duhet të ndalohet urgjentisht - Bota Sot
Loja Playstation e Hashimit me kufijtë tanë duhet të ndalohet urgjentisht

Opinione

Loja Playstation e Hashimit me kufijtë tanë duhet të ndalohet urgjentisht

Nga: Lirim Gashi Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 18:51
Hashim Thaçi

Aq shumë i ngutet Batonit dhe Hashimit për ta cementuar tradhtinë e tyre brenda mandatit të Trumpit, sa që ia kalojnë edhe Vuqiqit për nga zelli dhe shpejtësia me të cilën e vendosin popullin dhe shtetin para akteve dhe fakteve të kryera.

A thu çfarë mëkatësh kanë këta (pa) njerëz në biografitë e tyre, që japin kaq shumë gas, kombin dhe shtetin për muri për ta përplas ?

Populli i Kosovës nuk është tufë delesh, gjegjësisht turmë me aftësi të kufizuara mentale e fizike, që ka nevojë për kujdestar special të sponsorizuar nga entet sociale të Washingtonit dhe Brukselit .

Shqiptarët trajtohen nga Presidenti i tyre dhe disa politikanë ndërkombëtar, si zombi për të cilët s'ka nevojë bota, shteti dhe kombi.

Shtrohet pyetja, a nuk duhet të pyetëmi edhe ne për diçka, apo kush të zgjohet më herët prej gjumit mund të vendos për fatin tonë, pa na pyetur fare se çka besojmë, ndjejmë dhe mendojmë ?

Grenelli është vetëm një ekzemplar tipik i administratës Trump që dëshiron sukses të shpejtë në Ballkan për shefin e tij.

Natyrisht qëllimi i tij primar është shndërrimi i këtij suksesi në vota, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ai këtë sukses tenton ta korr duke e anashkaluar kontinuitetin e politikës amerikane dhe faktin që populli ynë viktimë jeton në një shtet të pranuar ndërkombëtarisht në kufijtë ekzistues.

Ky shtet me këta kufijë është produkt i luftës së drejtë të UÇK-së dhe katastrofës biblike humanitare që rezultoi nga pamundësia e forcave tona guerile për të na mbrojtur si duhet në përballje me armikun shumëfish më të armatosur.

Por para së gjithash ky shtet është produkt i ndihmës zemërgjerë ushtarake, politike dhe humanitare të administratës Bill Clinton dhe NATO Aliances.

Prandaj biseda rreth kufijve me përfaqësuesit zyrtar të një shteti agresor që nuk ka kërkuar asnjë herë falje për gjenocidin, e lërë më të mendoj për dëmshpërblimin, është një "non sens" i rrezikshëm, anakronik dhe apsurd që kurrë s'ka ndodhur në këtë formë.

Duke e pasur parasysh faktin që Presidenti Trump nuk është i pakontestueshëm në USA, përkundrazi, administrata e tij akuzohet për një afërsi të madhe me Putinin, atëherë është e drejtë e jona njerëzore, morale, kombëtare dhe politike për të dyshuar në synimet e saj.

Prandaj, përveç që është e nevojshme një vigjilencë e madhe e popullit, është i nevojshëm edhe një sens i hollë i politikës zyrtare për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme, të ndërgjegjshme, të drejtë, të matur dhe të urtë, por njëkohësisht edhe në mënyrë energjike dhe profesionale.

Natyrisht duke i respektuar në njërën anë mardhëniet tona të ngushta me popullin dhe shtetin amerikan, por në anën tjetër edhe duke insistuar që të mos shpërfillët për qëllime egoiste dhe elektorale, esenca, forma, përmbajtja dhe kontinuiteti që i karakterizon mardhëniet tona, prej themelimit të shtetit të dytë shqiptar e deri në ditët me sotme.

Qeveria jonë do të bënte mirë sikur t'i angazhonte Bill Clintonin dhe Georg W. Bushin si këshilltarë, ashtu siç e ka angazhuar qysh moti Qeveria serbe Toni Blerin, sepse fatkeqësisht sukseset diplomatike në politikën moderne nuk janë të mundura pa lobim profesional.

Qeveria jonë përveç që është e obliguar me kushtetutë për t'i ruajtur si sytë e ballit interesat nacionale, ajo njëkohësisht është e obliguar për t'i mobilizuar të gjitha resurset njerëzore, profesionale dhe financiare për evitimin e apsurdeve të padrejta, të rrezikshme dhe anakronike që e presin popullin dhe shtetin brenda këtij viti.

Nëse dy ish Presidentët amerikan s'kanë fuqi të drejtpërdrejtë politike, jam shumë i sigurt që kanë autoritet dhe kredibilitet të mjaftueshëm moral për ta sensibilizuar ja vetëm opinionin amerikan, por edhe politikën zyrtare për mënyrën se si po na trajton administrata Trump.

Mirëpo pa lobimin pro serb të Hashim Thaçit, Baton Haxhiut, Edi Rames dhe Gent Cakes te administrata Trump, kurrë s'do të vinim në këtë situatë, prandaj lirisht mund të konstatojmë se po vazhdon tradita e tradhtisë nga lidershipat shqiptarë në këto treva.

Sepse lidershipi anë dirigjohet me telekomandë nga Beogradi, Moska, Ankaraja dhe Athina, njësoj si shumë paraardhës të tyre.

Ju betohem në komb dhe flamur :

Kjo që po ndodh me ne, kurrë s'do të kishte ndodhur, sikur Serbia mos t'i kishte lënë pas vetës gjithë ata klysh shqipfolës nëpër institucionet tona shtetërore, mediale, publike, juridike dhe të sigurisë.

Ekziston një armatë e tërë shqipfolësish për të cilët do të ishte i vogël edhe Sheshi Nënë Tereza, prandaj duhet të përgjigjen para Gjyqit të Popullit që kurrë askujt mos t'i bie ndërmend, për t'i shkaktuar popullit dhe shtetit kaq shumë të zeza.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat