Kujt po i shërben kriza politike në Kosovë - Bota Sot
Kujt po i shërben kriza politike në Kosovë

Opinione

Kujt po i shërben kriza politike në Kosovë

Nga: Skender Musliu Më: 24 mars 2020 Në ora: 18:08
Skender Musliu

Paraqitja e mbrëmshme publike e zotit Thaçit, me ç’rast bëri thirrje që policia, organet e sigurisë por edhe qytetarët nuk duhet t’i respektojnë masat e reja të Qeverisë për luftimin e koronavirusit duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve, është e papërgjegjëshme që minon punën e qeverisë dhe shkakton panik dhe pasiguri në popullatë. Kjo thirrje e Thaçit për mosbindje institucionale dhe qytetare, n’a kujton kohën e Millosheviqit kur populli i Kosovës refuzonte t’i bindej politikës antishqiptare.

Sot zoti Thaçi ka dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për t’a vlerësuar Vendimin e Qeverisë. Kush po e shkel Kushtetutën, ai që po punon për ndarjen e Kosovës, apo Qeveria që po ndërmerr masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që është në interes të qytetarëve dhe në harmoni me masat që po i ndërmirr  bota e civilizuar?!

Omniprezenca e zotit Hashim Thaçit në publik, duke organizuar konferenca të shpeshta për shtyp, nuk është karakteristikë e presidentëve europian, dhe jo vetëm, sepse Republika e Kosovës nuk është shtet me sistem presidencial të qeverisjes, por është shtet parlamentar me Parlament dhe Qeveri si organ ekzekutiv, kurse presidenti nuk ka kompetenca të mëdha, ato janë më shume protokolare.

Paraqitjet e shpeshta të zotit Thaqi në konferenca për shtyp, më tepër i përngjanë një zëdhënësi të presidencës se sa presidentit. Pse kjo prezencë e tepërt e zotit Thaçi në media, e mbi të gjithja me deklarata, jo vetëm jokoherente, por edhe kontradiktore ?!

Kohëve të fundit edhe këshilltarët e prsidentit Thaçi janë bërë aktiv me  deklarata  publike duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë me qëllim që t’ia mbrojnë qëndrimet e tij. Në botën e zhvilluar perëndimore nuk është praktikë që këshilltarët e një presidenti  të dalin me deklarata publike duke komentuar aktualitetin dhe zhvillimet politike, madje këta këshilltarë për nga diskrecioni  pothuase  janë anonim për opinionin. Prezenca e këshilltarëve të Zotit Thaçi në publik, më shumë  i ka karakteristikat e një aktiviteti të një fushatë zgjedhore se sa ndihmë presidentit.

Paraqitjet publike të këshilltarëve, qoftë edhe përmes shkrimeve në rrjetet sociale, dëmtojnë dhe banalizojnë institucionin e presidentit.

Pse opozita, LDK-ja dhe presidenti janë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rrëximin e Qeverisë Kurti, çka i lidhë të gjithë këta mes tyre, shëndeti publik i qytetarëve,interesi shtetëror, krimi i organizuar apo diçka tjetër. Fatkeqësisht, si po duket, kjo krizë po krijohet për interesa të ngushta personale dhe partiake e sidomos nga ata që janë të lidhur me korupcionin dhe krimin e organizuar.

Zoti Thaçi harron se shumë shtete të botës pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme, kanë ndërmarrë masa edhe më drastike në interes të shëndetit publik. Madje sot shumë shtete të Europës shtrënguan edhe më tepër masat e sigurisë për parandalimin e koronavirusit, si Belgjika, Gjermania, Franca, Spanja, Holanda e tjera, sepse sa herë që nuk mjaftojnë masat ekzistuese, ato shkojnë duke u shtuar, kurse Hashim Thaçi bënë të kundërtën.

Opozita dhe prsidenti i Kosovës po veprojnë edhe në kundërshtim me kërkesat : e Ambasadorëve të kuintit në Kosovë,të gjashtë deputetëve të Parlamentit të Zvicrës, të disa deputetëve të Bundestagut gjerman, të Bashkimit Europian, të cilët i bëjnë thirrje politikanëve kosovar që të merren me krizën sanitare e t’a lënë anash politikën populiste, që thellon krizën edhe më tepër. Kjo do të thot se kush është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian duhet t’i respektojë masat e Qeverisë, kurse  politikën t’a lënë anash gjatë kësaj krize sanitare.

Shumë shtete europiane edhe pa shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kanë ndërmarrur masa të ngjajshme me ato të Qeverisë së Kosovës dhe askush nuk i ka kontestuar ato, sepse nuk është e domosdoshme vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme për ndërmarrjen e masave shtesë, deri sa ato janë efikase.

Në momentin kur kryetarët e shteteve, opozita dhe shoqëria civile në botë është bashkuar për t’a luftuar pandeminë e covid-19, në Kosoovë politikanët e papërgjegjshëm me ndihmën e disa mediave, gazetarëve dhe analistëve të paguar i fryen zjarrit duke mos llogaritur në pasojat e rënda që mund t’i shkaktojnë.  Por po duket se për disa, sa më keq aq më mirë.

Në vend që presidenti i Kosovërs t’a luaj rolin e personit që unifikon popullin dhe të jet mbi palët, ai  bën thirrje që të mosrespektohen vendimet e Qeverisë, që është në kundërshtim me përgjegjësitë e tij.

Tani është koha që presidenti i Kosovës t’a luaj rolin e tij kushtetues dhe unifikues duke iu bashkangjitur masave të Qeverisë dhe t’i bëjë thirrje qytetarëve për respektimin dhe zbatimin e tyre.

Edhe opozita duhet të jet shumë konstruktive në këto momente të vështira sepse nuk është koha për përçarje, por për unitet sepse interesi kombëtar e kërkon këte, sepse është e  pakuptimt ata që po e shkaktojnë krizën, tani po propozojnë se si t’a zgjidhin ate, kjo i bie sikur piromani që shkakton zjarrin, pretendon që ai t’a shuaj.

Prandaj sot ose kurrë, koha është  për bashkëpunim, bashkrenditje dhe bashkveprim partiak dhe institucional duke lënë anash interesat e ngushta në profit të zgjidhjes së krizës sanitare dhe mirëqenies sociale, sepse fiziononomin politike të Kosovës, respektivisht të Kuvendit dhe Qeverisë e ka përcaktuar vullneti i popullit, kurse tani politikanët duan të veprojnë në kundërshtim me sovranin, duke tentuar rrëximin e Qeverisë, që ata vet votuan.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat