21-vjetori i luftës së NATO-s për Kosovën duhej kujtuar më mirë, edhe në këto rrethana

Opinione

21-vjetori i luftës së NATO-s për Kosovën duhej kujtuar më mirë, edhe në këto rrethana

Nga: Muhamet Hamiti Më: 25 mars 2020 Në ora: 11:04
Muhamet Hamiti

Udhëheqësit kryesorë të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Albin Kurti, nuk u janë drejtuar sot me mesazhe domethënëse kujtimi e falënderimi as qytetarëve të vendit as miqve ndërkombëtarë që dolën krah nesh në orët e liga të historisë sonë, kur Serbia po bënte luftë gjenocidale kundër popullit shqiptar të Kosovës.

Presidenti ka bërë postime në facebook dhe twitter, por jo paraqitje publike me pamje e zë për qyetarët e vendit, ndërsa Kurti vetëm postim në twitter nga fundi i ditës në përvjetorin e sivjemë të 24 marsit të vitit 1999.

Në 21-vjetorin e nisjes së fushatës ajrore 78-ditëshe të NATO-s kundër makinerisë ushtarake serbe për të shpëtuar popullin e Kosovës, që solli lirinë e Kosovës dhe hapi rrugë për pavarësinë tonë, e donte rendi që Presidenti dhe Kryeministri të jepnin mesazhin e mirënjohjes sonë të thellë ndaj NATO-s, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Italisë, por edhe vendeve të tjera aleate. Poashtu edhe ndaj KFOR-it që është këtu tash e 21 vjet për të siguruar paqen në Kosovë.

As gjendja me pandeminë që e ka kapluar botën dhe e ka prekur Kosovën, as kriza e Qeverisë dhe tensionet politike që e shoqërojnë, nuk do të duhej ta linin në hije të plotë përkujtimin më kuptimplotë (edhe në rrethanat që jemi) të 24 marsit të vitit 1999, kur aleanca më e madhe ushtarake-politike e në historinë e njerëzimit nisi luftë me

Serbinë agresore që donte ta fshinte Kosovën dhe popullin e saj nga faqja e dheut.

Kosova sot është e lirë dhe e pavarur falë rezistencës së përgjithshme të popullit të Kosovës të prirë nga Presidenti Ibrahim Rugova, falë qëndrestarëve e luftëtarëve tanë të lirisë (UÇK-së), dhe, jo e mbrama përnga rëndësia, falë NATO-s që i dha goditjen vendimtare agresorit tonë.

Një falënderim i madh të gjithëve. Miliona falënderime!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat