Kjo s’është LDK-ja e Ibrahim Rugovës

Opinione

Kjo s’është LDK-ja e Ibrahim Rugovës

Nga: Xhevat Muharremi Më: 26 mars 2020 Në ora: 23:11
Xhevat Muharremi

z. Mustafa, kjo LDK sigurisht nuk është më ajo LDK e të madhit Ibrahim Rugova, as nuk e ka më atë shkëlqim që e ka pasur, formalisht quhet akoma LDK, por realisht ndërkohë ka ndërruar disa herë emrat dhe ngjyrat kjo parti.

Nuk Ju tregova asgjë të re, sepse e dini për cka po flas. Unë besoj dhe Ju e dini, se LDKja mund të vlejë shumë më shumë, se sa fytyrën që e tregoi ajo mbrëmë. Ju e dini, se qëndrimi i mbrëmshëm i LDKsë nuk përputhet as me anëtarësinë e as me votuesit e LDKsë, të cilët mjerisht nuk dëgjohen, por është qëndrimi i një kryesisë, që po e mban peng partinë për të shkëlqyer edhe njëherë.

Më vjen keq, por qëndrimi i kryesisë së LDKsë i shprehur mbrëmë aspak nuk korrespondon me idealet që i mbjelli Ibrahim Rugova në LDK. Cfarë interesi keni? Sepse veprimet e kaluara nuk mund të jenë në dobi të partisë.

Ose prisni të përfitoni një dobi, ose keni presion nga dikush, përndryshe njeriu nuk do t'ia bënte këtë partisë së vet. Nuk po e them me asnjë urrejtje, pa asnjë qëllim të fshehtë, por me sinqeritetin më të madh, se i jepni kontributin më të madh partisë, nëse u ndihmoni personave të caktuar në LDK, që kanë potencialin më të madh për t'i dhënë partisë shkëlqimin që ka pasur, të jenë kryesia e kësaj partie. E dini se kam të drejtë.

Unë prej se ka vdekur Ibrahim Rugova nuk kam votuar kurrë më, sepse do të kishte qenë votë koti, kudo që të shkonte, përsëri ka shkuar kot, sepse besoj se është vjedhur vota ime që nga atëherë.

Së fundmi e kam votuar VV. A e dini pse? Une nuk jam anëtar i VV, nuk identifikohem me të, por më ka dhënë një fije shpresë Albin Kurti, sepse atë që e thotë edhe e mendon, deklaratat e tij përputhen me veprimet e tij, njeriu mund të llogaris në të, sepse e mban fjalen, shkurt: ka integritet. Nuk mund të presësh lojalitet nga votuesi, njëjtë sikur biznesi, që nuk mund të pret lojalitet nga klienti, sepse ai shkon aty, ku e sheh dobinë më të madhe. Nesër, po të shihja këtë integritet në LDK, do e votoja LDKnë, përsëri, jo për shkak se jam me LDKnë, por sepse shoh dobi për popullin tim dhe shtetin tim.

Nuk vlen vota ime asgjë për LDKnë, por besoni se kjo është arsyeja e shumë qytetarëve që nuk e votojnë më LDKnë, kjo është arsyeja, pse LDK nuk merr më votat që i kishte në kohën e Ibrahim Rugovës dhe kjo është arsyeja, pse do të humbni edhe shumë votues të tjerë, që nuk ju kanë besuar domosdoshmërisht, por janë identifikuar gjithnjë me LDKnë dhe kanë mbajtur shpresat se do të triumfojë përsëri. Do të Ju duan shumica e anëtarëve dhe votuesve, nëse bëni gjënë e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat