Gjithmonë mirënjohës ndaj ShBA-ve, mall për shtetin ligjor

Opinione

Gjithmonë mirënjohës ndaj ShBA-ve, mall për shtetin ligjor

Nga: Lis Bukuroca Më: 28 mars 2020 Në ora: 17:55
Lis Bukuroca

Unë nuk di çfarë po ndodh, por jam tmerruar me ndryshimin e rrufeshëm të qëndrimeve të shumë vetave: me ashpërsinë në gjykime, me ekskomunikimet dhe me sitgmatizimet.

Tepër të rrallë janë ata shqiptarë, që janë kundër Amerikës, por shumica prej tyre dëshiron të dijë se çfarë po ndodh, çfarë po përgatitet. Dyshimet janë krijuar sepse Thaçi merret me detyra, që nuk i takojnë me kushtetutë. Dhe, ndaj Serbisë nuk ka asnjë trysni, në anën tjetër, kryetari i Kosovës është i shantazhueshëm!

Çfarë di unë? Unë di se:

Negociatat nuk ishin dhe nuk janë transparente. Me Qeverinë e re kishim shpresa për një shtet juridik. Nga shteti i së drejtës kishin frikë shumë veta. Ata kishin interes jashtëzakonisht të madh për ta rrëzuar. Tani e tutje do të vazhdohet me bashibozuk-sistemin, ndoshta edhe duke shkelur parimet themelore të Kushtetutës për të krijuar Qeveri sipas nevojës së çastit.

Frika ime është ndërtimi i një shteti jofunksional, si Bosnja, me kishën Ortodokse si shtet brenda shtetit dhe me Republikën Serbe. Konturat për këtë tashmë janë vizatuar…

Edhe shkëmbimi i territoreve nuk është fantazi, por fakt që mund të lexohet në internet dhe quhet KORRIGJIM kufiri! Për veprimet të tilla, nuk kanë folur fallxhorët, por Thaçi dhe Vuçiqi.

Grenell nuk mund të flasë për gjëra sekrete publikisht, sepse është shef i Inteligjencës Kombëtare. Një shef i një shërbimi që thotë të vërtetën, shkarkohet brenda orës!

Fakt ishte se Grenell thoshte çfarë ne dëshirojmë të dëgjojmë, por në vepër, bëhet ajo që i konvenon Serbisë, ose oligarkëve në Prishtinë. Fitorja e tyre është disfatë për shtetin juridik. Ka edhe një risi: edhe deputet serbë treguan mirëkuptim ndaj kërkesave të Isa Mustafës.

Grenell tha se me taksat po dëmtohej populli i Kosovës. Kjo domethënë se synimi i tij kryesor dhe fisnik është që ai të shpëtojë popullin e Kosovës nga vendimi i Ramushit, Veselit, Limajt dhe në fund edhe i Albinit.

E pastaj, pas mbylljes së tregut kosovar, Erdogani ia hapi tregun diku dyzetë herë më të madh! Faktikisht me vendimin kundër popullit që kishin marrë të lartpërmendurit, kishin ndihmuar Serbinë gati 40 herë më shumë.

Është pak kjo? Pse të mos shpërblehen për atë kontribut aq të madh Serbisë?

Pse kam frikë nga Trumpi?

Sepse kryetarët tjerë amerikanë kanë qenë më pak enigmatik, më miqësor dhe kanë kuptuar tragjedinë shqiptare. Trumpi na vuri sanksione dhe na detyroi ta rrëzojmë qeverinë! Dhe, ne do t’i rrëzonim të gjitha qeveritë për Amerikën, mjafton të mos dëmtohet Kosova në negociata. Mjafton të mos favorizohet Serbia duke cenuar interesat vitale të shteti të Kosovës.

ShBA e ka njohur Kosovën me këtë hartë. Problemi është te integrimi i serbeve në shoqëri dhe kthimi i shqiptarëve në veri.

Trumpit duhet t’i tregohet se mbetja e shqiptarëve në Maqedoni Veriore, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, nuk ishte dëshirë e jona, por pasojë e pushtim serb, edhe atë, me ndihmën ruse. Tragjedia shqiptare për më shumë se një shekull, mban vulën dhe nënshkrimin serb!

Sikur të kisha mundësi, do t’i kërkoja ndjesë Grenellit, por do t’i thosha se qëndrimi i tij, më duket mua mjaftë pro serb dhe se unë, do të trishtohesha të nënshkruaj diçka.

Uroj të mos realizohet droja ime, por vetëm shpresat nga festa e atyre, që me mish e shpirt, u angazhuan për mosbesimin ndaj Qeverisë dhe rrënimin e mundësisë për reforma serioze dhe për shtet ligjor!

Një mundësi është humbur, por jo shpresa! Populli nuk ka nevojë vetëm për pajtim me Serbinë, por edhe për shtet normal në shërbim të qytetarit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat