A janë vjetruar krimet e (pas)luftës?

Opinione

A janë vjetruar krimet e (pas)luftës?

Nga: Fadil Lepaja Më: 29 prill 2020 Në ora: 13:51
Fadil Lepaja

Kush e ka shpatën, për të prerë nyjen gordiane të quajtur “çështja e Kosovës”? Kush (nuk)do dhe kush (nuk)mundet të përmbyllë një konflikt të gjatë mëse një shekull, i cili mori dhjetëra mijëra jetë njerëzish kryesisht shqiptarësh etnik, dhe shpërnguli qindra mijëra të tjerë, në Azi të Vogël, apo nëpër mërgatën e pafund shqiptare anekëndë globit, nga Alaska në Zelandë të re? Kush do dhe kush nuk do të mbyllet konflikti? Kush (nuk)janë qunat problematik?

“We are not problematic guys“, deklaroi presidenti Thaçi në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, duke dashur të sqaronte se ai dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, po tentonin të arrinin një marrëveshje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, në storien e dialogut, ai dhe Vuçiç, janë djemtë e mirë, tërë kohën shihen duke biseduar kokë më kokë dhe me dorën para gojës, për të mos lexuar askush as nga buzët e tyre paragrafet e marrëveshjes sekrete, e cila po përflitet nëpër debate dhe foltore publike.

Edhe njëzet vjet pas lufte, paqja nuk duket afër, as pas një dekade dialogu të ndërmjetësuar nga BE. Ende nuk janë gjetur dhe këthyer të vrarët, as nuk janë varrosur viktimat civile të e luftës. Gati askush nuk ka dhënë përgjegjësi për mbi 13 mijë civil të vrarë dhe të zhdukur në këtë vend, ku përpos një ushtrie pushtuese, për të i dhënë fund luftës u përfshi edhe koalicioni më i fuqishëm ushtarak i globit, duke bombarduar caqet ushtarake serbe, në Kosovë dhe në Serbi. Kështu, kjop çështje mori përmasat e një (mos)marrëveshjeje ndërkombëtare, në mes dy entiteteve politike të ish Jugosllavisë, dhe në mes dy popujve fqinjë të ballkanit Perëndimorë, duke implikuar kështu shumë faktorë të jashtëm.

Pra, djemt joproblemtatik ishin deklaruar, në Alpbach të Austrisë, më 25 gusht 2018, se po punonin për një marrëveshje, e cila përflitej në publikë, si marrëveshje sekrete për shkëmbime teritoriale, apo për korigjim kufijsh. Përfundimisht, kaosi i krijuar politik, në Kosovë, përpos pandemisë së COVID-19, duket të jetë shkaktuar pikërisht nga lobimi i sukseshëm në Vashington, i “djemve jo-problematik” Thaçi-Vuçiç dhe me shumë gjasë përkrahur fuqishëm edhe nga Moska, Ankaraja dhe ndonjë kryeqendër tjetër politike, ndërkombëtare.

Pasojat e pandemisë dhe të tendencës për të futur gjendjen e jashtëzakonshme, me pasoja të paparashikueshme politike, tashmë i kemi parë, ndërkohë që lufta për të mposhtur COVID-19 dhe marrëveshjen për kufijtë, po vazhdon, jo vetëm nëpër Kosovën, por edhe nëpër mediat tona problematike, duke ngujuar kështu dyfish publikun i cili sado që dëshiron nuk arrinë të ikë dhe fshihet nëpër kanalet e shumta televizive apo nëpër rrjet. Ku të ikësh nga politika dhe gazetarët tonë grindavec të cilët shpojnë veshtë me zërin e lartë, dhe arsyen e ultë.

Të këthehemi te titulli. Dy debate, të ndara, këshilltarësh, së fundmi, trazuan qetësinë epike të qytetarëve përballë sfidave shëndetësore dhe politike, vendore dhe globale. Kemi mbetur të izoluar në karantinë, pa qeveri të zgjedhur, të rrëzuar përmes një konspiracioni i cili, mblodhi 82 vota, në një votim parlamentar ku të gjithë kundërshtarët e ndryshimeve në këtë vend, u bënë bashkë nën flamurin e një pro-amerikanizmi të sforcuar, edhe pse vështirë se në Kosovë mund të gjindet qoftë edhe një antiamerikan i vetëm, i deklaruar.

Derisa Shkëlzen Gashi, tashmë ish-këshilltar politik i kryeministrit në detyrë të Kosovës, e turbulloi ujin me deklaratën e tij për problemin faktik, të 1000 civilëve serb të zhdukur, dhe interpretimin e tij subjektiv për fajësinë “tonë”, këshilltari i kryeministrit Rama,( dhe i kujtëdo që është i interesuar të blejë këshillat e tij), bëri skandal tjetër, duke u shprehur se, pas 20 vitesh duhen amnistuar kryesit e krimeve të luftës në Serbi dhe në Kosovë, se duhet shuar gjykata speciale për krimet e luftës, dhe së fundi se duhet këthyer Serbisë tokat të cilat ajo na i paska falë dikurë. Natyrisht, ky është pak a shumë kuptimi i përmblëedhur i urtisë politike të njeriut të cilit tashmë nuk i dihet më profesioni primar.

Sido që të jetë, përpos dallimeve ka edhe ngjashmëri në deklaratat e tyre. Që të dy flasin për probleme ekzistuese, të cilat nuk mund të anashkalohen, që janë viktimat civile të luftës, në pjesën më të madhe shqiptare, ndoshta proporcionalisht me numrin e popullsisë në Kosovë, edhe ato serbe. Si duket, këshilltarët, vetëm e nxorrën në publikë thelbin e problemit, atë se klasa politike e Kosovës dhe Serbisë, janë të shqetësuar dhe e pasigurtë lidhur zbardhjen dhe gjykimin për vrasjet e civilëve gjatë dhe pas luftës. Deklarimi i njërit se duhet të përgjigjen fajtorët, qofshin ata edhe zyratrë të ish UÇK-së apo deklarimi i tjetrit, se fajtorët do të duhej të amnistohen, e ka sjellë në konfuzion në mendjen kolektive të kosovarëve dhe jo vetëm të atyre.

Nëse ndjekim logjikën e Shkëlzen Gashit, krimet duhen zbardhur dhe të gjithë kryesit e krimeve duhen arrestuar dhe gjykuar, pa marë parasyshë për kë është fjala, duke e liruar kështu edhe skenën politike nga kriminelët. Nëse ndjekim logjikën e Baton Haxhiut, mësojmë se, pas 20 vjetve, krimet e luftës janë vjetruar, se kriminelët duhet amnistuar. Ai na mëson se është fat se liderët në Kosovë dhe Serbi janë historik dhe mund të bëjnë zgjidhje historike, pra edhe të mbyllin konfliktin shekullorë, prandaj duhen liruar nga çdo përgjegjësi.

Sidoqoftë, qytetarët janë të mbyllur në karantinë dhe nuk mund të vlerësojnë, dhe të vendosin lidhur me këtë dilemë, të falen apo jo krimet e luftës, të ndërrohet apo jo klasa politike që po mbahet peng nga ky proces. Lidhur me këtë, me shumë gjasë, në mënyrë indirekte, në vend të qytetarëve do të vendosë Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, edhe qytetarët kanë mundësi të deklarohen, ashtu sikur deklaroheshin viteve të 90-ta në ish-jugosllavi, pra duke bërë protestë me kusi, e me tepsi, me tenxhere e me fërtere!

Tenxheret dhe fërteret, e sollën NATO-n! Të shohim çfarë do të sjellin tani....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat