Pse kjo gjuhë dhe kjo sjellje - Bota Sot
Pse kjo gjuhë dhe kjo sjellje

Opinione

Pse kjo gjuhë dhe kjo sjellje

Nga: Skender Musliu Më: 30 maj 2020 Në ora: 20:41
Skender Musliu

Deri para disa kohe, dy – tre viteve, z.Thaqi, pothuajse në baza ditore, ishte prezent nëpër media dhe konferenca për shtyp ku temë të vetme dhe kryesore kishte ndryshimin e kufirit, ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve me Serbinë, bashkangjitjen e Luginës së Prshevës Kosovës, duke dashur t’a përgatis opinionin me opcionin e tij se kjo është zgjidhja e vetme për arritjen definitive të një Marrëveshje me Serbinë.

Të njejtin aktivitet me mediat e bënte në kohën e formimit të « Zajednicës » por edhe për formimin e Dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, duke dashur t’a bindë opinionin se ato ishin të domosdoshme me qëllim që Kosova të ecte përpara.

Me qëllim të prezencës së tij të vazhdueshme në media të ndryshme, prej formimit të Qeverisë Kurti, z. Thaqi ndryshoi temën e diskursit.

Paraqitjet publike të z.Thaqi në televizione të ndryshme dhe konferenca për shtyp duke deklaruar se Lëvizja Vetvendosje dhe Zotri Kurti janë organizatë e strukturuar kriminale, janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Me këto deklarata sikurse z.Thaqi po e përgatitë terrenin që kur të formohet, nëse formohet, Qeveria Hoti, të fillojnë denoncimet për inskenimin e proçeseve të montuara politike kundë Lëvizjes Vetvendosje dhe Zotit Kurti. Kjo po ashtu konsiston edhe me deklaratat repititive të z.Thaqi që Kurti dhe grupi i tij duhet të dalin para drejtësisë për shkak aktiviteteve kriminale. Parashtrohet pyetja se çfar aktivitete kriminale paskan bërë për tre muaj qeverisje, zatën z.Thaqi para shumë viteve ka tentuar që Lëvizjen Vetvendosje t’a shpallë organizatë kriminale. A thua Qeveria Kurti, që qeverisë vendin për tre muaj, apo ata që qeverisën dhe shkatruan shtetin, që instaluan korrupcionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar për dy dekada rresht duhen të dalin para drejtësisë, çfar demagogjie dhe paradoksi.

Është skajshmërisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme kur z.Thaqi akuzon Zotin Kurti se ka uzurpuar zyrën e kryeministrit, sikurse po harron se Zoti Kurti e ka mandatin nga sovrani, sepse në zgjedhjet e fundit ai ka garuar për postin e kryeministrit, prandaj ai në mënyrë legjitime është në zyrën e tij, kurse z.Thaqi nuk është zgjedhur me vota të drejtpërdrejta nga populli por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes pazareve politike me LDK-në.

Ajo çka është karakteristike në paraqitjet e z. Thaqi, është diskursi dhe niveli banal që përdorë me institucionin ekzekutiv respektivisht Qeverinë, e në veçanti me kryeministrin në detyrë dhe ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë nga rradhët e Lëvizjes Vetvendosje.

Deklaratat e tij paushalle dhe etiketimet e pamatura, nënçmuese dhe të ulta ndaj kryeministrit në detyrë dhe, siç thot ai, grupit të tij dhe puntorëve të vet, nuk janë korrekte dhe dalin jashtë standardeve të komunikimit normal të një kryetari të shtetit, sepse kjo dëmton rëndë integritetin dhe funksionin e kryetarit.

Fjalori i z. Thaqit në publik dhe komunikimi institucional ndoshta mund të jet në përputhje me karakterin, personalitetin dhe kulturën e tij, por aspak nuk është konform, madje është në kundërshtim, me posti dhe funksionin që ai ushtron.

Presidenti në asnjë rast nuk duhet dhe nuk mund t’a luaj rolin e policit apo prokurorit duke bërë denoncime dhe kualifikime publike paushalle pa kurfar argumenti, dhe nëse ai ka indikacione atëherër duhet t’u drejtohet organeve kompetente, e jo të bëje paragjykime dhe linçime publike, sepse se në mungesë të argumenteve fillojnë shpifjet dhe akuzat banale.

Se si presidenti tejkalon dhe shkelë kompetencat tregon edhe fakti se si ai kalon kufirin shtetëror në kundërshtim me protokollin dhe në kundërshtim me masat e pandemisë, ose kur ai shkon në restoran atëherë kur është e ndaluar.

Po ashtu sipas Kushtetuitës së Republikës së Kosovës, presidenti, përveç tjerash, ka obligim t’a ruaj Rendin Kushtetues, sigurinë dhe stabilitetin e vendit si dhe tërësinë dhe integritetin territorial të vendit, kurse ai fatkeqësisht, pa konsultimin e asnjë institucioni shtetëror respektivisht Qeverinë dhe Kuvendin, bën të kundërtën, duke propozuar vite me rradhë ndarjen e territorit të Kosovës, që u fitua me luftë.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të mbrohet Zoti Kurti, port të pasqyrohet sjellja e presidentit që nuk është në harmoni me funkdionin që ushtron.

Situatën politike dhe të sigurisë e ka rënduar edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Dekretain e prsidentit Thaqi.

Edhe pse kjo është një temë në veti, në kalimth vetëm po përmendi se, sikurse që do të mbahet në mend për një kohë të gjatë Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti në kohë pandemie, ashtu do të mbahet në mend edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për veprimin e saj antikushtetues.

Ky Aktgjykim jo vetëm që ka nxjerrë në shesh ndikimin politik, punën joprofesionale dhe arsyetimin amatoresk, por ka kompromituar Institucionin Suprem juridik të Kosovës, Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Bëhet fjalë për një Aktgjykim që nuk ka të bëjë aspak me realitetin juridik, që ka huqë komplet substancën dhe sensin e çështjes,kohën dhe vendin, më tepër i përngjanë një Pamfleti politik dhe që i plotëson dëshirat dhe egot e porositësve se sa një akti juridik.

Gjykata Kushtetuese si institucioni më i lartë i drejtësisë që ruan dhe garanton balansin e pushtetit dhe që ruan Rendin Kushtetues, ka vepruar në mënyrë të kundërt, ka rrënuar këtë rend duke shkaktu ar një grusht shtet të llojit të vet.

Mirëpo nëse merret parasysh mënyra se si janë zgjedhë, me propozimin e kujt janë votuar dhe kush i ka votuar gjyqtarët e kësaj gjykate, është krejtësisht normale që ky aktgjykim është konform interesave të patronëve të tyre, gjyqtarët janë vendosur sipas sistemit « Pronto ».

Këtë Aktgjykim nuk ka mundur askusht tjetër t’a porosis përveç politikanëve të profilit të lartë, siç është z.Thaqi e pastaj edhe z.Mustafa, sepse gjyqtarët janë të përzgjedhurit e tyre, prandaj z.Thaqi ditëve të fundit nëpër televizione vazhdimisht deklaronte se ishte i sigurtë se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favorin e tij dhe se do t’a pranonte Aktgjykimin si të tillë.

Për fat të keq me këtë Aktgjykim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës po i kthen në pushtet partitë politike që humbën zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, kastën e vjetër që sovrani i çoi në opozitë.

Qeveria në detyrë për një kohë të shkurtër filloi t’ua publikojë keqpërdorimet masive të politikanëve të papërgjegjshëm, e sidomos kur proçesi i Vetingut ishte në përgatitje e sipër, prandaj të frikësuar nga drejtësia keqbërësit nuk patën rrugë tjetër përpos në shkelje të Kushtetutës t’a përmbysin Qeverinë.

Sido që të jet, ata që e kanë krijuar këtë situatë duke rrezikuar sigurinë kombëtare, herët apo vonë do të dalin para drejtësisë, por para kësaj, po më duket se do t’u ndodhë populli.

Bruksel, 30 Maj 2020 Skender Musliu, jurist i diplomuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat