Një shqetësim i drejtë i Profesorit Thanas Gjika

Opinione

Një shqetësim i drejtë i Profesorit Thanas Gjika

Nga: Eshref Ymeri Më: 14 korrik 2020 Në ora: 19:43
Eshref Ymeri

Disa kohë më parë pata lexuar analizën e Profesorit me titull “Dy kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë” dhe variantin e pasuruar të saj, të botuar më 13 korrik në portalin “Fjala e Lirë”, me titullin “Në vend të polemikës me z. Auron Tare”.

Në këtë analizë bie në sy objektiviteti i vlerësimeve që autori ka bërë për bashkëjetesën e çuditshme të antikulurës shqiptare, të krijuar nga servilët e regjur të diktaturës së kriminelit Enver Hoxha dhe të neodiktaturës që e pasoi pas vitit 1990, me kulturën e vërtetë të krijuesve me dinjitet të lartë kombëtar, të cilët u dergjën burgjeve dhe kampeve të internimit, apo braktisën atdheun dhe e vijuan krijimtarinë në Diasporë.

Kjo bashkëjetesë absurde, për të cilën autori thotë me shumë të drejtë se nuk mund të vazhdojë gjatë, shpjegohet me skenarin e dhjetorit të vitit 1990, kur në sytë e opinionit publik u shfaq komedia e gjoja përmbysjes së diktaturës kriminale enveriste, çka ishte një mashtrim i mbrujtur me kujdes nga krimineli Ramiz Alia, me qëllim përjetësimin e pushtetit të “egjrës” që la pas krimineli me damkë Enver Hoxha. Shfaqja e asaj komedie domosdo që do të sillte si pasojë zëvendësimin e diktaturës komuniste me një neodiktaturë me maskë pluraliste. Prandaj edhe, - siç thekson autori bukur mirë, - politika në pushtet nuk e dënoi publikisht diktaturën komuniste për masakrimin dhe varfërimin gjysmëshekullor të popullit shqiptar. Për pasojë, askush nga ish-përfaqësuesit e lartë të diktaturës nuk i kërkoi ndjesë popullit shqiptar për krimet e kryera dhe varfërinë proverviale, as partitë politike që dolën nga gjiri i kriminales Parti e Punës nuk e kërkuan një ndjesë të tillë. Drejtuesit veteranë të diktaturës komuniste u tërhoqën nga pushteti për të krijuar përshtypjen e rreme se në Shqipëri u vendos demokracia (në të vërtetë,u vendos demoshëmtia, e cila ka tashmë disa vjet që po shfaqet në mënyrën më të neveritshme të qeverisjes së vendit nga një parti e vetmne politike, me në krye një pinjoll të diktaturës komuniste), me qëllim që të krijonin kushtet për rikthimin në pushtet të pinjollëve të tyre. Dhe kur ato kushte u krijuan, në pranverën e vitit 1997 ata nxitën pinjollët në fjalë për t’u hedhur në një sulm tërbimtar për shkatërrimin e vendit dhe marrjen e pushtetit, shkatërrim që do të kujtohet si faqja më e zezë në historinë e kombit shqiptar.

Nënkuptohet që edhe krijuesit e botës së letrave, si kryeservilë dhe servilë të diktaturës, nuk mund të kërkonin ndjesë për antivlerat që krijuan për publikun shqiptar. I pari që duhej të jepte shembullin e pendesës publike për të gjithë krijuesit në shërbim të diktaturës, duhej të ishte Kadarea, i cili në krijimtarinë e vet poetike pati himnizuar lart diktatorin. Libri i shumë të nderuarit Petraq Kolevica, me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, përbën “pasaportën” e Kadaresë në shërbim të diktaturës. Po ashtu, opinionit publik dhe sidomos shtresës së të përndjekurve politikë, veçanërisht krijuesve të talentuar, viktima të diktaturës komuniste, duhej t’u kishte kërkuar ndjesë i ndjeri Dritëro Agolli për botimin e Elegjisë së shpifur, kushtuar vdekjes së kriminelit Enver Hoxha, elegji që është një fyerje e rëndë për mbarë popullin shqiptar, të cilin krimineli Enver Hoxha e varfëroi deri në përmasa mitike.

Në qëndrimin e Tares ndaj dy figurave të shquara të kulturës shqiptare në Diasporë, si Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, nuk ka asgjë për t’u habitur. Tarja është një përfaqësues i zellshën i trashëgimisë diktatoriale komuniste dhe nuk mund të mbajë qëndrim tjetër ndaj tyre. Lexuesve të nderuar me siguri iu kujtohet fotografia e Tares, me automatik në dorë, në krye të bandave të ndërkryera gjatë rebelimit komunist të vitit 1997. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi nga zhgarravinat e Tares, sepse në përballjen me ata dy korifenj të kulturës shqiptare, Tarja dhe zhgarravinat e tij përfaqësojnë qimen, e cila nuk ngjit dot në kadifenë e Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat