Kriza e Universitetit, çfarë duhet të ndryshojë? - Bota Sot
Kriza e Universitetit, çfarë duhet të ndryshojë?

Opinione

Kriza e Universitetit, çfarë duhet të ndryshojë?

Nga: Msc. E.l.L Adriana Istrefi Më: 12 gusht 2020 Në ora: 17:28
Adriana Istrefi

Giamatti është shprehur se ``Universitetet nuk janë këtu për të qenë medium për detyrimin e njerëzve të tjerë, ata do të jenë mediume për shkëmbimin e lirë të ideve.`` Në shek. XXI, diskutojmë pafund për ndryshimet që ka pësuar sistemi arsimor global, por edhe arsimi në trevat shqipfolëse. Jemi përballë sfidave ekzistenciale, për të ndryshuar jetët tona, për të pranuar mendimin ndryshe, për të formuar elitën kombëtare. Por Universiteti sot është kthyer në një institucion, ku shpesh diplomat i ngjajnë një tregtie dijesh. Është kaq e vështirë të pranosh se Universiteti nuk është thjesht një kualifikim përfundimtar, por Universiteti është formimi i individit, personalitetit dhe të bërit një qytetar i përgjegjshëm në shoqëri.

Universiteti është instititucioni i vetëm, ku gjithësecili formohet si një individualitet unik, aftësohet dhe angazhohet në një disiplinë të caktuar duke u mjeshtëruar. Por sot mjeshtëria në një fushë të caktuar krijon një kolaps marrëdhëniesh midis institucionit dhe individit, pedagogut dhe studentit duke krijuar hierarki që nuk i shërbejnë aspak pedagogjisë shqiptare. Arsimi është një e drejtë e gjithësecilit dhe si e drejtë kërkon angazhim të dyanshëm. Gërryerja e Universitetit është themeli i ngjizjes së injorancës e cila duke lulëzuar në shoqërinë shqiptare i jep mundësi analfabetizmit funksional të fitojë mbi dijen.

Sigurisht që Universiteti shqiptar ka nevojë për një transformim rrënjësor, për platforma të reja, për formimin e modelit të pedagogut inspirues i cili zgjon kureshtjen tek studenti tij, ka nevojë pë ide që gjenerojnë frymën kritike, ka nevojë për punë kërkimore, ka nevojë për shkencë e mbi të gjitha ka nevojë të zhduk krizën ekzistenciale të njeriut në shek. XXI.

Zgjedhjet për Autoritetet Drejtuese në Universitetin e Tiranës u gjendën përballë një kohe e cila kërkonte zhvendosjen e përgjegjësisë elektorale ndaj Pandemisë, në një kohë të pakohë, por të nevojshme, të domosdoshme për të ndryshuar lulëzimin e burokracisë e cila, kur ulet në karrigen universitare e degdis Universitetin në një Diplomore e cila thjesht prodhon në shumicë. Gjenerimi i debatit për Universitetin e Tiranës dëshmon se, UT mbetet froni më i sigurtë për formimin e elitave, institucioni më i rëndësishëm që dëshmon se shumë prej tyre e duan ndryshimin. Në shtetet perëndimore posti i Rektorit është një nga detyrat që kërkon më shumë përgjegjësi dhe stafi akademik e sheh si një angazhim tepër serioz dhe aspak të kënaqshëm, ndërsa në Shqipëri posti i Rektorit mbetet kaq i lakmueshëm duke anashkaluar misionin më të lartë që mbart një pedagog, atë të misionarit në edukim duke e parë atë si një luftë për interesa personale.

Duke u angazhuar pranë KIZ si asistente vullnetare, u ndesha përballë një sjellje institucionale, ku serioziteti dhe përgjegjshmëria janë tregues se ndryshimet gjithmonë nisin nga misioni për të pranuar mendimin ndryshe, ku pandemia nuk të vret nëse masat e sigurisë zbatohen, ku vota nuk vidhet si në votimet politike, por numërohet, ku studenti dhe pedagogu përmbushin të drejtën për të votuar duke përqafuar idealin e ndryshimit, në emër të edukimit dhe arsimit shqiptar.

Një shoqëri e paarsimuar është një shoqëri e vdekur, ndërsa një shoqëri e arsimuar gabim është një shoqëri analfabete. Të ndryshoh do të thotë të jesh prijës për të pranuar tjetrin, të duash ndryshimin në arsim do të thotë që studenti duhet të aktivizohet. Vota është akti më i lartë për të shprehur mendimin tënd, pro ose kundër. Arsimi në Shqipëri është një nga plagët që të dhemb kaq shumë, por nevoja emergjente është zhdukja e burokracive që kanë mbizotëruar kaq gjatë në Universitet.

Mos të harrojmë që në të njëjtën kohë pandemie, Maqedonia e Veriut zhvilloi zgjedhjet parlamentare, duke garantuar zhvillimin e jetës vendore përmes masave dhe protokollit të sigurisë. Zgjedhjet universitare në Shqipëri janë një formë e demokracisë universitare, janë modeli që kërkon vendosjen e një feneri drite dhe shprese për të sjellë ndryshime të reja.

Kriza në Universitetet shqiptare kërkon një hap më të madh të angazhimit dhe udhëheqësisë akademike, nxitjen dhe zhvillimin e jetës studentore dhe nevojave të tyre, braktisjes së ideologjive të vjetruara të një pushteti akademik dhe fuqizimit të zërit studentor.

``Mjaftojnë pak vjet për të mësuar një barbar. Po ndonjëherë duhen shekuj për ta edukuar``, shprehet mendimtari Gustave Le Bon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat