Privatizimi i pronave shoqërore dhe blerja e tyre një (1) euro arin, është vepër kriminale dhe antishtetërore..!?

Opinione

Privatizimi i pronave shoqërore dhe blerja e tyre një (1) euro arin, është vepër kriminale dhe antishtetërore..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 tetor 2020 Në ora: 20:42
Rexhep Elezaj

“Po të dhimbset toka e Kosovës a..?”, kështu i paskan thënë anëtarët, ish- kryetarit të Bordit të AKP-së, z. Blerim Rexhës, i vetë-dorëhequr nga ai post për shkak të procesit të privatizimit me një çmim tepër mizerabël, një (1) ari për një euro (marrë nga deklarata e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar, me 15. 10.2020)..!?

Është fakt i gjallë të cilin tanimë e kanë kuptuar gjithë shqiptarët, se hajnat, uzurpuesit dhe plaçkitësit e pasurive të popullit dhe të shtetit të Kosovës si dhe profiterëve të luftës, Kosova asnjëherë nuk iu është dhimbsur as sa një kokërr drithi, përndryshe nuk do e kishin vjedhur që 21 vite më zi se edhe regjimi i S. Millosheviçit, duke uzurpuar fusha, male, vreshta, kodrina e livadhe, fabrika e uzina, banesa dhe shtëpi të rrënuara nga lufta. Pra, nuk do kishin ble (uzurpuar) me nga 200 hektarë toka të popullit (mëre) për një (1 – 3.75) euro arin, sepse do t’i kishte vra sado pak ndërgjegjja kombëtare, të cilën kanë treguar se nuk e kanë poseduar kurrë.

Tokat dhe pasuritë shoqërore të Kosovës nuk na i ka nacionalizuar (uzurpuar) të tërat, madje as regjimi ish jugosllav komunist në vitin 1956 e tutje me Reformën agrare, e njohur si koha e kasapit të Ballkanit, A. Rankoviçit, kur shqiptarëve iu morën gati krejt pronat private, por shumica e të cilave pas vitit 1974 iu kthyen pronarëve shqiptarë, dihet me njëmijë e një vështirësi, por megjithatë ato iu kthyen shumicës së shqiptarëve..!?

Nuk ndodhë askund në botë, që shteti t’i shet pronat e tij shoqërore, pra pronat e popullit, siç janë tokat, bjeshkët, kullosat, pyjet, etj., personave dhe njerëzve privat, përveç në sistemin kapitalist ku fabrikat, firmat shtetërore, koncernet prodhuese dhe përfituese, siç janë postë-telekomet, hekurudhat, autostradat, agjencitë shtetërore, spitalet, aeroportet, etj., u shiten personave dhe firmave private dhe atë vetëm sipas normave dhe çmimeve që i përcakton shteti për secilin objekt veç e veç, e jo sikur në Kosovën e pas luftës ku kryetarët e komunave sipas përkatësive të tyre politike ua kanë shitur pronat e shtetit personave privat përmes formave mafioze, duke u bërë edhe vetë pjesë e blerjes së tyre në dëm të pronave të popullit dhe shtetit në vlera prej miliona eurosh..!?

Raste të këtilla të privatizimeve ilegale dhe antiligjore po del se në Kosovë paskësh me qindra sosh, sepse ja p.sh. sipas listës së publikuar sot në media, z. Ilir Morina, zyrtar i shtetit, me emër dhe mbiemër qenka personi i cili në gusht të vitit 2007 paska privatizuar 309 hektarë tokë, për një (1) euro arin me emër të firmës “Ndërmarrja e Re”, dhe ku vlera e privatizimeve në gjithë Kosovën paska shkuar mbi 755 milionë euro.

Po ashtu, është krejtësisht e paqëndrueshme deklarata e z. Ramush Haradinaj, se “E kemi riblerë tokën tonë, ajo është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë në pajtim me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit..”, ngase, së pari folja “riblerje toke” nuk përshtatet fare me rrethanat në Kosovë si shtet i pavarur, sepse nuk ka mundur të ketë riblerje të tokave, të cilat shqiptarëve ish regjimi jugosllav (jo ai i Serbisë) ua ka marrë me dhunë pronat duke ua dhënë falas kolonëve serbo-malazez në vitet 1956/66, toka të cilat kur ndonjë familje e kolonëve çetnikë serbo-malazez me dëshirë e kanë lëshuar Kosovën, fqinjët shqiptar pra i kanë blerë tokat e veta, që në fakt kjo ishte “riblerje” të pronave vetanake e jo kjo që po ndodhë në Kosovë.

 Me një fjalë, z. Haradinaj dhe gjithë ata që kanë “blerë” me qindra hektarë toka, prona të përbashkëta të katundit, mbase dihet përmes njerëz të korruptuar nëpër komuna, kanë bërë pa dyshim, vepra të rënda penale, madje ato nuk kanë mundur as t’i blejnë pa lejen e gjithë banorëve të fshatit si prona të përbashkëta që ishin. Ndaj, këta me të drejt quhen uzurpatorë derisa një ari e kanë ble për një euro, ose për 3.75 cent, dhe, ndryshe do kishte qenë sikur ta kishin paguar arin sipas vlerës në treg, që as në Gllogjan nuk besoj se një ari kushton më pak se 5 mijë euro. Por, hilja e gjithë kësaj loje me pronat e shtetit qëndron në faktin, mbase askush në Kosovë nuk blen për nevoja familjare 200 hektarë toka, që të njëjtat toka t’i stërshesin kur atypari do kalon ndonjë autostradë për të marrë shuma marramendëse për shpronësim, siç ishte rasti me autostradën “Ibrahim Rugova” për Prizren, plani i të cilës u ndryshua për t’iu afruar pronave të Fatmir Limajt dhe bashkëfshatarëve të tij me qëllim të përfitimeve nga shpronësimi, etj. .!?

I njëjti tentim për shitjen e pronave të shtetit personave privat ka ndodhur edhe në Pejë, me vendimin antikushtetues për ngritjen e laurës në hyrje të Grykës së Rugovës, ku së pari do plaçkiteshin qytetarët çdo ditë sa herë që do shkonin tek shtëpitë e veta në 15 fshatrat e saj me nga 2 euro për çdo hyrje-dalje, e pastaj ta bëjnë edhe shitjen e pronave shtetërore (në trevën e Rugovës kurrë gjatë historisë nuk ka pasur prona shtetërore, sepse të gjitha kanë qenë prona private të banorëve autokton), hiç kohën e okupimit sllavo-komunist- serbo-sllav. Madje, ato ditë kur populli doli me protestuar në rrugë kundër vendosjes së rampës (laurës) në hyrje të grykës së Rugovës, nga ana e disa zyrtarëve të papërgjegjshëm komunal në Pejë veç ishte bërë skenari për shitjen e 300 hektarëve toka të kësaj treve në afërsi të majës së Hajlës disa oligarkëve nga Dugagjini, besoj me çmim simbolik, për t’i shituar ato pastaj 100% më shtrenjtë si pllace për ndërtimin e vilave dhe fushave për sporte dimërore, etj. Por, falë protestave të banorëve Rugovas, Dugagjinas dhe Podguras, ato plane ogurzeza u ndaluan përgjithmonë..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat