“Shipkovicë”

Opinione

“Shipkovicë”

Nga: Rexhep Torte Më: 27 tetor 2020 Në ora: 14:10
Rexhep Torte

Ish udhëheqësit e UÇK-së me pëllumba paqe në dorë

Këtyre ditëve ra një borë e dendur dhe e papritur, borë që nuk kishte rënë moti këtyre anëve. Në këtë dimër plot acarr, mu krijua mundësia për t’i bërë një vizitë Shtabit të UÇK-së në Shipkovicë. Në orët e vona të mbrëmjes më bëni një telefonatë kryetari i Degës së PDSH-së në Dibër duke më thanë, “ gazetar i “Faktit” a do të vish nesër në Shtabin e UÇK-së në Shipkovicë, e kemi bërë për ty një vend në veturë.

U gëzova shumë për këtë ftesë dhe të nesërmen në mëngjez u nisëm drejt Tetovës kreshnike me një ndjenjë të madhe kurreshtare që ngjallte një emocion të fuqishëm që na doli fati të takohemi me trurin udhëheqës të UÇK-së, të një kryengritje të armatosur, e cila më në fund vuri në lëvizje rrotën e ngecur kahmoti të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, trurin e UÇK-së, që nga aspekti udhëheqës ushtarak dhe politik mahniti tërë botën demokratike brënda dhe jashtë.

Në të dalë të Dibrës postblloku policor na vërrejti, por nuk na ndaloi fare, kështu ndodhi edhe në Mavrovë.

Për çudi kur ke të shkosh në ndonjë vend interesant edhe rruga shkon shpejt. Kështu arritëm në Tetovë dhe u drejtuan drejt Reçicës së Vogël, e cila dukej se po jeton përditshmërinë e saj. Këtu na thanë se ende nuk ka shkelur këmba e policit maqedonas. U ndaluam në një kafe-bar të mbushur përplot me njerëz. Aty na priste një djalosh nga Shtabi i UÇK-së, dhe pasi pimë nga një kafe, bëri një telefonatë dhe na tha se mund të nisemi.

Kam vendosur të qëndroj deri sa të marin fund punët, na tha djaloshi, e nisën se e nisëm këtë punë. Atje lart bën shumë ftohtë, por edhe kjo do të kalojë. Ne jemi të rinj dhe i përballojmë të gjitha, pra edhe të ftohtin.

U nisëm rrugës së Teqes ku valonte Flamuri kuq e Zi me shkabën dykrenore.

Rrugës përpjetë vërrejtëm se bora ishte pastruar. Anash dukeshin shtëpitë me murre të dëmtuara nga të shtënat e armëve. Përskaj rrugës duke udhëtuar lexuam të shkruan Sellcë. Matanë rrugës dukeshin shumë fshatra të zbardhura nga bora. Pastaj lexuam shenjën rrugore Shipkovicë-2 kilometra. Fshat me një pozicion të mrekullueshëm, fshat i vendosur në shpat mali, i rrethuar rreth e përqark me fshatra tjera, që i ngjante një buqete lulesh të bardha,kuptohet tani në dimër, se në pranverë me siguri është edhe më bukur.

Shipkovica ishte plot gjallëri.Rrugës shikonim fëmijë duke lozur e rrëshqitur në borë, dhe të riturit që shkonin pas punëve të tyre. Dyqanet ishin të hapura dhe plot me mallra. U ndalëm te xhamia dhe vazhduam rrugëve të ngushta, të shoqëruar nga një tungjatjeta të përzemërt prej secilit që na takonte. Më në fund shoqëruesi na tha se arritëm.

Kjo është shtëpia. Porsa hymë në oborr, na doli para gjenerali Gëzim Ostreni-Zimi, ashtu e thërrasim shkurt ne dibranët. U përshëndetëm ngrohtësisht dhe u futëm në një dhomë të madhe. Këtu do të jemi më komodë, na tha gjenerali, lart e kam dhonën time, por nuk na nxë të gjithëve.

Kisha menduar se Gëzimin do ta gjejsha paksa të lodhur, pasi ka marrë pjesë aktivë në dy luftëra, atë të UÇK-së në Kosovë dhe këtë të UÇK-së në Maqedoni. Por nuk ndodhi kështu. Dibrani ynë dukej shumë i freskët dhe i disponuar. Nuk kishte ndryshuar fare, përkundrazi na u duk si i përtërirë dhe i buzëqeshur, ashtu si e njihnim më parë.

Fjalët e para të gjeneral Gëzimit ishin: ”E bëtë shumë mirë që erdhët. E bëtë si burrat,” na tha gjenerali. “Më keni gëzuar shumë me ardhjen tuaj. Ndej sikur më ka ardhur e tërë Dibra ime e dashur. Nuk e fsheh se më ka marrë malli. U bë shumë kohë që nuk kam ardhur në vendlindje.

I tregova edhe z. Ali Ahmeti se do të vini. Kishte dëshirë që tu t’ju takojë. Është shumë i zënë me punë. Është në një takim me disa intelektualë, e pastaj ka një takim me do gazetarë të huaj, por besoj se do të gjejë pak kohë që të vjen e të takohet edhe me ju”.

Pasi pyeti gjërë e gjatë për Dibrën dhe për jetën tonë atje, gjenerali shprehu bindjen dhe optimizmin e tij se do të vijnë ditë të mira për të gjithë. Lufta nuk është e mirë për askend, tha ai. Nuk e deshëm as ne. Por ja kaluan shumë vite në demokraci dhe ne shqiptarët mbetëm vendnumro. Edhe ne kemi të drejtë të jetojmë të barabartë si tjerët. Këtë e duam ne, dhe asgjë tjetër. Ndaj edhe ramë dakord për armëpushim dhe për Marrëveshjen e Ohrit, ndaj edhe vullnetarisht i dorëzuam armët, për hir të paqes e prosperitetit.Po të na ishin dhënë më heret të drejtat legjitime ne shqiptarëve, as që do të kishte luftë këtu. Por ç’edo, të rinjtë tanë të diplomuar mbetën pa punë dhe kapën rrugën pakthim të kurbetit. Diplomat e tyre nuk u nostrifikohen. Regjistrimet në fakultetet maqedonase për shqiptarët janë me pikatore, dhe tërë sistemi egzistues i shtetit është frenues për ecjen para të shqiptarëve.

Lufta u bë pse ne kërkonim një rend të ri demokratik, ndërsa maqedonasit mundoheshin ta ruajnë rendin e vjetër e sundues të favorshëm vetëm për ata.

Na vjen keq për viktimat. Për fat të keq ushtria dhe policia maqedonase granatonte prej së largu shtëpitë dhe popullatën e pafajshme shqiptare. Ne asnjëherë nuk e bëmë një gjë të këtillë. Nuk i shkatërruam as kishat maqedonase. Po të deshim t’i shkatërrojmë, ne do i kishim shkatërruar gjatë luftës, e jo pasi u arrit Marrëveshja e Ohrit. Ne gjithnjë kemi patur respekt ndaj objekteve fetare cilatdo qofshin ato.

Tani jemi në pritje të vënies në jetë të Marrëveshjes së Ohrit. Aktualisht po kujdesemi për luftëtarët tanë që janë të plagosur dhe për familjet e dëshmorëve. Atyre u nevojitet ndihmë, mjekim dhe rehabilitim.E tërë kjo lyp një angazhim të madh dhe mjete financiare.

Kemi një agjendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe UE-së, gjithnjë në frymën e mirëbesimit dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Qëndrimet tona janë tejet korrekte dhe të sinqerta. Këtë e kanë verrejtur të gjithë ata që vijnë e bisedojnë me ne. Parimi ynë është që gjithnjë t’i rijmë pas fjalës së dhënë. Atë që e premtojmë, ne edhe e zbatojmë.

Kemi besim te subjekti ynë politik shqiptar për mbështetje në zgjidhjen e kërkesave tona.

Përfaqësimi ynë adekuat në polici, ushtri, administratën shtetërore dhe në arsimin sipëror, duke përfshirë edhe amnistinë, janë rruga e vetme drejt paqes dhe mirëqënies së mirfilltë demokratike, tha veç tjerash gjenerali.

Në dhomën e punës së gjeneralit Gëzim Ostreni,përveç kompjuterit kishte edhe shumë libra, të cilat ai i lexon me andje.

Gjenerali ynë rinte i veshur me roba civile, duke shpresuar dhe punuar në drejtim të paqes e mirëbesimit të ndërsjellë.

Pas më shumë se tre orë bisede të lirë, që na kaloi sa çel e mshel sytë, korrieri na lajmëroi se po vjen z. Ali Ahmeti, të cilin të gjithë e njohim si përfaqësues politik i UÇK-së.

Pas pak u çel dera e dhomës, dhe hyri brënda z. Ali Ahmeti, me një pamje të qeshur, fisnike dhe të urtë, me veshjen e tij modeste dhe me buzëqeshjen e tij të butë. U përqafua vllazërisht e ngrohtësisht me të gjithë, sikur të njiheshim vite të tëra. Kjo afërsi e tij e sinqertë, na bëri të ndjehemi shumë të afërt me të, dhe krijoi një atmosferë të menjëhershme të ngrohtë e miqësore, të cilën mund ta bejnë vetëm njerëzit si z.Ali Ahmeti.

Gjeneral Gëzimi na prezanetoi secilin veç e veç. Pastaj z. Ali Ahmeti, iu drejtua me fjalët, “tani gjeneral mund ta ndez një cigare, pasi shoh se këtu po piheshka duhani.Vërejtëm se gjenerali nuk e pinte duhanin, ndërsa z. Ali Ahmeti e pinte me të madhe.

Pasi falenderuam Gjeneral Gëzim Ostrenin dhe Ali Ahmetin për nderin që na bënë dhe për kohën që ndanë për vizitën tonë, dhe pasi i përgëzuam në emrin tonë e të gjithë dibranëve, për punën e madhe dhe luftën e tyre të lavdishme që bënë, për avancimin e të drejtave tona, duke shprehur edhe admirimin tonë se, këta të dy tashmë janë bërë legjendë e jona, Ali Ahmeti me një urtësi karakteristike të tijën u përgjegj me fjalët, “patëm nderin se na ra rendi që ne ta bëjmë këtë punë, por edhe mos ishim ne, këtë do ta bënte edhe dikush tjetër”.

Ne ishim të vendosur për atë që e bëmë. Ishim të vetëdijshëm se në fillim, as brënda e as jashtë nuk do të mund të na kuptonin menjëherë. Dhe ashtu ndodhi. Në fillim na keqkuptuan. Idea jonë ishte dhe mbetet vetëm realizimi i të drejtave tona legjitime në Maqedoni. Ne nuk jemi për Shqipëri të Madhe, siç mundohen të na e mveshin. Ne jemi ta them kushtimisht për një Maqedoni të Madhe, ku edhe shqiptarët të jenë të barabartë me maqedonasit. Më së vështiri e kemi kur takohemi me shqiptarët tanë nga Velesi, Manastiri dhe Prilepi, kur i dëgjojmë rrëfimet e tyre të pafund e tronditëse, që janë duke pësuar nga vandalistët maqedonas. Ne jemi për një subjekt unik politik shqiptar, jemi kundër ngjyrave partiake.

Lufta jonë e sensibilizoi ndërkombëtarisht çështjen shqiptare në Maqedoni, dhe bota tani e kuptoi dhe e din se, Maqedonia nuk mund të jetë oazë e paqes, pa ua dhënë të drejtat legjitime shqiptarëve.

Ne në vazhdimësi i kemi dëshmuar faktorit ndërkombëtar se jemi për paqe, barazi e demokraci të plotë, njëherit kemi shfaqur edhe besimin tonë ndaj faktorit monitorues ndërkombëtar, pa të cilin vështirë se mund të ndalej lufta dhe arrihej Marrëveshja e Ohrit.

Ndërkombëtarët e kuptuan që në fillim se, ne nuk ishim grupe kaçakësh, as terroristë, por ishim një ushtri e fuqishme dhe me një disiplinë të lartë që respektoi me rigorozitet kodeksin e luftës”.

Pas një ore që ndenjëm sëbashku, z. Ali Ahmetin e ftuan se po e priste një grup tjetër që kishte arritur për tu takuar. Na kërkoi të falur, u përshendet ngrohtësisht dhe u largua duke thënë, “mirë u pafshim së shpejti, që bisedën e sotme ta vazhdojmë në Dibër”.

Rrethanat dhe biseda e ngrohtë në Shtabin e ÇK-së, e kënaqën kërshërinë time, duke i përshkruajtur në një reportazh pështypjet mbresëlënëse për ato që pashë e dëgjova.

Unë i tregova gjeneralit Gëzim Ostreni se ditë më parë gazeta “Dnevnik” kishte shkruar se “:gjeneral Ostreni rin me papuçe dhome”. Gëzimi u qesh dhe tha:” Ashtu është. Mua më pëlqen më shumë të rij i veshur si civil, sa sa si ushtarak. Uniforma ushtarake veshet nga zorri”.

Nga ana jonë Gjeneral Gëzim Ostrenit dhe z.Ali Ahmetit iu ofrua gatishmëri për të ndihmuar sipas mundësive që kemi, për të plagosurit dhe familjet e viktimave, gjë që u pranua me kënaqësi.

Kur filloi të ngryset, pasi bëmë disa fotografi, u përshëndetëm edhe me gjeneral Gëzim Ostrenin, me dibranin tonë,por edhe me djaloshin që na priti në Reçicë të vogël, dhe nisëm teposhtëzës për në Tetovë, e pastaj për në Dibër.

Rrugës i shprehëm përshtypjet tona nga kjo vizitë kaqë interesante. Thamë,”Sa njerëz të urtë e modestë janë z. Ali Ahmeti dhe gjeneral Gëzim Ostreni. Si i paska takuar zoti që të dy me mendime, koncepte e gjykime aqë të shëndosha e unike si njëri- tjetri.

Ne ndenjëm sëbashku me të dy më shumë se katër orë, e nuk patëm rastin të dëgjojmë nga goja e tyre asnjë fjalë të vazhdë, asnjë grimcë urrejtje ndaj kujdo qoftë, por vetëm mesazhe paqe e shpresëdhënëse, me plot ngrohtësi e bujari njerëzore.

Me përshtypjet e kësaj vizite, mendojme dhe themi zëshëm, pse nuk mendojnë me kësi butësie e urtësie edhe udhëheqësit maqedonas, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kësaj agonie, dhe për të ndërtuar jetën e lumtur për ne dhe gjenaratat që vijnë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat