Kosova tu thotë stop Serbisë, dialogut, hileve dhe tradhtisë

Opinione

Kosova tu thotë stop Serbisë, dialogut, hileve dhe tradhtisë

Nga: Rexhep Torte Më: 30 tetor 2020 Në ora: 08:46
Rexhep Torte

Çfarë kompromisi i dhembshëm i kërkohet Kosovës, kur Kosova dhembjen e ka përjetuar nga Serbia më shumë se një shekull.

Çfarë kompromisi i dhembshëm i kërkohet Kosovës, kur Kosova dhembjen përvëluese e përjetoi edhe në agresionin gjenocidal që Serbia e kreu në Kosovë në vitet 1998/99, duke vrarë, masakruar e dhunuar me mijëra shqiptarëv të pafajshëm.

Kosova kompromisin po e bën me vetë faktin që po ulet të bisedojë me Serbinë vrasëse, kriminale dhe fshehëse të tërë atyre krimeve monstruoze që e tronditën tërë botën demokratike.

Kosova po ta lejojë themelimin e Asociacionit të komunave serbe, po ta lejojë Serbinë të merr hise në Liqenin e Ujmanit dhe në minierat e Trepçës.

Kosova po ta lejojë që Kishat, manastiret dhe patriarkanat të administrohen nga Beogradi, edhe pse këto objekte kulti kanë qenë objekte të krishtera shqiptare, por Serbia i ka okupuar, ndryshuar e përvetësuar.

Atëherë Kosovën sërish do ta okupojë Serbia, duke e bërë shtet të dobët e jofunksional, dhe atëherë Kosovës nuk i vyejnë as SHBA-të, as BE-ja, as Putini dhe as Pekini.

Të gjithë këta shkofshin te dreqi i mallkuar.

Kosovës nuk i vyejnë as Hashim Thaçi, as Isa Mustafa, as Avdullah Hoti, as Ramush Haradinaj, as Fatmir Limaj, as Kadri Veseli dhe as Behgjet Pacolli.

Të gjithë këta shkofshin te dreqi i mallkuar.

Kosovës nuk i vyejnë kësi udhëheqës të derisotëm matrapazë të Presidencës, të Qeverisë apo udhëheqës partiakë, të cilët bëjnë pazare të pista me moton “ ose bëmë president, ose do ta rrëzoj qeverinë”.

Të gjithë këta shkofshin te dreqi i mallkuar.

Fundja Zoti njeriut ia ka dhuruar jetën ta jetojë ndershëm dhe me dinjitet.

Kosovës i duhen zgjedhje të menjëhershme, ku populli me votën e tij ta përcaktojë se kush do ta udhëheqën Kosovën.

Atij që do t’i fitojë zgjedhjet i qoftë për hajr dhe e gëzoftë udhëheqjen e Kosovës.

Serbia në agresionin e viteve 1998/99, Kosovën e vrau, e masakroi dhe e dhunoi shtazërisht, ndërsa sot po e kushtëzon dhepo e përdhos vazhdimisht Kosovën, edhe atë para syve të SHBA-ve dhe BE-së, dhe Kosova, për fat të keq, është e detyruar që ende të besojë dhe shpresojë te SHBA-të dhe BE-ja.

Këtë konstatim na pëlqen ne ose nuk na pëlqen, e dëshmon gjendja dhe e vërteta reale.

Një përrallë popullore thotë, “ Ujku e kishte shtrirë gomarin për toke dhe me dhëmbët e tij të mprehtë po ia nxirrte copat e mishit nga trupi, ndërsa gomari kujtonte se po sheh ëndër”.

Kjo përallë i përngjan sjelljes maksimalisht naïve të Qeverisë aktuale të Kosovës, kundrejt qëndrimit arrogant, ofendues, mospërfillës, nacionalist dhe hegjemonist të Serbisë, ndaj Kosovës tashmë shtet i pavarur e sovran.

Këtë e dëshmoi edhe betimi solemn i Qeverisë së Re të Serbisë, më datë 28 tetor 2020, ku thuhej, “ Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Serbisë, me përgjegjësi dhe përkushtim, se do të përkushtohem në ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë”.

Ky betim kërcënues, luftënxitës dhe skandaloz i Serbisë ndaj Kosovës, vjen pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Uashington në praninë e Presidentit Donald Trump.

Ky betim kërcënues, luftënxitës dhe skandaloz i Serbisë ndaj Kosovës, vjen menjëherë pas vizitës ditë më parë të Miroslav Lajçak- emisarit të BE në Prishtinë dhe Beograd dhe synimeve të tij pro serbe.

Ky betim kërcënues, luftënxitës dhe skandaloz i Serbisë ndaj Kosovës, vjen menjëherë para vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Të gjitha këto janë sinjale të qarta se kupa e Kosovës është mbushur pëplot me vrer dhe hile, dhe se Kosova duhet t’i ndërpret definitivisht dialogun më Serbinë dhe tërë kontaktet e tjera në të gjitha nivelet.

Derisa Serbia të korrigjohet, derisa SHBA dhe BE të tregohen më të sinqerta, dhe derisa nuk krijohen kushte normale për një dialog dinjitoz, e jo si gjertani që dialogu Kosovë-Serbi është zhvilluar me nënçmin, përbuzje dhe kushtëzime të Serbisë ndaj Kosovës.

Qeveria Hoti dhe tërë spektri politik i Kosovës duhet të vendosin bashkarisht që dialog me Serbinë nuk do të ketë derisa Serbia ta zbardhën fatin e 1650 shqiptarëve të të gjitha moshave e gjinive , të cilët Serbia i rrëmbeu në Kosovë gjatë agresionit gjenocidal në vitet 1998/99.

Derisa Serbia t’i nxjerr para drejtësisë kriminelët e Serbisë që i kryen tërë ato krime dhe dhunime shtazarake në Kosovë.

Derisa Serbia ta tregojë vendndodhjen e varrezave masive në Serbi, dhe derisa Serbia t’i tregojë hekuranat në furrat e të cilave janë djegur mizorisht kufomat e mijëra shqiptarëve të pafajshëm të vrarë e të masakruar nga Serbia.

Derisa Serbia ta pranojë reparacionin e dëmeve që Serbia ia shkatoi Kosovës gjatë agresionit gjenocidal 1998/99 kur e bëri shkrumb e hi Kosovën.

Është dëshpërues dhe neveritës qëndrimi i Qeverisë së Avdullah Hotit, të cilit me sa duket nuk po i bën përshtypje e shqetësim, as kërcënimi i hapur i Serbisë për riokupim të Kosovës, as armatosja e Serbisë dhe as vendosja e kolonëve serbë në shtëpitë e reja të ndërtuara e të pajisuara në veri të Kosovës, edhe pse pjesa më e madhe e këtyre kolonëve serbë asnjëherë nuk kanë banuar në Kosovë.

Zgjidhje të sinqertë për Kosovën në dialogun Kosovë-Serbi dhe për paqen në Ballkan, po e përsërisim, nuk do të arrihet me Mattev Palmer-dhëndërin e Beogradit, me Richard Grenell-me prejardhje orthodokse serbe, me Shefen e dikasterit ekonomik në Departamentin e SHBA-ve-me prejardhje serbe, me Josep Borell të Spanjës, e cila ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, me Miroslav Lajçak të Sllovakisë, e cila ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, si edhe me Magnus Jacobson, deputetin suedez-që e ka nusen me prejardhje serbe, e që bëri nominimin e SHBA-ve, Kosovës dhe Serbisë për çmimin NOBEL për paqe.

Lidhjet e këtyre personave të sipërpërmendur me Serbinë, dhe dy përfaqësuesit e BE-së që janë nga shtetet që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, janë tregues i qartë, se këta persona punojnë në favor të Serbisë agresore gjenocidale dhe në dëm të Kosovës viktimë e paqedashëse.

Udhëheqësve të derisotëm të Kosovës ju qoftë haram qumështi i nënve shqiptare kosovare , sepse këta udhëheqës, në Kosovë sëbashku me lirinë e sollën edhe tiraninë, vllavrasjen, pasurimin e paligjshëm, korrupsionin dhe nepotizmin.

Udhëheqësit e derisotëm të Kosovës, na turpëruan, na denigruan, na demoralizuan, na tradhëtuan, na dëmtuan, dhe kurrë su penduan.

Udhëheqësit e derisotëm të Kosovës, dje ishin me tytën e pushkës drejt Serbisë, e sot pa fije turpi tytën e pushkës ia drejtuan vëllazërisë.

Udhëheqësit e derisotëm të Kosovës, sa katila, sa rezila, sa horra, sa të pashpirt, sa të urritur paskan qenë për pushtet, edhe tani kur Kosova pas më shumë një shekulli u bë shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat