Çfarë po bisedohet me Serbinë?!

Opinione

Çfarë po bisedohet me Serbinë?!

Nga: Dibran Demaku Më: 31 tetor 2020 Në ora: 14:41
Dibran Demaku

Nëse është e vërtetë ajo çfarë thuhet e çfarë shkruhet, se deputetët e ri të zgjedhur në parlamentin e ri serb, në promovimin e tyre si deputet kanë thënë se betohen se me të gjitha forcat e tyre do të mbrojnë siç thonë ata „Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të Serbisë ?!“, atëherë për çfarë duhen bisedimet Kosovë-Serbi?! Që të legjitimohet ajo për çfarë betohen serbët,edhe tash pas njëzetë e një vjetësh, që kur janë larguar nga Kosova si humbës, por që ata edhe pas njëzetë e një vitesh betohen me kokën e tyre se do ta mbrojnë me çdo kusht atë që e kanë humbur?!

Institucionet e Kosovës, menjëherë dhe pa asnjë ekuivok, duhet të lajmërojnë bashkësinë ndërkombëtare se i ndërpresin bisedimet me Serbinë (gjithmonë armike)si dhe çdo bashkëpunim tjetër qoftë politik, ekonomik apo kulturor deri atëherë kur Serbia dhe populli serb të zgjohet nga gjumi dhe t‘i harrojë ëndrrat për Kosovën si pjesë të teritorit të saj?!

Nëse kjo elitë politike (e korruptuar dhe e shantazhuar) nuk është në gjendje,për arsye nga më të ndryshme që ta marrë një hap të tillë,atëherë këtë elitë politike duhet ndërruar një orë e më parë dhe në vend të saj të vijë një elitë tjetër e pa korruptuar dhe e pa shantazhuar, e cila do të ia bënte të qartë bashkësisë ndërkombëtare se me Serbinë mund të bisedojnë e flasin vetëm atëherë kur Serbia do ta largojë Kosovën si pjesë integrale nga preambula e kushtetutës së saj si dhe Kosovën ta trajtojë si shtet të barabartë me të tjerët, e jo si në takimin „historik“të Washingtonit ku Kosova dhe Serbia detyrohen të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ekonomik?!

A e kanë kuptuar vallë ata që kanë nënshkruar atë marrëveshje se sa e dëmshme mund të jetë ajo për Kosovën dhe të ardhmen e saj?!

Sikur të mos mjaftonte kjo,por pak ditë pas marrëveshjes së Washingtonit, Oda ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, në Beograd do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi dhe integrimi të të dy odave ekonomike?!...

A e ka kuptuar vallë kryepari i Odës ekonomike se çfarë ka nënshkruar atë ditë në Beograd dhe a e kupton ai se çfarë do të thotë bashkëpunim dhe integrim?!...

Bashkëpunim dhe integrim ekonomik?! -u tha në deklaratën që u transmetua në media?! A do të thotë kjo se Kosova dhe Serbia po bashkojnë ekonomitë e ndara në një të vetme?!

Që ta kamuflonin lajmin i cili si i tillë ishte i dëmshëm për Kosovën, u tha se garantues i kësaj marrëveshjeje ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës! A do të thotë kjo se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës se duhet të bashkohemi ekonomikisht me Serbinë, ne duhet të bëjmë diç të tillë pa u menduar fare?!...

Çfarë i mbetet Kosovës nga pavarësia e saj nëse ne integrohemi ekonomikisht me ekonominë serbe, apo nëse ne me Serbinë kemi vendkalime kufitare të përbashkëta, të cilat kalime Serbia i trajton si kalime administrative dhe jo kurrë si kalime kufitare?!...

Dhe krejt në fund një pyetje për eliten politike dhe ekonomike të vendit: Çfarë po bisedohet me Serbinë, ndarja përfundimtare me të apo riintegrimi i sërishëm i Kosovës në Serbi?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat