Skënderbeu në Prizren, jo në qendrën historike të qytetit!?...

Opinione

Skënderbeu në Prizren, jo në qendrën historike të qytetit!?...

Nga: Ndue DEDAJ Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 09:47
Ndue Dedaj

Është 28 Nëntor 2020. Shkojmë drejt Prizrenit, pasi sot atje, në njërin nga kryqëzimet rrugore të qytetit, vendoset shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Jemi duke përshkuar Rrugën e Kombit, luginës së Fanit të Vogël dhe s’na hiqet nga sytë Guri i Skënderbeut, në skaj të bjeshkëve të Oroshit, një shkëmb monumental. Heroi Kombëtar e ka lënë kudo në trojet shqiptare gjurmën e tij, në histori, gojëdhëna dhe toponime.

Nëse do të rronte Frang Bardhi, shkrimtari ipeshkëv, e do të ishte me ne sot bashkudhëtar drejt Prizrenit, së pari do të na kishte prirë në ca vendbanime të hershme të Hasit, në të dy anët e Pashtrikut, si Mazrek e Kastrat, nga ku sipas tij ishte origjina e Gjergj Kastriotit, për çka ka shkruar dhe Petro Lukari në “Analet e Raguzës”. Kjo e bën dhe më intriguse shtatoren e sotme të tij në Prizren.

Kastriotët nuk ishin të huaj në qendrën urbane mes Pashtrikut e Sharrit, ata bënin tregti përmes shkëmbimit të mallrave në rrugën e hershme, që niste nga porti i Shufadasë në Adriatik (grykëderdhja e lumit të Matit) e mbërrinte në Prizren. Për më tepër, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte shtegtuar drejt Rilindjes Kombëtare, në frymëzimin e ngjarjeve politike dhe luftarake, si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbajtur më 1878, që synonte të ringjallte epokën skënderbegiane. Heroi Kombëtar shfaqet në epokat pasardhëse si shëmbëlltyra përbashkuese e kombit, pasi ai është mbi pjesët e së tërës, principatat, krahinat, fetë, partitë etj. Ai nuk gjykohet, por vetëm pranohet, si mishërim i identitetit shqiptar.

Para se të mbërrinte shtatorja e bronzët në Prizren, në katedralen katolike të qytetit, si një pararendëse e saj, është ruajtur një pikturë njëqindvjeçare e Gjergj Kastriotit, e restauruar dy vite më parë, me rastin e 550-vjtorit të heroit kombëtar.

E, megjithatë, siç thanë folësit në tubimin e rastit, nuk kishte pasur dakordësi të plotë që shtatorja të vihej në qendrën e vjetër, historike të qytetit, siç do të duhej. Habitesh se si mund të ndodhë kështu mes nesh, kur Heroi Kombëtar i shqiptarëve ka bërë vend shumë e shumë mote më parë, por dhe në ditët e sotme, në disa nga qytetet më të rëndësishme të Europës e Amerikës.

Nuk duam të paragjykojmë askënd, aq më tepër të zgjedhurit në forumet vendore të Prizrenit, që gjithsesi nuk ia kanë dalë ta çojnë “Skënderbeun” në vendin më të përshtatshëm të qytetit, që është pjesa historike e tij. Skënderbeu i përket historisë, muzeut dhe aty është shtëpia e tij e merituar. Vetëm Heroi Kombëtar nuk merr “leje” se ku duhet të rrijë në tokën e tij, si rregull zë vend ai, pastaj të tjerët rreth tij.

Ndërkohë që bashkë me avokatin mirditas Alfred Duka, ardhur nga Tirana, ndiqnim veprimtarinë e perurimit të shtatores në Prizren, na u kujtua ndonjë episod i pakëndshëm, kur, gjatë e vizitës së iks udhëheqësi të shtetit turk në Tiranë, në shkelje të protokollit zyrtar, është hequr busti i Gjergj Kastriot - Skënderbeut nga salla e pritjeve të Presidentit!?...

Çdo popull ka disa protokolle të pashkruara, që nuk janë hedhur në letër pikërisht se janë ndërgjegja dhe kujtesa e të gjithëve dhe e të gjitha kohëve. Se ka funksionuar kjo logjikë, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri janë në një monument të përbashkët në oborrin e Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Ashtu si vetë Heroi ynë Kombëtar është në zemër të qytetit, në vendin më të dukshëm, në Tiranë, Krujë, Lezhë, Kukës, Prishtinë, Dibër të Madhe etj. Përmendorja e Skënderbeut e ka vendin në harmoni me kalanë e çdo qyteti ku mund të ngrihet e jo në mes të trafikut rrugor marramendës. Dhe Prizreni, siç dihet, e ka kalanë e vet mesjetare. Për të qenë korrekt me lexuesit, u tha se në qendër të Prizrenit do të ngrihej një muranë përkujtimore e Skënderbeut, mbase si një kompensim i mosvënies së bustit atje.

P. S. Pavarësisht vëzhgimit tonë, shtatorja e Skënderbeut në Prizren tashmë është një fakt. Sido që të jetë, nëse do të qëndrojë për pak kohë apo përgjithmonë aty ku është vendosur, është është e domosdoshme që ndërtesat mbrapa saj të merren në dorë e të restaurohen, që të krijohet sfondi i përshtatshëm për një monument të kësaj rëndësie. Ditën e përurimit u bënë shumë fotografi dhe në vijim do të bëhen dhe më shumë. Ai kryqëzim rruge, për pak apo për shumë kohë, nuk do të jetë si të tjerët, por një pikjë referimi e qytetarëve prizrenas, si dhe udhëtarëve të panumërt mbi makinat që s’pushojnë asnjë çast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat