Çfarë e lidh Aleksandër Vuçiç me Gabrielo Princip?!

Opinione

Çfarë e lidh Aleksandër Vuçiç me Gabrielo Princip?!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 9 dhjetor 2020 Në ora: 13:21
Aleksandër Vuçiç

Gabrielo Princip ishtë vrasësi i Pincit austro-hugarez, Franz Ferdinand. Më 28 qershor 1914 i riu serbo-boshnjak qëlloi në Sarajevë princin Fedinand dhe gruan e tij, Sofinë, me qëllim që të hakmerrej ndaj Austro-Hungarisë për mbikëqyrjen e saj ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Pas këtij atentati filloi Lufta e Parë Botërore. Një i ri vrasës i etnisë serbe, Gabriel Princip, u bë shkaku i 10 milion viktima të konfliktit të parë ndërkontinental.

Serbia ishte aso kohe kundër Vjenës dhe e angazhuar fuqimisht si vend vasal i Rusisë. Ndaj Beogradi nxiste serbët boshnjakë, sidomos të rinjtë, ndër të cilët edhe Vaso Çubrilloviçin, që të kundërshtonin protektoratin austro-hungarez mbi Bosnjë-Hercegovinës i vendosur në vitin 1908. Autori austriak Fridrich Wuerthle në linbrin e tij “Die Spuhr fuehrt nach Belgrad”, argumenton se organizata e të rinjve serbo-boshnjakë “Dora e zezë” drejtohej nga ushtarakë dhe gjeneralë të Beogradit dhe kryen atentatin në fjalë me dijeninë e qeverisë serbe. Gabrielo Princip ishte një nacionalist ekstremist i serbo-boshnjakëve, por atentatin kundër pretendentit për fronin e perandorit austro-hungarez nuk e kreu me mendjen e tij. Ai u përdor nga qeveria e kohës e Serbisë, që të kryente aktin terrorist të Sarajevës, me qëllim që bota të nxitej në kaosin e një lufte botërore e më pas Serbia të përfitonte territore në zbatimin e projektit të saj të Serbisë së Madhe.

fakt ashtu ndodhi. Pas Luftës së Parë Botërore Fuqitë e Mëdha vendosën në Paris krijimin e Jugosllavisë me tri mbretëri, Serbinë, Slloveninë dhe Kroacinë. Bosnjë Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova u bënë pjesë e Serbisë, ndërsa Mali i Zi iu bashkua asaj vullnetarisht, pas abdikimit të mbretit të tij. Konferenca e Parisit, përkundrazi, ndëshkoi Hungarinë, duke ia shkëput asaj Vojvodinën dhe duke ia dhënë Serbisë, si shpërblim për vrasjen e Princit Ferdinand. Deri në mars të vitit 1929, kur deputetë dhe forca të sigurimit serb në Beograd vranë katër deputetë kroatë, emërtimi i asaj që u mendua si Jugosllavi u quajt “Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene”. shtator 1929 Mbreti i Serbisë, Karagjergjoviç, ndryshoi kushtetutën dhe themeloi Mbretërinë Jugosllave. Por Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Vojvodina nuk përfituan ndonjë status vetëqeverisjeje. Ato ishin thjesht territore të Serbisë.

Kohët e fundit presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka projektuar një përmendore, në të cilën do të përjetësohen 26 figura historike të Serbisë, shumica dërmuese e të cilëve shquhen për ekstremizmin nacionalist. Ndër ato figura historike në përmendore do të jetë edhe fotoja e atentatorit terrorist, Gabrielo Princip. Nuk e di se si do ndjehen në këtë rast miqtë e Beogradit në Vjenë, si p.sh diplomati Wolfgang Petrich, por një përmendore në sheshin kryesor të Beogradit me figurën e atentatorit të princit Franz Ferdinand nuk ka kuptim tjetër, veç sjelljes “mburracake” të një vrasësi të fundit të shekullit XX, pra të Aleksandër Vuçiç, në emër të idealeve të Gabriello Princip e të Vasa Çubrilloviç, edhe ky pjesëmarrës në atë atentat. Ndërsa doraci vrasësë i princit Ferdinand ishte Princip, vrasësi i sotëm në këtë rast është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili dëshiron dhe synon të zbatojë projektin e kahershëm të Serbisë së Madhe.

Përmendorja do të jetë 26 metra e lartë, më e madhja në Ballkan. Ajo është planifikuar të ndërtohet në sheshin Sava të Beogradit, mu aty ku është stacioni i trenit dhe lëvizja e popullsisë së dendur e vazhdueshme. Kjo përmendore do të ketë figurën e themeluesit të shtetit serb, Stefan Nemanjës, por edhe të shumë personaliteteve të tjera historike, si Stefan Dushani, Car Llazari, Mbretërit e dinastisë së Karagjergjoviç, deri te vrasësi i Princit Ferdinand të Perandorisë Austriake në Sarajevë më 28 qershor 1914, Gabrielo Princip.

Një delir si ky nacionalizmi e ekstremizmi nuk u shfaq as te diktatori Sllobodan Milosheviç. Ndërsa Vuçiç luan në disa variante. Me qëllim maskimin e qëllimeve nacionaliste të tij ai sajon lajme të rreme, sipas të cilave “Presidenti i Serbisë është i kërcënuar nga ekstremistët nacionalistë”! Vuçiç, nga njëra anë ushqen më shumë se Milosheviçi nacionalizmin serb dhe nga ana tjetër, vetë-kërcënohet me jetë “për tradhti kombëtare”! Nga njëra anë flet vazhdimisht për retorikë luftënxitëse, nga ana tjetër partnerëve ndërkombëtarë në Perendim u hiqet si “modern”, “për pajtim e paqe në rajon”!

Kjo lojë politike e trashëguar nga nacionalizmi serb që prej shekullit XIX është e njohur tashmë në kryeqytetet evropiane dhe ne Uashington. Por Vuçiç me këtë sjellje u jep municion lobeve serbe në këto vende që ta paraqesin atë si lider liberal, me parime dhe orientime perendimore. Ndërsa në qendër të kryeqytetit i ngre monument akteve dhe serbëve terroristë, mbretërve e politikanëve që hartuan projektet destabilizuese në Ballkanin Perendimor në funksion të krijimit të Serbisë së Madhe, në Perendim përpiqet të krijojë perceptimin e, me të cilin mund të negociohet paqja në rajon.

Aleksandër Vuçiç në fakt është dhe do të mbetet “koburja” e Rusisë në Ballkan e në Europë. Monumentet si ky që do të ngrihet në Sheshin “Sava” të Beogradit do të shtojnë numrin e ekstremistëve nacionalistë në Serbi në mbështetje të tij. Ai synon të rikthejë kohën kur ishte në kabinetin e Sllobodan Milosheviçit si ministër informacioni. Këtë synim e ka shprehur hapur kur thoshte se “Milosheviqi kishte qëllime të mira”!

Prandaj shqiptarët e para së gjithash krerët e institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kuptojnë se kanë përballë një djall, më të rrezikshëm sesa Milosheviçi. E nëse vetëdijesohen për këtë, atëherë shqiptarët mund të presin ditë më të mira për Kosovën, sepse do t’i pritet rruga provokimeve dhe mashtrimeve të pafund të Beogradit. Ndërkaq është e domosdoshme që të pastrohet media dhe politika shqiptare nga njerëzit e Serbisë dhe të Aleksandër Vuçiç në hapësirën ballkanike shqiptare. Ndryshe këta njerëz le ta pranojnë hapur se simpatizojnë jo vetëm Bregoviçin, Kosturicën, Mihajloviçin ose Andriçin, por edhe Gabriello Principin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat