Plesidenti, plesidenti...!

Opinione

Plesidenti, plesidenti...!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 dhjetor 2020 Në ora: 14:41
Ramush Haradinaj

Tani më është e ditur se hendeku në mes të tashmes dhe zgjedhjeve të reja është pikërisht posti i presidentit. Ditëve të fundit veçse ka filluar një show i disa partive politike, të cilat në përgjithësi po aktrojnë para opinionit duke tentuar ta shfaqin “fuqinë” e tyre.

1. Në njërën anë është “kryekandidati” Ramush Haradinaj, i cili që moti ka shpallur kandidaturën për president, dhe, të jeni të sigurt, ai nuk do heqë dorë nga ky post edhe sikur gjithçka në politikë të pasivizohet.

Ramushi e di mirë se zgjedhjet po të mbaheshin edhe sonte në orën tre të natës, ai do i merrte 10 deputetë, sepse elektorati i AAK-së është stabil e lokalist dhe gjithmonë do t’i ketë ato vota e ata deputetë.

Haradinaj për shkak se është mësuar me pazare politike, vet në një deklaratë “rrëshqiti” kur tha se do ua kthej votat PDK-së dhe VV-së, nëse këto dy të fundit e votojnë për president.

Si duket Ramushi “harroi” se kur të bëhet president duhet të jap dorëheqje nga partia politike të cilën e drejton, por, duke qenë i zhytur në pazare politike, ai vet e pranoi se do ta kontrolloj AAK-në edhe nga jashtë, njëjtë sikur Hashim Thaçi PDK-në.

2. Në anën tjetër është Isa Mustafa, i cili e ëndërron postin e presidentit, e në rast se bëhet (gjë që është e pamundur), do ta kompletonte karrierën e tij politike si një politikanë që për disa dekada ka mbajtur poste të rëndësishme politike.

Në këtë rast, Mustafa është më lakmitari sa i përket këtij posti, por e di që nuk do të mund ta kontrollonte situatën politike në rast se tregohet serioz për këtë pozitë. Madje, nuk do të mund ta kontrollonte as partinë e tij.

Pra, Isa Mustafa do ta përmbyllë karrierën e tij, por pa qenë asnjëherë president, për të cilin post gjithmonë e kishte në sy. Fatkeqësisht!

3. E zoti Fatmir Limaj e prodhoi një show të bukur dhe argëtues kur partia e tij tha se e propozon atë për president të Kosovës. Historik i shkurtër: Fatmir Limaj mezi e kaloi pragun me partinë e tij. Kaq sa i përket kryetarit të NISMA-s.

4. Ndërsa PDK-ja, tash në krye me Enver Hoxhajn, po tregon ambicie për këtë post, duke thënë se atyre ju takon si pasardhës të Hashim Thaçit. Këtë ua kishte konfirmuar edhe Isa Mustafa. Por, kësaj radhe, edhe PDK-së i ka hasur “sharra në gozhdë”, pasi që kundërkandidat kanë Ramush Haradinajn.

Vlora Çitakut, Hashim Thaçi nuk ia ndërpreu mandatin pa ndonjë arsye sa ishte ambasadore në SHBA. Sigurisht që ekziston ndonjë skenar; ose Vlora Çitaku kandidohet për presidente; ose ajo të bëhet kryetare e partisë. Kjo e fundit është më e kapshme.

***

Tani, çështja është kështu. Presidenti i ri mund të zgjedhet me 61 vota, por duhet gjithsesi që prezent në sallë të jenë së paku 81 deputetë për të vazhduar me votimin.

Nëse kandidati vjen nga PDK-ja ose LDK-ja, por ndoshta edhe jopartiak, prapë se prapë AAK-ja e Haradinajt dhe Vetëvendosja e Kurtit nuk do ta votonin. Arsyet dihen. AAK-ja e voton vetëm Haradinajn president e askënd tjetër, ndërsa Vetëvendosja nuk voton president të ri pa shkuar në zgjedhje.

AAK-ja dhe Vetëvendosja së bashku i kanë 46 deputetë në Kuvend, dhe me mospjesëmarrjen e këtyre deputetëve, mbeten gjithsej 74 deputetë në sallë, që është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e ri, e në këtë mënyrë vendi shkon në zgjedhje automatikisht, ku Vjosa Osmani do ta vazhdojë mandatin si u.d e presidentes së vendit.

Sipas të gjitha gjasave, ose do ta kemi Ramush Haradinajn president, ose vendi do të shkojë në zgjedhje. Por, një president me 9% të votave nga e gjithë Kosova, sigurisht që nuk e meriton të bëhet, por sigurisht se do t’i shohim pazaret e ditëve të ardhshme..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat