Presidenti dhe zgjedhjet e parakohshme

Opinione

Presidenti dhe zgjedhjet e parakohshme

Nga: Skender Musliu, jurist i diplomuar Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 18:01
Skender Musliu

Pas dorëheqjes të Hashim Thaçit nga posti i presidentit dhe shkuarjes së tij në Hagë, partitë politike janë mobilizuar për marrjen e këtij posti, respektivisht sa më shumë po afrohet afati optimal kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, aq më shumë po bëhen kalkulimet politike dhe rriten pazaret mes partive duke shantazhuar njera - tjetrën.

Pothuajse të gjithë politikanët janë dakord me faktin se nëse nuk arrihet të zgjidhet presidenti i Kosovës përmes një marrëveshje, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Mosarritja e një marrëveshje për presidentin do të ishte rezultat i apetiteve individuale, karrieriste dhe partiake e jo atyre shtetërore. Se cila është logjika e përzgjedhjes së presidentit, fatkeqësisht, tregon deklarata e Isa Mustafës, në një konferencë për shtyp ditë më parë, ku përveç tjerash, thotë se ende ka kohë për reflektim që t’a zgjedhim presidentin, jo më të mirin por më të pranueshmin. E kjo do të thotë se më i pranueshmi do të jetë ai që do të zgjidhet përmes pazareve politike dhe manipulimeve të votave të sovranit, duke zgjedhur një president që do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e tyre, e jo të qytetarëve. Kjo deklaratë e Isa Mustafës, një herë e më tepër, tregon nivelin e mentalitetit dhe kulturën e veprimit politike të instaluar në institucionet shtetërore të Kosovës për 20 vite.

Afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nuk presin, prandaj nëse kjo nuk ndodh me kohë, atëherë Kosova do të futet në një situatë të rrezikshme, krizë institucionale dhe Kushtetuese, në një situatë që ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës nuk i kanë paraparë. Një situatë e tillë do të sillte shumë të panjohura, duke  rrezikuar edhe sigurinë e vendit dhe Rendin Kushtetues të Kosovës.

Prandaj përgjegjësinë për një situatë të tillë e mbajnë vetëm politikanët, dhe nëse kjo ndodhë, atëherë Prokuroria Speciale e Kosovës në Prishtinë duhet t’i iniciojë procedurat e nevojshme për angazhimin e përgjegjësive penale.

Qëllimi i Qeverisë aktuale është që përmes zgjerimit të koalicionint qeverisës me PDK-në, t’a zgjedhin presidentin dhe vendi mos të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Politikanët që janë kundër zgjedhjeve, rezulton që përmes matematikave, kalkulimeve dhe keqpërdorimit të votave të sovranit, t’ia vazhdojnë qeverisjen të korruptuarve dhe krimit të organizuar, siç thonë edhe ata vet për njeri-tjetrin.

Mirëpo fatmirësisht, për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentin, si po duket vendi do të shkojë në zgjedhje.

Duke patur parasysh faktin se kemi një Qeveri jofunksionale, një Kuvend të paralizuar, afatin e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, si dhe faktin se Qeveria Hoti ka humbur besimin dhe kredibilitetin te faktori ndërkombëtar, në veçanti të Gjermanisë dhe Francës të cilët e dinë se kjo Qeveri është e paqëndrueshme dhe jostabile, rezulton se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme, sepse vetëm një legjislature dhe Qeveri e re do t’a ketë legjitimitetin të përballet me sfidat që e presin Kosovën.

Në zgjedhjet e ardhshme Komisioni Qendror Zgjedhor do të duhej të bashkëpunonte më ngushtë me prokurorinë dhe gjyqësorin lidhur me verifikimin e kandidatëve të ardhshëm, me qëllim që mos të ndodh, sikurse në të kaluarën, të kemi në Kuvend dhe Qeveri deputet dhe ministra të dënuar apo me precedent penal.

Po ashtu Kuvendi i ardhshëm do të duhej t’a ndryshonte Kushtetutën, përveç tjerash, për krijimin e kuadrit ligjor që presidenti i Kosovës në të ardhmen të zgjidhet përmes Referendumit, e jo sikur gjer më tanë në Kuvend që për shkak të mungesës së kulturës politike, votat e qytetarëve  manipulohen dhe kontrabandën për qëllime të ngushta politike.

Pas zgjedhjeve që do të organizohen së shpejti, të shpresojmë në një konfigurim të ri ku do të kishim një elitë të re politike, të emancipuar dhe edukuar në frymën properëndimore me mentalitet shtet formues, e jo dezintegrues dhe përçarës, sikurse gjer më tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat