Fëmijët vetëm përdoren dhe akuzohen

Opinione

Fëmijët vetëm përdoren dhe akuzohen

Nga: Nasho Bakalli Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 20:00
Nasho Bakalli

Një miku im i vjetër më telefonoi këtë mëngjes jo vetëm për të më pyetur se si jam me shëndet në këto muaj Covidianë, po edhe për të më thënë se nuk kishte mundur të flinte rehat natën e kaluar, ngaqë kishte parë në tv se një djalë i dënuar me akuzën për trafik droge, vite më parë, ishte liruar nga burgu në moshën 21 vjeç. Mbeti pagjumë ngase i rrinte mendja te ato vite të humbura të adoleshencës dhe të rinisë në burg të këtij djali, dhe se gjykonte për dështimin e sistemit të drejtësisë që burgosi një 16 vjecar, bazuar në rrethana të dyshimta, i cili u la i lirë pasi qe bërë edhe pacient i spitalit të neurologjisë. Ai kërkoi prej meje që të shkruaj për këtë ngjarje.

Duke dëgjuar në anën tjetër të telefonit, këtë ndodhi, mua më kishin sosur llafet. Nuk mund t'i përgjigjesha mikut tim me fjalët se kisha pushuar së shkruari, se jam bërë cinik, se nuk kam asnjë shpresë, dhe se kam hequr dorë nga i ashtuquajturi aktivizëm shoqëror politik, edhe kur preken të drejtat e fëmijëve. Pranohet gjërësisht në botë se fëmijë, konsiderohen të gjithë njerëzit nën moshën 18 vjec.

Po le të kthehemi të cështja në fjalë. Qyshse unë i premtova mikut tim se do të shkruaja për ngjarjen, e ndjeva se nuk do të mund të rrëfeja asgjë që publiku nuk e di. Bërja muzikë, duke i rënë fyellit vetëm në një vrimë, thjesht do të më shtonte dëshpërimin rreth idesë qarkulluese aktuale se sa të koruptueshëm jemi.

Nuk pëlqej sic ju thashë më sipër ti bie fyellit në një vrimë, por, meqë premtova, le të flasim. Le të shprehemi për A.D i cili humbi 5 vite të çmuara në burg, u bë pacient spitali, dhe mund të mos jetojë gjatë.

A.D u arrestua rrugës për në Tiranë, në vitin 2015. Sipas policisë, ai udhëtonte në një furgon të ngarkuar me shumë hashash dhe pak heroinë. Të dyshuarit e tjerë i’a mbathën “në drejtim të paditur” nga vendi i ngjarjes.

Gjëja më interesante është se, sipas deklaratës së policisë, malli nuk i përkiste AD por dikujt me emrin X.Y, dhe se… Këto e të tjera prova se A.D ishte gjendur në furgonin e gabuar, nuk e penguan sistemin e drejtësisë ta dënonte A.D me burgim.

Është ironik fakti që të miturit vetëm akuzohen, po kurrë nuk dëgjohen. Kjo ndodh pasi sjelljet e sistemit të drejtësisë, policisë… nuk përmbajnë edhe në praktikë frymën e “asocimit”, por atë të “disocimit” - a është vërtet i pamundur debati etik me fëmijët fajtorë ose jo? Studimet bashkëkohore mbi fëmijët sugjerojnë se ata janë në gjëndje të arsyetojnë moralisht dhe politikisht disa herë më shumë ngasa gjykatësit, policët, mësimdhënësit, prindërit… presin.

Në vijim, personazh kryesor nuk do të jetë më individi A.D, por fëmijët që vuajnë si dhe ata që me anën e fuqisë politike në arritjen e qëllimeve të tyre, i bëjnë fëmijët të vuajnë.

Mbi 150 të mitur e të rinj janë prceduar nga policia në protestat më të fundit, ata do të vuajnë fajet e tyre për thyerje, shkatërrim, zjarrvënie të pronës shtetrore dhe private? Po sikur këta të kycen në errësirë, të sëmuren, të vdesin? Edhe kur ata bëjnë diçka që meriton burgim, pse nuk ka kampe, struktura speciale, mirërritje për të miturit? Po thjesht i rrasin në burgje bashkë me kriminelë të rritur, pra lejojmë me vetëdije që ata të abuzohen nga banditët, dhe i lëmë të shëndrohen në pacientë me trauma shpirtërore, apo, më keq akoma, i tregojmë me gisht në komunitet si njerëz të padobishëm?

Rreth 30% e numurit të përgjithshëm të protestuesve në sheshe, Tiranë, Shkodër, Durrës… ishin të mitur! Sheshet nuk janë fushbetejat e tyre, por të qytetarëve të përgjegjshëm, të atyre që kanë projekte – po që nuk i dëgjon njeri në zyrat e shtetit - si ti ndihmohen fëmijët që të përvetësojnë zotësi të dobishme humanitare, që të jenë shoqërisht të vlefshëm, që të jenë të pacënueshëm, domethënë që të mos i shërbejnë politikës si objektiva për tu vrarë, plagosur, sakatuar, ose për tu marrë peng.

Prej gjashtë ditësh fëmijët bredhin rrugëve duke mbjellë kudo, për vete dhe të tjerët, pasiguri? Nuk vlen asnjë grosh siguria e pushtetarëve kur fëmijët rriten në një kafaz me bishën që quhet - pasiguri.

E di që këto pyetje e përgjigje tingëllojnë paksa proletare, po vallë a nuk tregojnë këto se si gjërat duhet të jenë në demokraci? Pse duhet të përdor fraza elegante për të nxjerrë në pah përdorimin që iu bë të miturve, nga politika partiake? Unë do të dëshiroja që ne të dilnim në rrugë, të bënim diçka ose gjithçka për të ndryshuar gjëndjen e punëve, por kjo nuk do të ndodhë sepse ne nuk jemi ata që dukemi.

Përdorimi i fëmijëve në protesta, ose, fuqia e të miturve si thirrje që i bëhet ndërgjegjes kombëtare; gjuha e rrjeteve sociale që ata thërrasin; “indiferenca” e opozitës, përcaktimet diskriminuese se ata “vijnë nga llumi, nga getot, ku meren vec me drogë” pasqyrojnë vazhdimësi dhune, midis përgatitjes për luftë dhe akteve të luftës për pushtet. Ky proces, jo demokratik, gjallon për shkak se ne si shoqëri jemi shumë të zënë duke qenë pjesë e sistemit, në vend që të jemi në luftë paepur me ato struktura social-politike që i bëjnë fëmijët të vuajnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat